Italia me sulmin me te dobet te historise

Italia me sulmin më të dobët të historisë

Duhet të shënoni gol!". Senturion, Afrikë e Jugut, 16 qershor 2010. Ulërimat e Marçelo Lipit, trajnerit të Kombëtares së Italisë në atë periudhë, oshëtinin në brendësi të Kolegjit Sauthdaun, selia e grumbullimit të "axurrëve", një ditë pas barazimit në debutim kundër Paraguait, në Botërorin afrikan.

Konte

"Nëse nuk e sulmon asnjëherë zonën e goditjes, gol nuk do të shënosh kurrë", - këmbëngulte trajneri i të kaltërve, duke iu drejtuar me tone të forta Iakuintës, Xhilardinos, Pacinit, Di Natales dhe Kualiarelës. Gati gjashtë vite më vonë, ndonëse me tone disi më të ashpra, thuajse një "britmë dhimbjeje", lëshonte Antonio Konte, në vigjilje të nisjes së kombëtares drejt Europianit francez.

Pas ndeshjes kundër Finlandës, trajneri dukej sikur i lutej lojtarëve të tij: "Duhej të kishit shënuar një gol, për të fituar më shumë vetëbesim", - një thirrje kjo që edhe në këtë rast i drejtohej sulmuesve, të cilët mbeten shterpë përballë nordikëve. Fundja, duke parë numrat e sulmuesve që ai ka thirrur, kjo është një kërkesë mëse e drejtë. Sepse pesë lojtarët që formojnë repartin e avancuar janë sulmuesit që kanë shënuar më pak në histori, me fanellën e kombëtares së Italisë.

Kurrë kaq keq

Llogaritë janë shumë të thjeshta për t'u bërë; Zaza ka shënuar 1 gol, Pele 5, Imobile 1, Eder 2 dhe Insinje 2. Të gjithë së bashku, me bluzën e vendit të tyre numërojnë 11 gola në total. Dhe përpara një kompeticioni si Europiani, media italiane nënvizon se ky është reparti që ka shënuar më pak në histori. Por nëse marrim shifrat të paktën që nga Botërori 1986 e në vazhdim, pa dyshim që këto numra duken gati të turpshëm. Janë të largëta kohët e 69 golave të "axurrëve" të Botërorit 2006, apo të 57 dhe 55 realizimeve të repartit sulmues ku Italia mund të mbështetej respektivisht në Europianët e viteve 2004 dhe 2008. Gjithsesi, ndonjëherë nuk nevojiten goleadorë apo shifra stratosferike që të bësh një udhëtim të suksesshëm në një turne të kësaj rëndësie.

Konte

Në dy raste të tjera, Italia është përfaqësuar me një repart sulmues nën kuotën 20 gola dhe përfundimi nuk ka qenë i keq, përkundrazi... Hera e parë ishte Europiani i vitit 2000, kur Del Piero (11 gola), Inzagi (6) dhe Toti me 1 (ndërkohë që Montela dhe Delvekio ishin në kuotën zero) kishin shënuar 18 në total, por udhëtimi i tyre zgjati deri në finale, madje vetëm 20 sekonda përpara fundit të 90 minutëshit ishin kampionë të Europës, nëse Viltord nuk do t'i trondiste. Rasti i dytë me sulmin më të varfër "axurr" ishte Botërori 1990, i zhvilluar pikërisht në Itali ku Viali (11), Baxho (3), Karnevale e Serena 2 dhe Mançini 1 (Skilaçi nuk kishte shënuar ende), Italia udhëhiqej nga një sulm me 19 gola, një shifër kjo nga ato që nuk të lënë mbresa, por gjithsesi në fund ata e mbyllën Kupën e Botës të tretët, ndonëse edhe finalja e kompeticionit i shpëtoi vetëm pas lotarisë së penalltive, pasi në gjysmëfinale, ishte Argjentina që i goditi më saktë ato.

"Xholët" ofensiv të Kontes

Gjithsesi, ndërsa reparti ofensiv "qan", nuk mbeten veçse dy rrugë për t'u ndjekur në këtë Europian. E para është shpërthimi i papritur i ndonjë prej sulmuesve, ose kërkimi i golit në mënyra dhe rrugë të tjera, pra gjetja e një "xholi" goleador në repartet e tjera. Duke hedhur një sy atyre, përjashtuar Daniele De Rosin që mund të mburret me 18 golat e tij me fanellën e Italisë, asnjë nga pjesa tjetër e "goleadorëve" të grupit të Kontes nuk kalon 7 realizimet. Lista nis me Kielinin me 6 gola, Kandreva 4, El Sharaui dhe Xhakerini 3, Florenci me dy dhe Darmian e Tiago Mota me një. Ndoshta me shifra të tilla nuk mund të trembësh rivalët, por ekziston edhe mundësi që të kapësh fort te statistika, te ajo e Botërorit 1990 dhe Europianit 2000, ku pavar- ësisht një sulmi jo të frikshëm, Italia mbërriti një herë e treta dhe e dyta, një rezultat final ky, për të cilin Antonio Konte mund të ishte gati të firmoste përpara fillimit të Europianit...



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama