Fitorja ndaj Spanjës i ka bërë me krahë italianët, të cilët tani mendojnë se mund të shkojnë deri në fund të këtij kompeticioni. Gazeta "La Reppublica" bën 12 pyetje dhe jep përgjigjet për secilën prej tyre.
1. A ishte ndeshja kundër Spanjës më e mira e Kontes?
Po. Por përgjigjja varet edhe nga pëlqimet personale. Ajo kundër Belgjikës ishte vërtet surprizuese dhe u pa një Itali solide, e fortë dhe jashtë normales. Ndaj Spanjës skuadra bëri një tjetër ndeshje të madhe, kundër një rivali historik. Ndeshja u dominua krejtësisht nga Italia dhe Spanja nuk ishte asnjëherë prezente në lojë.
2. A mund të përsëritet diçka e tillë me Gjermaninë? Cilat janë rreziqet?
Po, mund të përsëritet. Duhet thjesht besim. Diferencat me Gjermaninë janë të dukshme dhe këta të fundit nuk janë në krizë identiteti si Spanja dhe kanë futbollistë si Myler, Draksler, Ozil, Gëce dhe Nojer. Italia është "mace e zezë" për Gjermaninë dhe sigurisht që mund t'ia dalë duke pasur në stol një si Antonio Konte.
3. Mungesat dhe dëmtimet mund ta kushtëzojnë Italinë?
Po. Nuk është e lehtë të luash pa Kandrevën, De Rosin dhe Tiago Motën. Nëse mungojnë të gjithë këta futbollistë, nuk është aspak e lehtë të kesh të njëjtën skuadër dhe të njëjtën lojë. Më e mira është që Konte të shpresojë t'i rikuperojë të gjithë për të pasur më shumë mundësi zgjedhjeje. Përpara është një Gjermani e fortë dhe duhet bërë kujdes.
4. A mund ta fitojë Europianin Italia?
Më mirë të mendojmë që nuk mundet. Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë dhe Italia i surprizon të gjithë vetëm atëherë kur nuk është favorite. Për të fituar Europianin, duhet të kalosh skuadra si Gjermania, Franca, por edhe Belgjika dhe Portugalia nga ana tjetër. Sigurisht që ëndrrat nuk bëjnë keq. Ato mund të bëhen realitet.
5. A është Italia një ekip me yje?
Jo. Edhe pse është një pyetje shumë delikate. Në fakt, futbollistët e Italisë kanë qenë yjet e vërtetë në të gjitha ndeshjet që kanë luajtur. Janë lojtarë si Xhakerini, Parolo dhe De Shiljo. Nëse do të ishin Iniesta apo Morata do të flisnim ndryshe.
6. Italia është më shumë skuadër sepse nuk ka talente?
Jo. Ka një diskutim shumë të madh. Duhet t'i japësh Çezarit, atë që i takon Çezarit. Duhet të kuptosh mbi të gjitha çfarë është talenti. Sigurisht që lojtarë si Bufon, Barzalji, Bonuçi, Kielini, De Rosi apo të tjerë nuk janë rastësisht në kombëtare. Në këtë moment, Pele vlen më shumë se disa personazhe të tjerë...
7. Cili është lojtari simbol i kësaj skuadre?
Mbrojtja dhe veteranët bëjnë një grup të fortë, por mendoj se Xhakerini është simboli. Është një lojtar me kualitet të lartë. Ai duhet të priste deri në moshën 31- vjeçare për të dhënë më të mirën nga vetja. Mendojmë shpeshherë për Maradonën dhe Baxhon, por ai është një futbollist punëtor. Ndoshta Konte mund ta marrë me vete te Çelsi.
8. A është Pele basti i fituar i Kontes?
Sigurisht. Një futbollist që nuk e ka pasur kurrë jetën si fushë me lule. Ka vuajtur në karrierën e tij dhe grumbullimi duket se nuk u ka pëlqyer aspak dyshuesve. Si sulmues është shumë i rëndësishëm për mënyrën se si luan kjo skuadër.
9. A ka psikolog Italia dhe a bën terapi me grupin?
Jo. Stafi i Italisë është klasik dhe nuk ka ndërhyrjen e personave të tjerë jashtë futbollit. Psikologu i vërtetë i skuadrës është Antonio Konte.
10. Pse Konte është i papërmbajtshëm në pankinë?
Kjo është mënyra e tij për të përjetuar një ndeshje. Moral dhe pasion. Ai është si Murinjo dhe Simeone. Skuadra e ndjek dhe e dëgjon me vëmendje gjithmonë.
11. A është mbrojtja pika më e fortë e Italisë?
Sigurisht. Italia është një nga ato skuadra që nuk mund t'i shënosh lehtësisht. Katërshja juventine e njohin njëritjetrin prej vitesh dhe luajnë me symbyllur.
12. A është futbolli i Kontes ilaçi për "tiki-taka"-n?
Po. Ai refuzon që mënyra me të cilën luan Italia të quhet "katenaço". Ka shumë të drejtë sepse ai e vuri lojën e Spanjës në vështirësi, edhe pa u mbrojtur.