Italia hap dyert per 35 mije punonjes sezonale

Italia hap dyert per 35 mije punonjes sezonale
Këtë vit do të hyjnë në Itali 35 mijë punonjës të huaj sezonalë, ku përfshihen edhe shqiptarët, që do të punojnë në bujqësi e në sektorin turizmit e të hotelerisë. Tashmë dekreti i flukseve sezonale për vitin 2012 është gati, mungon vetëm firma e Mario Montit. Kërkesat e punësimit do të bëhen online pas botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare, por nga ky vit gjithçka do të jetë më e shpejtë. Vetëm pas botimit të këtij dekreti, të parashikuar për javët e ardhshme, punëdhënësit do të mund të paraqesin kërkesat e punësimit, që ndoshta edhe këtë vit do të mund të përgatiten që më parë në saitin e Ministrisë së Brendshme italiane www.interno.it.

Autoritetet italiane thonë se edhe këtë vit do të bëhet gjithçka online. Ndërmarrjet do të mund të nisin modulet e kërkesave vetë apo me ndihmën e shoqatave të kategorive, por si gjithnjë nuk do të ketë nevojë për të nxituar kush të arrijë i pari, pasi hyrjet duhet të jenë mëse të mjaftueshme për të plotësuar nevojat për krahë pune, kështu që nuk rrezikohet mbarimi i kuotave. Në kërkesën e punësimit do të jetë e mundur të kërkohet edhe që autorizimi për hyrjet të jetë shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, ndërmarrjet mund të sjellin të njëjtët punonjës edhe për vitet e ardhshme me një procedurë shumë më të thjeshtë e më të shpejtë dhe pa pasur nevojë të presin që qeveria të autorizojë hyrje të reja.

Një përshpejtim i mëtejshëm për punësimet mbërrin edhe nga dekreti i thjeshtëzimit, në fuqi nga 10 shkurti, që ka futur mekanizmin e “heshtjes-miratim”. Sipas këtij dekreti, nëse Sporteli Unik mbi Imigracionin nuk përgjigjet për 20 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës nga ndërmarrja, kërkesa konsiderohet e pranuar dhe punonjësi mund të shkojë të tërheqë vizën e hyrjes. Risia ka të bëjë vetëm me “veteranët”, punonjësit që kanë qenë në Itali edhe vitin e shkuar, që nuk janë pak, pasi ndërmarrjet janë të prira të marrin në punë të njëjtët punonjës.

Por kjo normë ka të bëjë vetëm me kërkesat për punonjës sezonalë që janë autorizuar njëherë të hynin në Itali një vit më parë, të punësuar në mënyrë të rregullt nga i njëjti punëdhënës dhe që janë kthyer në atdhe me skadimin e lejes së qëndrimit. Me një fjalë, përshpejton praktikat për punonjësit e besuar që thirren çdo vit në Itali nga të njëjtat ndërmarrje. Por, risia më e rëndësishme ka të bëjë me punonjësit sezonalë që, për shembull, në fund të të vjelave, kanë mundësi të re pune sezonale, pranë të njëjtës ndërmarrje apo pranë një tjetre. Nëse leja e tyre e qëndrimit është akoma e vlefshme, mund të punësohen menjëherë e leja e tyre do të përtërihet për gjithë kohëzgjatjen e punës së re, por gjithnjë duke respektuar maksimumin e nëntë muajve të qëndrimit në Itali. E mbi të gjitha, këta persona do të mund të nisin punën e re pa u kthyer në atdhe për të kërkuar një vizë të re.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama