Pakkush shihte Italinë si një prej skuadrave pretendente të këtij Europiani, por përfaqësuesja e drejtuar nga Antonio Konte, jo vetëm ka siguruar kalimin e turit, por edhe është që tani fituese e Grupit E në të cilin bën pjesë.
Dy fitoret ndaj Belgjikës dhe Suedisë, si dhe suksesi i sotëm i belgëve kundër Irlandës, bënë që italianët të shkojnë të qetë në ndeshjen e fundit në grup. Edhe nëse munden nga Irlanda dhe Belgjika fiton sfidën kundër Suedisë, për italianët nuk do të jetë problem pasi kanë fituar ndeshjen direkte ndaj ekipit të Vilmots, i vetmi që mund t'i barazojë me 6 pikë.
Si rrjedhojë, Italia ka të përcaktuar që tani edhe ndeshjen e saj në fazën tjetër. Ajo do të luajë më 27 qershor në Paris, në orën 18:00, kundër ekipit të dytë që del nga Grupi D.