Italia ne kor Elhaida Dani thjesht fantastike

Italia ne kor: Elhaida Dani thjesht fantastike
“Sot vure motorin turbo” i thotë anëtari i jurisë Pelù duke vlerësuar fuqinë e zërit të vajzës nga Shkodra, Elihaida Dani. “Do të kesh thyer disa llampadarë në shtëpitë e italianëve” vlerëson zërin e Elhaidës Rafaella Carrà. Me interpretimin e këngës “Adagio” të këngëtares Laura Fabian, Elhaida fiton zemrat e anëtarëve të jurisë dhe kalon në gjysmëfinale të “The voice of Italy” mbrëmjen e së enjtes.

Kjo konfirmohet më pas nga Coçiante, i cili në zarfin me emrin e votuar nga publiku, thotë emrin  Elhaidës. Duartrokitjet e publikut në sallë dhe mimika e qeshur e katër anëtarëve të jurisë shprehin më së miri se janë edhe ata në të njëjtin mendim: Elhaida meriton të jetë gjysmëfinalistja e parë e “The voice of Italy”. Por çfarë shkruajnë në italisht dhe në shqip njerëzit në rrjetet sociale në internet? Për shumicën, ajo është fituesja e “The voice”. Riçardo Coçiante i kishte rekomanduar të gjente identitetin e saj në këngën “Adagio”, të zgjedhur për përformancën e mbrëmshme.

Elhaida ngjitet në skenë e nis të këndojë. Pa praninë e  trupës së baletit për ta shoqëruar, mjaftoi vetëm ajo, me zërin e saj të fuqishëm, me interpretimin e saj të mrekullueshëm e tronditës mbushi studion me emocione. Interpretimi i Elhaidës ishte aq i ndier sa në fund të këngës nuk arriti të përmbajë dot lotët, ndërsa publiku i studios në këmbë brohoriste e duartrokiste për të.  “Tek Elhaida shoh diçka të mrekullueshme. Dha gjithçka në nivel emotiv dhe teknik”, thotë Riçardo Coçiante, shumë i kënaqur nga prova e dhënë nga nxënësja e tij. “Mamma mia! Teknikë e fortë në shërbim të një emocioni të madh”, nuk përmbahet Noemi.

E të njëjtin mendim shpreh, shqip e italisht populli i rrjeteve sociale në internet. “Fantastike”, “E mrekullueshme”, “E jashtëzakonshme, nuk janë vetëm fjalë”, “Një performancë e shkëlqyer” “Madhëshore, komplimente, urime” “Na nderove, të lumtë, por na bëre të gjithëve për të qarë”, janë vetëm disa nga qindra komentet e adresuara mbrëmë nën lajmin e kalimit të saj në gjysmëfinale, të shpërndarë nga 2 mijë vetë në facebook.  Por çfarë shkruajnë italianët në faqen e Rai2, “The voice of italy”? Giovanni Navone shkruan se “Me duart duke u dridhur nga zeroja e ajrit, një dhimbje therëse grisi shpirtin, e shprehur në zë dhe në gjeste, një emocion që nuk ka fund. Ashtu siç Noemi u përgjigjej: “Një teknikë e madhe në shërbim të një emocioni të madh. Elhaida faleminderit”.

Tereza Confalonieri “Midis teje dhe Mattias ekziston një humnerë, ju jeni një mrekulli e vërtetë, mund të përcillni poezi kur këndoni. Mbrëmjen e kaluar kam provuar emocione të jashtëzakonshme. Faleminderit për atë që na jepni dhe për këtë unë jam tifoz i juaj, sepse talenti juaj i vërtetë arrin në majat më të larta të muzikës italiane dhe ndërkombëtare.  Alec Theleo “ Vajza është një profesioniste dhe nëse është e rekomanduar, dhe nëse është si talent i spikatur në Evropën Lindore,  prandaj nëse ka një prodhues, mos kërkoni më.

Është një fenomen dhe kaq mjafton. Është e vetmja në këtë program që më bën të rrëqethem dhe më pas vjen një person tjetër që nuk bën asgjë si disa këngëtarë mediokër disa javë më parë ku kanë bërë çdo gjë për ta zhvendosur, kur u tha se fituesja do të ishte ajo”.  Ferdinand Boçazzi Varotto: “Kujtoj se në fund të audicionit të parë kam mbetur me gojë hapur. Elhaida ka një zë të çmendur dhe një shtrirje të paparë. Me kalimin e kohës i kam bërë vetes disa pyetje, se këtu nuk kemi të bëjmë me një vajzë që ka ardhur nga të kënduarit në dhomën e saj, siç bën shumica e brezit të saj që për të qenë një talent show vrapojnë pas kurorëzimit të ëndrrave. Këtu kemi të bëjmë tashmë me një këngëtare profesioniste, e cila është vlerësuar dhe me çmime në konkurset e të kënduarit kështu që sipas meje është një e ftuar enkas në “The voice of Italy” për të rritur audiencën.

Vetëm bëni një kërkim në youtube për ta parë atë, të paktën në këta tre vjet, e cila ka fituar çdo shfaqje ku ka qenë pjesëmarrëse në Evropën Lindore. Kjo gjë nuk e ndryshon faktin se ne po përballemi me një fituese, por unë pyes veten në qoftë se në konkurse të tilla angazhohen dhe këngëtare profesioniste. A nuk e shtrembërojnë kuptimin e konkurrencës? A është kjo e drejtë për publikun? Pastaj mund të mendosh se pas kësaj qëndron një regjisor. Giusy Paesano është një tjetër komentues që pajtohet me mendimin e Ferdinand Boçazzi-t.

Ai thotë se është e vërtetë se ka shumë materiale të rekomanduara dhe kjo tashmë shikohet kudo. Voice duhet t’u japë të gjithëve një shans, dhe jo njerëzve që janë të afirmuar në industrinë e muzikës. Ka njerëz që presin të promovohen, ndërsa ajo e ka kaluar këtë pjesë. Megjithatë unë duhet të them se ajo vajzë është një fenomen, një talent i jashtëzakonshëm.  Brain Washedserb shkruan: “Suksese vajzës, por midis nesh të dashur shqiptarë, Elhaida e humbi fare në 0.55 sekonda dhe duke filluar nga min 1.16 e deri në fund e ka interpretuar keq fare këtë këngë. Sinqerisht djema dhe vajza, ky është versioni më i keq i “Adagio” që unë kam dëgjuar ndonjëherë. Megjithatë, edhe 1 herë suksese Elhaides. Më mirë ajo, se një italiane.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama