Itali procedurat e reja per bashkimin familjar

Itali, procedurat e reja për bashkimin familjar
Të paraqiten në ditën e caktuar pranë agjencisë Albanian Courier (Union Net) më të afërt dhe të dorëzojnë dokumentet e nevojshme, të cilat do t‘i përcillen përmes postës Ambasadës italiane në Tiranë.

"Pasi Zyra e Vizave e Ambasadës Italiane të ketë vlerësuar dokumentacionin e paraqitur, personi do të lajmërohet për t‘u paraqitur pranë Zyrës Konsullore për identifikimin, pagesën e vizës dhe plotësime të mundshme të dokumentacionit", sqarojnë më tej përfaqësuesit e ambasadës italiane në Tiranë.

Ata shpjegojnë se dokumentacioni duhet paraqitur pranë agjencisë Albanian Courier (Union Net) më të afërt. Ky është dokumentacioni i nevojshëm për të gjitha tipologjitë që përfshin formularin për kërkesën e vizës. Duhet plotësuar një formular për çdo person. Formulari duhet të plotësohet tërësisht dhe të firmoset. Për të miturit formulari duhet të firmoset nga të dy prindërit. E domosdoshme është pasaporta e vlefshme, të paktën deri në tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës së kërkuar; fotokopje e pasaportës; 1 fotografi, format pasaporte; fotokopje e Autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm i Emigracionit.

Gjithashtu ekziston edhe dokumentacioni i nevojshëm në bazë të tipologjive. Kështu, për bashkime familjare me bashkëshortin/ bashkëshorten për aplikimin kërkohet një certifikatë martese, leja e qëndrimit e vlefshme e qytetarit shqiptar rregullisht banues në Itali. Ndërsa për bashkimin familjar të fëmijëve me prindërit duhet paraqitur certifikata e lindjes e djalit ose e vajzës; certifikata familjare, fotokopja e lejes së qëndrimit të prindërve. Për këtë, nëse vetëm njëri prej prindërve është banues në Itali, prindi me banim në Shqipëri duhet të paraqesë një akt pëlqimi për çatdhesimin e djalit ose të vajzës, përpiluar nga një noter shqiptar, përkthyer në italisht dhe noterizuar. Gjithashtu firma e noterit duhet të legalizohet pranë Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Ambasada italiane kujton se formularët për kërkesën e vizës dhe listat me dokumentet e nevojshme shpërndahen falas pranë ambasadës, pranë agjencive Albanian Courier (Union Net), janë të afishuara brenda dhe jashtë ambienteve të Zyrës Konsullore dhe mund të shkarkohen në adresën e ambasadës www.ambtirana.esteri.it Dokumentet e Gjendjes Civile duhet të jenë të lëshuara jo më parë se tre muaj nga autoritetet shqiptare. Ato duhet të jenë të përkthyera në italisht dhe të noterizuara. Firma e punonjësit të gjendjes civile dhe firma e noterit duhet të legalizohet pranë Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama