Italia 20 vjet pas vrasjes se Falkones ja si ka ndryshuar mafia

Italia 20 vjet pas vrasjes se Falkones, ja si ka ndryshuar mafia
20 vjet më parë mafia vrau në Siçili ndjekësin më të famshëm të mafies, gjykatësin Xhovani Falkone. Por 20 vjet pas atentatit pikërisht në Palermo shumë gjëra kanë ndryshuar. Kapaçi, një nga periferitë e Palermos. Këtu autostrada kalon nga qendra e qytetit në drejtim të aeroportit. Në 23 maj 1992, në orën 17:57 këtu shpërthyen 500 kilogramë lëndë eksplozive, të fshehura në një kanal ujërash të zeza nën autostradë. Fuqia e shpërthimit goditi dy makina. Në gërmadha vdiq luftëtari më i njohur dhe më popullor i Italisë kundër mafias, gjykatësi Xhovani Falkone. Viktima të atentatit ranë edhe gruaja e tij dhe tri truprojat.

Si arriti mafia të godiste në shenjë? Planet e lëvizjes së Falkones asokohe mbaheshin sekret me shumë kujdes pasi konsiderohej shumë i rrezikuar. Falkone ishte kandidati me më shumë shanse për postin e shefit të policisë së re anti-mafie dhe në sajë të punës së tij ishin dënuar qindra mafiozë.

Mafia kishte ndihmës

Leoluca Orlando është prej shumë vitesh kryetar i bashkisë së Palermos; ai vetë ka qenë një nga luftëtarët pararojë kundër krimit të organizuar. Orlando thotë: mafia kishte ndihmës.

“Mafia e kreu atentatin. Por ku mafia vret një gjykatës të rangut të Falkones atëherë ajo e di se është dikush në aparatin shtetëror, që e mbron. Mafia është kundër shtetit, por njëkohësisht ajo është edhe brenda tij. Ajo është kundër bankave dhe punon brenda tyre. Ajo është kundër kishës dhe brenda saj, është kundër shoqërisë dhe brenda saj. Pasi mafia vrau edhe gjykatësin Paolo Borselino, lindi një lëvizje qytetare e paparë deri atëherë. I mbështetur nga indinjata e këtyre qytetarëve një vit më vonë unë u rizgjodha kryetar i bashkisë së Palermos.”

Këto dy atentate me eksploziv në vitin 1992, kundër gjykatësve Xhovani Falcone dhe Paolo Borselino, e shkundën fort indiferencën në gjithë Italinë: Cosa Nostra u kthye në problem kombëtar. Motra e Xhovani Falkones, Maria, thotë: atentatet kanë pasur patjetër efekt.

“Për mafian ishte si një bumerang. Pasi me to filloi gjithçka. Ky atentat terrorist bëri që njerëzit në atë moment të thonin: mjaft më! Dhe nën trysninë e vazhdueshme të qytetarëve të indinjuar shtetit iu desh të reagonte në mënyrë të qartë.”

Indinjata qytetare detyroi shtetin të veprojë

Shteti dërgoi ushtrinë. Ishte misioni më i madh që prej Luftës së Dytë Botërore. Deri në 12.000 ushtarë u vendosën përkohësisht në Sicili për të mbështetur policinë, për gjashtë vjet rresht. Dhe hetimet përparuan shpejt. Një vit pas atentatit u kap autori kryesor, Toto Riina, një bos i mafias nga Korleone.

Katër vjet më vonë, në 1996, Michele Prestipino shkoi në Palermo dhe punoi atje deri në vitin 2008 si prokuror. Në aspektin shoqëror shumë gjëra ndryshuan dukshëm në vitet që pasuan atentatet, thotë Prestipino.

“Kisha siçiliane e viteve 1992/93 nuk ishte e njëjta me atë në vitin 2008, sistemi i sipërmarrësve në 1992 nuk ishte i njëjti me atë sot, e njëjta gjë mund të thuhet për shkollat dhe kualifikimin. Ne filluam të përpunonim njohuritë dhe perceptimin tonë për mafien. Ky proces përfshiu mijëra, dhjetëra mijëra, qindra mijëra të rinj. Dhe ky brez është ai që sot drejton shumë sektorë në Sicili.”

Atentatet sollën ndryshim vlerash dhe i dhanë fund indiferencës

Atëherë filloi një transformim vlerash. Papritur në shkolla u futën orë mësimi për sqarimin politik. Të rinjtë mësonin se çdo të thotë të bashkëpunosh me mafien. Papritur disa sipërmarrës refuzuan të paguanin paratë për mbrojtje. Studentët themeluan lëvizjen “Addiopizzo” – “Lamtumirë para për mbrojtje”.

Një nga këta të rinj është Chiara Caprì, e cila në moshën pesë vjeç përjetoi pasojat e atentateve me bomba. Ajo shkruan ndërkohë libra mbi mafien, është në prag të përfundimit të studimeve të mjekësisë dhe do të specializohet në psikiatri të mjekësisë ligjore për të përpunuar profile keqbërësish.

Edhe për Chiaran gjithçka filloi me vrasjen e Xhovani Falkones, pasi falë tij që fëmijë ajo filloi të interesohej se përse dikush në qytetin e saj të lindjes Palermo, vendos bomba.

“Atentatet që u kryen ato vite e vendosën qytetin në një lloj gjendje lufte, si për shembull kur në Kabul apo rajone të tjera lufte shpërthen një bombe dhe të gjithë kujtohen më pas se çfarë bënin në atë moment. Edhe pse atëherë isha e vogël, shpërthimi në autostradë, vrasja më vonë e Borselinos, ajo goditje e tmerrshme, ai shpërthim bënë që për mua koha të mbetej në vend.”

Mafia e sotme është me kostum dhe kravatë
Palermo ka ndryshuar pas atentateve 20 vjet më parë. Kokat drejtuese të mafies së atëhershme gjenden në burg, kontakte të rëndësishme janë ndërprerë, e megjithatë mafia ekziston ende, thotë kryebashkiaku Leoluca Orlando: “Krimi i organizuar është transformuar nga mafia që qëllon dhe kryen atentate në një mafie me kostum dhe kravatë, e cila fshihet në botën e financave. Të luftosh mafien sot është më pak e rrezikshme por më e vështirë.”

Për Maria Falkonen, lufta kundër mafies është kthyer në qëllim jete. Ajo ka themeluar një fondacion dhe organizon fushata sqaruese në shkolla në të gjithë vendin. Ajo thotë se e pyet shpesh veten se çfarë do të kishte ndodhur nëse vëllain e saj nuk do ta kishin vrarë, nëse ai do të kishte pasur mundësi të vazhdonte punën.

“Çdo të kishte ndodhur nëse do të kishte pasur në krah një shtet dhe një shoqëri që e mbështesnin në vend që të bëhej shënjestër e zilisë, akuzave dhe dyshimeve? Pyetja ime është: ku do të ishim tani? Ndoshta Cosa Nostra do të ishte mundur vërtet.”

Masakra e Kapaçit hyri në histori. Luftëtari më i aftë i mafies vdiq nga duart e kriminelëve, ndër të tjera edhe sepse politika e kishte lënë në baltë dhe nuk ishte angazhuar në kohë për të. Në autostradën e aeroportit në Palermo dy shtylla të mëdha të kuqe graniti kujtojnë Xhovani Falkonen, gruan dhe truprojat e tij si dhe ditën në të cilën mafia i shpalli luftë shtetit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama