Italia zgjedh brenda kësaj jave trajnerin e ri të futbollit që do të zëvendësojë Konten pas mbarimit të Europianit.
Ish-kampioni i botës me 'axurrët', Marçelo Lipi ka pasur një takim të gjatë sot me kreun e federatës, Tavekion, duke konfirmuar rolin e drejtorit teknik për Kombëtaren dhe për Shpresat.
Por ajo që mbetet pezull është se cili do të jetë emri i ri që do të drejtojë Italinë pas mbarimit të "Euro 2016", pasi Konte ka firmosur një kontratë me klubin e Çelsit për sezonin e ardhshëm.
"Emrat më të 'nxehtë' janë ata të Venturës, Montelës dhe Gasperinit, ndërsa bien kuotat për De Biazin, në pritje të Europianit me Shqipërinë",-thotë e përditshmja 'Corriere dello Sport'.
Me sa duket është pikërisht angazhimi që De Biazi ka me kuqezinjtë për finalet që pritet të zhvillohen pas pak javësh në Francë, pengesa e parë për t'u bërë trajner i vendit të tij.
Më herët, Tavekio ka deklaruar se emri i trajnerit të ardhshëm do të zgjidhet para Europianit.