Mallkimi i dëmtimeve vazhdon të godasë Kombëtaren e Italisë në pritje të Europianit 2016, në Francë. "Axurrët" e drejtuar nga Antonio Konte pritet të çalojnë në mesfushë, duke parë që pas Klaudio Markizios, i cili këputi ligamentet e gjurit, nga dje edhe organizatori tjetër, Marko Verrati, ka konfirmuar mosprezencën e tij në këtë edicion. Mesfushori i PSG-së, edhe pse ka provuar që të zgjasë kohët e tij të operimit, në fund i është dashur t'i dorëzohet problemit në muskujt e poshtëm të barkut, të cilët i kanë krijuar një hernie, e cila do të kërkojë një ndërhyrje kirurgjikale për ta kaluar.
Ndonëse 23-vjeçari është konsultuar me stafin mjekësor të parisienëve, por edhe të përfaqësueses, në fund vendimi unanim ka qenë kryerja e një operimi për të kaluar këtë problem. Ndërhyrja do të kryhet më datë 16 maj, në Doha të Katarit, prandaj duke parë se Europiani starton më pak se një muaj nga kjo datë, rikuperimi është i pamundur, prandaj trajneri Konte duhet të humbë një tjetër yll të skuadrës së tij. Dhe pa Markizion e Verratin, cilësia në mesfushën e "axurrëve" humb gjysmën e potencës së saj, diçka që ngre një alarm në stafin teknik.
"Shpresova deri në fund se mund ta shmangia këtë operacion dhe të merrja pjesë në Europian, por nuk ia dola. Prandaj, shpresoj që kjo do të jetë një verë edhe më magjike për shokët e mi të kombëtares, por në të njëjtën kohë u premtoj tifozëve të PSG-së se do të kthehem edhe më i fortë se më parë", deklaroi dje Marko Verrati.
De Rosi dhe Pirlo
Këto dy dëmtime të parikuperueshme për skuadrën që do të udhëtojë më 10 qershor në Francë hapin pikëpyetje të mëdha në lidhje me listën e të grumbulluarve të Antonio Kontes. Duke parë emergjencën me të cilën duhet të bashkëjetojë, tashmë trajneri po mendon seriozisht që të thërrasë dy veteranë si Daniele De Rosi dhe Andrea Pirlo.
Këta janë ndër ata lojtarë që nuk shiheshin me sy të mirë nga "gjenerali", duke parë edhe moshën e tyre, por tashmë që cilësia është me pikatore në mesfushë, të paktën De Rosi duket i sigurt për një grumbullim në Francë, ndërsa për Pirlon do të mësohet diçka më shumë në ditët në vazhdim.