Itali nje ne kater shqiptare punon ne ndertim

Itali, nje ne kater shqiptare punon ne ndertim
Në vitin 2011, në Itali numërohen mbi 2.251.481 të punësuar të huaj, që përbëjnë 9,8% të të gjithë punonjësve. Komunitetet më të pranishme mes punonjësve janë po ato që kryesojnë edhe mes rezidentëve të huaj: çdo katër të punësuar të huaj, një është rumun (numërohen 561.637 punonjës rumunë). Në vend të dytë renditen shqiptarët, me 232.531 të punësuar, apo e thënë ndryshe, çdo dhjetë të punësuar të huaj një është shqiptar. Pas tyre renditen marokenët (147.105) dhe ukrainasit (132.217).

Por nga ana tjetër numërohen 310 mijë të huaj të papunë, që përbëjnë sot 12,1% të popullsisë së huaj, të aftë për punë. Ajo që vërehet në këtë aspekt është se, ndër ata që mbesin pa punë për shkak të krizës janë emigrantë në një të tretën e rasteve. E thënë në shifra absolute kanë humbur punën gjatë vitit 2011 për shkak të krizës 148.431 emigrantë.

Janë këto disa nga të dhënat e studimit të fundit të Fondacionit Leone Moressa. “Të dhënat tregojnë - shkruajnë studiuesit - se kriza ka fryrë edhe radhët e të papunëve emigrantë. Pesha e emigrantëve mes të papunëve të rinj, me dallime nga një krahinë në tjetrën, është shumë e lartë, 35,7%. Të huajt që arrijnë t’i bëjnë ballë krizës, e bëjnë falë faktit se në disa profesione të huajt duken të stabilizuar dhe të përqendruar qoftë sipas gjinisë, qoftë sipas kombësisë”.

Profesionet e të huajve

Në studim vihet në dukje se të huajt kryejnë kryesisht punë të nivelit të ulët, siç tregon fakti që 54% e burrave dhe 77,5% e grave mbulojnë vende pune që kërkojnë kualifikim të ulët. Mes burrave punët më të përhapura janë ato që kanë të bëjnë me ndërtimin (muratorë, marangozë, vënës pllakash, montatorë), ku  janë përqendruar 15,7% e meshkujve të huaj. Pasojnë  magazinierët e korrierët (5,4%) dhe ata që punojnë në restorante (5,3%).

Ndër gratë e huaja, më e përhapura është puna pranë familjeve, për të mbajtur të moshuarit e më të vegjëlit apo për të pastruar shtëpitë. Punë të tilla kryejnë gjysma e grave të huaja. Ndër zanatet e të huajave spikasin edhe punët në hotele e restorante, ku përqendrohen 8,2% e grave të huaja.

Nga ana tjetër, ka një dallim të madh edhe mes punëve të komuniteteve. Kështu, për shembull, thuajse gjysma (49,1%) e kinezëve punojnë në dyqane apo në restorante, tre çdo katër filipinë (77,4%) merren me pastrime shtëpish apo kujdesen për ndonjë person.

Për shqiptarët, sipas raportit del në dritë se në çdo katër vetë, një merret me ndërtimin: 27,5% janë artizanë e punëtorë të kualifikuar ndërtimi (si muratorë, për shembull) apo të kualifikuar në zanate që kanë të bëjnë me dhënien e dorës së fundit; si shtrim pllakash, lyerje etj. 7,7% e shqiptarëve në Itali janë të punësuar në restorante e bare, 6% ofrojnë punë pranë famijeve (kryesisht gra) dhe 5% punojnë në bujqësi

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama