Të dhënat tregojnë gjithashtu se studentët e huaj të regjistruar në vitin akademik 2010-2011 kanë shënuar një një rritje në krahasim me vitet e mëparshme. “Pas Italisë, Kina dhe Shqipëria janë dy vendet më të përfaqësuara në auditoret e universiteteve tona”, citojnë ekspertët italianë të arsimit. Duke vijuar më tej me faktin se në total, numërohen 61.777 studentë të huaj në universitetet italiane; duke u renditur gjithsesi pas Gjermanisë ku studentët e huaj zënë 10.9% të totalit, apo në Francë ku zënë 11.2% dhe pothuajse 20% në Mbretërinë e Bashkuar.
Në Itali, të dhënat zyrtare flasin për një rritje të këtij treguesi me shifrën e qëndrueshme prej 0.2% në vit. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin se përse punësimi i të huajve me diploma universitare ka qenë në rritje në vendin përtej detit, nga 3.8% në vitin 2008 në 4.6% në vitin 2010.
Ku mund të studioni? Ndër studentët e huaj, 33% preferojnë Italinë e Qendrës. Një përqendrim i tyre që shpjegohet nga prania e tyre në qytete të tilla si Roma (9449 studentë të huaj), Firence (2942) dhe Piza (1427) etj. Ndërsa sa i përket zgjedhjes së degëve, statistikat e arsimit të lartë italian tregojnë se studentët e huaj që studiojnë ekonomi numërohen 18.2% të totalit. Ata për Mjekësi dhe Kirurgji numërojnë 13.8% të totalit, ndërsa shkencat e Komunikimit janë të fundit në renditjen e preferencave, me vetëm 0.6% të frekuentimit në total të tyre.