Italia hap dyert per te paligjshmit

Italia hap dyert për të paligjshmit
Në këtë mënyrë, "të paligjshmit" që mbajnë një leje qëndrimi të skaduar, por me të drejtë rinovimi, nuk do ta kenë aspak të ndaluar lëvizjen për në vendin e tyre, ose kthimin sërish në Itali. Por ata janë të detyruar të zbatojnë një seri rregullash të vendosura nga shteti fqinj. Ambasada italiane në Tiranë ka bërë publike dje të gjitha procedurat që duhet të zbatojnë shqiptarët, të cilët jetojnë e punojnë në vendin përtej Adriatikut.

Përfaqësuesit zyrtarë të ambasadës italiane në Tiranë kanë shpjeguar lehtësirat e krijuara për lëvizjen transit në vendet e BE-së të kësaj kategorie personash gjatë gjithë periudhës 1 gusht 2008 deri më 31 janar 2009."Ministria e Brendshme e Republikës Italiane arriti përsëri të fitojë nga Këshilli dhe Komisioni i Bashkimit Evropian krijimin e lehtësirave për të lejuar transitin, përmes Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, të qytetarëve të vendeve të treta, të cilët janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit". Kështu thuhet në deklaratën e djeshme të ambasadës italiane në Tiranë. Sipas përfaqësuesve zyrtarë të saj mësohet se "ky lehtësim procedurash është i vlefshëm nga 1 gushti 2008, deri më 31 janar 2009 dhe do të aplikohet vetëm për qytetarët e huaj, të cilët në ardhje nga Italia, apo të drejtuar drejt Italisë, zotërojnë në momentin e transitit në zonën Shengen disa dokumente".

Kështu, një emigrant shqiptar që ka aplikuar për ripërtëritjen e dokumentit bazë, i cili i mundëson qëndrimin në Itali, në momentin e kalimit të kufirit duhet të paraqesë përpara oficerit të shërbimit: kuponin e lëshuar nga Posta italiane, që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit, pasaportën me një afat të vlefshëm përdorimi, si dhe lejen e skaduar të qëndrimit. "Qytetarët e huaj", ose emigrantët shqiptarë në pritje të lëshimit për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, për punë të pavarur ose për bashkim familjar, mund të kthehen në Shqipëri, ose në vendin ku banojnë dhe të hyjnë sërish në territorin italian, pa qenë e nevojshme për një vizë rihyrjeje. Por për këtë ata duhet të zbatojnë edhe disa kushte të tjera.

Dalja dhe rihyrja në Itali duhet të bëhet nga e njëjta pikë kufitare. Po kështu, për këtë udhëtim nuk duhet të parashikohet transiti nëpër vendet e tjera të zonës Shengen. Shqiptarët (emigrantë) duhet të paraqesin pasaportën, së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit në vendin fqinj. Këto arsye klasifikohen për punësim, punë e pavarur apo bashkim familjar. Gjithashtu, duhet të paraqesin edhe kuponin e postës italiane, që vërteton kërkesën e bërë për lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit. Personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama