(Përsiatje rreth librit “Shqipëria–rrënjët e krizës” të gazetarit italian Roberto Morozzo Della Roko)
Kur lexova librin e analistit të njohur italian Roberto Morozzo (Della Roko), papritmas m’u kujtua një thënie emblematike e ish–ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali se “Dosja e ‘97-s është një dosje e zezë që nuk do të hapet kurrë”.
Dhe parashikimi i profesorit (kështu e thërrisnin shokët e miqtë e tij në konfidencë), rezultoi tejet i saktë. Ai me këtë do të thoshte se në atë “skenar” të zymtë të vitit të mbrapshtë, ku u marrosën shqiptarët, ishte një përzierje “alkimike” misterioze e opozitës, e etur për t’u kthyer në pushtet dhe e mazhorancës së asaj kohe, që nuk mundi të parandalojë fenomenin rrënues të piramidave për shqiptarët, ku futën pasuritë e tundshme e të patundshme nga dëshira për t’u pasuruar brenda një dite e një nate pa u lodhur.
Një analist tjetër i huaj do të shkonte më tej. Ai do të akuzonte për këtë katrahurë vetëshkatërruese të shqiptarëve edhe qarqet reaksionare greke, shërbimet sekrete të asfalisë greke.
Nisur nga parashikimi i Zhulalit, që në krye të radhës del një pyetje sa retorike aq dhe e veshur me mister: Përse s’u analizuan për asnjë rast shkaqet e asaj krize që rrënoi shqiptarët? Madje përpos ndonjë shkrimi sporadik, a ndonjë libërthi skematik, as analistët e njohur s’e morën përsipër një përgjegjësi të tillë.
Por këtë do ta bënin analistët e huaj. E njëri prej tyre është edhe Della Roko. Ai përpiqet ta shohë këtë krizë në disa plane, në atë politik, ekonomik, shoqëror, psikologjik, madje përpiqet të zbulojë dhe anë të karakterit shqiptar.
Ndaj jo rastësisht në libër do të nënvizonte se “Ndryshimet politike të viteve 1990-1991 shkaktojnë një ‘rizbulim’ të Shqipërisë nga ana e Italisë, njëkohësisht me braktisjen nga ana e Tiranës të mbylljes hermetike dhe ksenofobe ndaj kontakteve me botën”.
Së pari, ai ndalet në jehonën e madhe mediatike në të gjithë botën të eksodit dramatik shqiptar me 6-7 gusht të vitin 1991. “20 mijë shqiptarë, shkruan Della Roko në librin e tij, do të mbërrijnë në bregun e Puljes, por pastaj i përqendrojnë në stadiumin e Barit.”
Për të penguar eksode të tjera, sipas tij, u ngrit operacioni “Pelikan”, që nisi të dërgojë ndihma në Shqipëri.
“Corriere della Sera”, në nëntor të ‘92-shit e quan Shqipërinë “Krahina e njëzet e një e Italisë”. Dhe më tej: “Fillon pushtimi i dytë italian i Shqipërisë, apo, Shqipëria është RDGJ-ja e Italisë”.
Mjetet audiovizive e ato të shkruara propagandojnë më tepër dashurinë e shqiptarëve për Italinë në një kohë që për ta emigrimi në Itali është një veprim i diktuar nga nevoja e jo nga dëshira.
Autori, duke bërë “radiografinë” e këtyre viteve, ndalet dhe analizon edhe elemente të qëndrimit të italianëve ndaj Shqipërisë në vitet ’90. Në krye të radhës ai vë elementin, apo siç thotë më saktë ai, interesin ekonomik, si dhe synimin për të ndaluar emigrimin e mëtejshëm.
Më tej ai veçon një element tjetër, atë të keqardhjes për viktimat e një diktature të egër, por dhe babaxhanllëkun e të kamurit. Por solidariteti idealist, komenton analisti italian, nuk e heq dot frikën se mos molepset prej primitivizmit.
Kthesa…(revolta e marsit)
Kthesa, sipas Della Rokos, ndodh në Shqipëri me krizën e piramidave, revoltën e marsit 1997. Çështja shqiptare vë në krizë qeverinë e Romano Prodit.
Për të argumentuar këtë përfundim, autori ndalet në shifra e fakte, në një statistikë tronditëse të dyndjes së emigrantëve shqiptarë drejt tokës italiane, që siç thotë ai në libër për shqiptarët, është “La Amerika”.
Lotët e Silvio Berluskonit…
Sipas kësaj statistike rrëqethëse, vetëm në vitin ’91, nga muaji shkurt e deri në gusht, mbërritën në Itali 45 mijë refugjatë, kurse në mars-prill 1997 mbërrijnë më pak se nëntë mijë veta.
Por me 28 mars do të ndodhte një incident i rëndë me përmasa tragjike. Nga përplasja e anijes “Kateri i Radës”, ku qenë imbarkuar shqiptarët, me anijen ushtarake italiane “Sobila” në ngushticën e Otrantos, u mbytën një numër i pacaktuar shqiptarësh. Lotët e Silvio Berluskonit përpara të shpëtuarve të “Katerit të Radës”, sinqeriteti i të cilave nuk vihet në dyshim, nuk janë veçse një episod.
Autori në libër i referohet një shifre që shkon në 50 veta, por kjo gjithsesi mund të jetë më e madhe. Ai është kundër deklaratës së Irenë Pivetit, që kërkon që shqiptarët të hidhen në det.
Kjo ide e saj, shprehet Della Roko, përqafohet deri më 28 mars 1997, nga sa e sa italianë të zakonshëm, të intervistuar nga mjetet e informacionit masiv. Nisur nga situata e krijuar prej eksodit biblik të shqiptarëve, qeveria italiane detyrohet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, duke vendosur një bllokadë detare ndaj Shqipërisë.
Dhe ky vendim i pazakontë i saj nuk kundërshtohet nga asnjëra prej forcave politike.
Aksioma: Shqiptar baras kriminel.
Po atë ditë kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme përhapet vetëtimthi edhe aksioma: shqiptar baras kriminel. Po ku u mbështet kjo aksiomë? Sipas autorit të librit “Shqipëria-rrënjët e krizës”, kjo aksiomë do të mbështetej në imazhin që krijojnë fytyrat e refugjatëve.
Tipare të ashpra e burrërore si ajo e njerëzve të fshatit, shikime të zbrazura e të përhumbura nga lodhja, fytyra të drobitura e të pagdhendura, pamje të acaruara nga përjetimet e ditëve të kaluara.
Por Della Roko, duke u ndalur te një imazh i trishtë për shqiptarët, shkon më tej, në ato pamje disi absurde e të marrosura të shqiptarëve që në Shqipëri qëllojnë gjithë kënaqësi në qiell me kallashnikov dhe shkatërrojnë ndërtesat publike. Këto pamje, evidenton autori, përforcojnë në opinionin publik italian, që s’e njeh Shqipërinë, idenë se është fjala për njerëz të dhunshëm e keqbërës.
Kundër një alarmi të tillë ngrihen gazetarët e njohur italianë si Xhuliano Xinkone, Antonio Polito, Valentino Parloto. Ata e vlerësojnë si të fryrë një alarm të tillë kur thonë: “Një popull prej pesëdhjetë e shtatë milionë të begatësh, po i merrte dhjetë mijë shqiptarët për një dyndje visigotësh”.
Ky qëndrim, vazhdon analizën realiste autori, nxjerr në pah një fill racizmi. Shqiptarët përshkruheshin si kriminelë të të gjitha ngjyrave, madje më të këqij se ciganët, dembelë, shfrytëzues.
Rishfaqen stereotipat e përdorura ndaj italianëve nënproletarë, të shëmtuar, pisanjosë e të ligë, të rrethinave të Romës të Pazolinit, por gjen aty edhe një racizëm krejt të sinqertë, do të kumtojë në këtë libër tejet interesant Roberto Morozzo Della Roko.
Italianët, që marrin në mbrojtje refugjatët shqiptarë, akuzohen si leshko, bamirës të së keqes, njerëz që nuk respektojnë ligjin dhe shtetin. Xhorxho Boko shkruan ndaj këtij linçimi moral se “Shtresa e politikanëve dhe shtypi dolën më ksenofobë nga ç’mendohej”.
Më tej Boka do të thoshte se …nuk ngjajnë aspak si italianë të mirë, por si një kolektiv njerëzish të shqetësuar, që nuk kanë besim te vetja dhe mendojnë vetëm si të mbijetojnë, duke ngritur në kufi ca perde prej hekuri.
Nga kjo pasiguri e përkthyer në interesa elektorale buron edhe propozimi i pahijshëm i vendases Piveti, për të flakur në det refugjatët, meqë na qenkëshin që të gjithë kriminelë.
Por autori ngrihet kundër interesave meskine elektorale, kur nënvizon: “…një grusht votash në rrethinat e Varezës nuk e vlejnë me të vërtetë këtë vetëvrasje qytetare. Duhet ruajtur, përfundon Boka, jo aq për shqiptarët se sa për veten tonë, respekti ndaj njeriut, duhet të hidhen poshtë demonizimet kolektive, globale prej të cilave kanë zanafillën masakrat dhe përndjekjet”.
Analisti i njohur italian Della Roko “operon” dhe në punën e jetën e emigrantëve shqiptarë në Itali. Shqiptarët, thotë ai, përbëjnë grupin e dytë të emigrantëve jashtëkomunitarë në Itali, pas marokenëve. 80 për qind e tyre kanë një punë të rregullt, në ndërtim dhe ca më shumë në sektorin e bujqësisë, me kontrata e pagesa sigurimesh.
Ka dhe një numër shqiptarësh të paligjshëm që llogariten deri në 10 mijë vetë, por që nuk merren medoemos me veprimtari të paligjshme. Pronarët italianë të tokës, ose të firmave të vogla i pranojnë në punë të zezë për një kohë të shkurtër, pastaj nxirren nga puna, ndoshta dhe pa u paguar.
Në një raport të Ministrisë Brendshme italiane shkruhet se “Shqiptarët përdoren kryesisht në punë në ndërtim dhe në punë krahu që kërkojnë sidoqoftë përdorimin e forcës fizike. Pra punë që italianët kanë prirjen të mos i bëjnë më vetë. Nisur nga nevoja për punë bujqësie emigracioni shqiptar është i përhapur në të gjitha provincat italiane”.
Në këtë kohë edhe Greqia bëhet objekt i valës së refugjatëve. Por “alarmi” shqiptar mbërrin dhe në Bovari. Autoritetet e Munihut shqiptarët i shohin si “Schver-kriminelle und Mafiozi”, ndaj 1500 policë vihen në ruajtjen e kufirit midis Bovarisë dhe Austrisë.
Kriza e filluar në nëntor të vitit 1996 i solli dëme të jashtëzakonshme Shqipërisë, vëren Della Roko. Duke u ndalur në fizionominë e saj ai ravijëzon disa anë dalluese të krizës së vitit 1997, ku eksploron atë të një tërbimi vetëshkatërrues të një populli të pajisur dobët me ndjenjën e së mirës së përbashkët, një revoltë njerëzish të egërsuar nga mashtrimi, përllogaritje politike nga ana e disa njerëzve.
Shqiptarët në rrjetin e mafies…
I prirur të shohë profilin e shqiptarëve në disa rrafshe, Roberto Morozzo Della Roko bënë edhe “skanerin” e përfshirjes së shqiptarëve në “analet” e krimit të organizuar. Për këtë ai nuk mbështetet vetëm në statistika, por dhe në “gjeografinë” e llojeve të krimit.
Sipas statistikave, ku mbështetet autori i librit, 20 për qind e krimeve të kryera nga të huajt në Itali kanë për autorë emigrantët që vijnë nga zonat e ish-Jugosllavisë e Shqipërisë. Në ato 20 për qind ka shqiptarë, por edhe ciganë, serbë, kroatë, myslimanë boshnjakë, maqedonas, sllovenë. Nëpër statistikat e krimit të kryer nga të mitur të emigrantëve jashtëkomunitarë nuk gjen shqiptarë.
Duke vështruar pas këtyre statistikave më erdhi ndërmend ajo që thoshte para pak ditësh gazetari nju-jorkez Kevin Hedman tek shkruante për “Krasniqët dhe shqiptarët e krimit”. Duke marrë mendimin e ekspertëve të FBI-së, ai ka zbuluar dhe “hartën” e krimit të shqiptarëve, “përplasjet” mes grupeve të tyre dhe rrugët se si arritën deri aty sa të futen në rrjetën e komplikuar të krimit të organizuar, nga ndërtues çatish, kamerier, shitës picash në zotërues të milionave dollarëve, makinave superluksoze të një jete të shfrenuar.
Eksperti i FBI-së, Di Gregorio, i ka pohuar gazetarit amerikan se “kriminelët shqiptarë i kujtojnë disi mafien italiane të shkollës së vjetër”. Kurse gazetari i BBC-së, Misha Glenny, autor dhe i librit “Mek Mafia”, përballë Fevziut, duke folur për mafien shqiptare nënvizoi se “Shqipëria ka qenë pjesë e mafies së kokainës, që u hap gjatë viteve ‘90”.
Por ajo që do të thoshte më tej Glenny, ishte se u përfshi edhe në trafikimin e qenieve njerëzore.
Mafia këtu harlis përmes kontrabandës. Misioni i saj është që t’u sigurojë njerëzve të BE-së mallrat dhe shërbimet që ata kërkojnë si: drogë, prostituta, cigare pa taksë etj. Për përfshirjen kryekëput të shqiptarëve në dukurinë e prostitucionit, e cila konsiderohet veprimtari e ulët për kriminalitetin italian që merret me trafiqe më të sofistikuara e fitimprurëse Della Roko flet në përgjithësi pa e ilustruar me shifra e fakte, as edhe për mënyrën e organizimit të kësaj falange të krimit të organizuar.
Anale të historisë së emigracionit…
Në këtë libër autori hedh dritë dhe mbi historinë e emigracionit shqiptar drejtë Italisë, që nis që nga fundi i shekullit XIV, kur mijëra shqiptarë mbërrijnë në Venedik, (qytetet bregdetare shqiptare asaj kohe ishin domen i Dozhve). Ata vërshuan edhe në brigjet e Adriatikut të mesëm, duke u integruar më se natyrshëm me popullsinë vendase.
Po ikja në masë e shqiptarëve do të vinte pas vdekjes së Skënderbeut e pushtimit të Shqipërisë nga osmanët në vitin 1468. Vala e emigrantëve shqiptarë u drejtua këtë radhë drejtë Italisë së Jugut. Janë pasardhësit e italo-shqiptarëve të sotëm, ose arbëreshëve, konfirmon Della Roko.
Autori ndalet dhe te figura të spikatura me origjinë shqiptare që bënë emër në historinë italiane. Ndër ta ai veçon Françesko Krispin, i cili sundoi në skenën politike italiane në fund të shekullit XIX. Dhe Klementi XI ka prejardhje shqiptare, se i përket familjes së Llacëve. Ai ishte Papë që nga viti 1700 deri në vitin 1721. Familja e Llacëve më vonë u pagëzua me Albani, kur u vendos në Marke.
“Miti” shqiptar…
Autori flet tashmë edhe për një mit të shqiptarëve. Po ku i ka “rrënjët” ky mit? Sipas analistit italian Roberto Morozzo, ky mit i krijuar gjatë shekullit XX mbështetet në disa faktorë. Shqiptari kthehet në një mit nga karakteri i pashoq i Shqipërisë, i nxjerr radhë pas radhe nga historia e mundimshme, nga gjuha e veçantë, nga peizazhi dhe natyra e pandotur, nga prapambetja dhe mjerimi, nga zgjedhjet politike radikale.
Përpos tyre ky mit vjen edhe nga vrazhdësia e barbarizmi, nga naiviteti dhe spontaniteti popullor, nga përzierja e lindores me perëndimoren. Duke u ndalur në veçoritë e karakterit të shqiptarit, ai pohon se shqiptarët kanë tiparet ballkanike të karakterit. Janë të ndjeshëm e impulsivë, të vrazhdë e të shoqërueshëm. Njëkohësisht më tepër njerëz të inatit se të mllefit, më tepër hakmarrës se sa mizorë…
Krahas këtij paraleli autori ndalet dhe te fytyra arkitektonike e qyteteve. Kështu, qytetet shqiptare, bën paralelizmin Della Roko, kanë gjëra të përbashkëta me qytetet boshnjake, ose serbe, gjë që vërehet më së miri tek urat e gurta të periudhës osmane, kështjellat, ose rrënojat e tyre, shtatoret e heronjve, të gjithë këto të rrethuara me gojëdhëna të frikshme.
Ndër to autori do të veçojë gojëdhënën për njerëzit e murosur, (ndoshta këtu ka parasysh legjendën për ndërtimin e kalasë së Rozafës).
Më ballkaniku në të gjithë Ballkanin…
Parë nga optika e analistit italian, populli shqiptar është më ballkaniku në të gjithë Ballkanin. Por njëkohësisht ai vëren me shqetësim se “ende në Shqipëri nuk po provohet profili i një politikani perëndimor në mendësi e sjellje”. Dhe këtu ai e ka fjalën për politikanë jo të sertë, me nuanca të zbutura, “double face”, të ndërmjetëm, që mund të qeverisin një popull shqiptar, më ballkanikun në të gjithë Ballkanin.
Po kështu, ai thotë se “Nga pikëpamja shtetërore copëzimi fisnor e përqas Shqipërinë e Berishës më fort me kohën e Zogut se sa me kohën e Hoxhës”. Duke u fokusuar te mendësia e politikës shqiptare Roberto Morozzo nxjerr përfundimin racional se “për sa i takon mendësisë së politikës personazhet publike të skenës politike shqiptare janë më pranë me kohën e diktatorit të Gjirokastrës”.
Qeveria e Berishës, përcakton Della Roko, trashëgon strukturat e shtetit të plazmuar nga Enver Hoxha, ndonëse në fillim i përdori ato në mënyrë liberale, por më pas rimerr prirjen e tyre autoritare. Duke u ndalur te profili i Berishës, te veçoritë e karakterit të tij, autori i këtij libri e paraqet atë kontradiktor kur thotë se “Berisha është një njeri karizmatik, autoritar, impulsiv, hakmarrës...” Ai thotë më pas se në Shqipëri mungon tradita borgjeze. Ndiqet një politikë pa ndërmjetësime, pa kompromise, me ndeshje ballore, me monopolizim të pushtetit si në të gjithë Ballkanin.
Duke zhbiruar edhe në rrafshin e ekonomisë, Della Roko vlerëson arritjet e mira në rrafshin makroekonomik, por duke iu referuar gazetës më të madhe franceze “Le Monde”, që thotë se… “ndërsa ngrihen në qiell arritjet makroekonomike, në treg nuk gjen asnjë prodhim shqiptar”, e sheh pa një projekt të qartë të nesërmen e ekonomisë shqiptare.
Analisti italian konkludon se “Ekonomia shqiptare paskomuniste nuk ka qenë ekonomi prodhimi, por shkëmbimi”. Nga një komunizëm parahistorik, Shqipëria, sipas Della Rokos, kaloi befas te paskapitalizmi “zviceran”, te një ekonomi e letrave, duke kapërcyer fazën e punës, të përparimit teknik, të etikës borgjeze, të artizanatit që shndërrohet në ndërmarrje, të industrisë, të modernizimit të bujqësisë.
Anxhelo Mozati Kristofoli, një tjetër analist italian, kur flet për ekonominë e Shqipërisë thotë se “Shqipëria është një vend i mbajtur nga refugjatët, nga ndihmat e huaja dhe nga importi”. Ndonëse rrok një gamë të gjerë problemesh, duke pasur në qendër të optikës së tij krizën e ’97-s, Roberto Morozzo Della Roko ka arritur të bëjë me sukses edhe “skanerin” e tipareve të psikologjisë dhe karakterit të shqiptarit.
Ndaj ky libër, me vlera njohëse, përmes një analize e sinteze të thellë, rizbulon realitetin shqiptar në disa anë të tij, sidomos te një faqe ende enigmatike siç është kriza e ‘97-s. Ai është një “manual”, jo vetëm për shqiptarët, por dhe për studiuesit e vendeve të Ballkanit e të Europës Juglindore e më tej.