Në kohën kur aleanca botërore kundër ISIS, e ka intensifikuar fushatën kundër këtij grupi ekstremist që po kryen masakra në Irak dhe Siri, për Shqipërinë vjen një alarm, nga vendi fqinj, Italia. Duke pasur dyshime se italianët përdorin aeroportin “Nënë Tereza” për t’u nisur për xhihad drejt Sirisë dhe Irakut, autoritetet italiane të sigurisë, u kanë kërkuar së fundmi homologëve shqiptarë që t’u japin informacione të detajuara të personave me shtetësi italiane, të cilët kanë fluturuar drejt Turqisë. Për shkak se në Itali, masat e sigurisë janë tepër të larta, pala italiane ka dyshime se shtetasit e saj përdorin aeroportin kombëtar të Shqipërisë për të shkuar në Turqi dhe më pas të kalojnë kufirin drejt Sirisë e më tej Irakut. Edhe pala shqiptare u kërkon homologëve italianë informacione rreth shtetasve shqiptarë që shkojnë në Itali, pasi ka dyshime se përdorin tokën e shtetit fqinj, për të kaluar më pas drejt tokave të luftimeve. Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare kanë intensifikuar masat e sigurisë, ku janë shtuar kontrollet e rrepta të fluturimeve të shtetasve shqiptarë drejt Turqisë, për shkak se rezulton një numër i madh luftëtarësh shqiptarë përkrah ISIS dhe grupimeve të tjera ekstremiste. Javët e fundit është rritur edhe reagimi kundër kësaj organizate ekstremiste që ka kryer masakra të përgjakshme, duke vrarë civilë dhe shpërngulur me miliona persona nga vendbanimet e tyre. Së fundmi, këta luftëtarë kishin mbërritur deri në kufi me Turqinë, ndërsa koalicioni botëror po bombardon bazat e tyre ushtarake.
Kërkesa e palës italiane
Në bazë të informacioneve të ekspertëve të sigurisë, është rënë në gjurmët e një linje të ndjekur prej shtetasve italianë, të cilët duan t’u bashkohen luftimeve në Siri apo Irak. Sipas këtyre të dhënave, për të humbur mundësinë e kontrollit dhe ndjekjes, italianët që aspirojnë për luftën e shenjtë, përdorin aeroportin “Nënë Tereza” për të kaluar në Turqi. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se më tepër se 100 italianë radhiten ndër luftëtarët e ISIS. Duke qenë se ekspertët e sigurisë italiane dyshojnë se një pjesë e mirë e tyre mund të ketë mbërritur atje, përmes Rinasit, atëherë policisë dhe prokurorisë shqiptare, por edhe shërbimeve inteligjente, u kërkohet informacion rreth atyre që janë nisur nga toka shqiptare, duke përdorur transit aeroportin e vetëm në vend. Për shkak se në Itali ka një numër të lartë të shtetasve me kombësi afrikane, të mbërritur prej shumë vitesh atje dhe që tashmë janë natyralizuar si italianë dhe brezat pasardhës të tyre kanë rritur radhët e rreshtimeve pranë forcave ekstremiste, Italia renditet ndër shtetet që furnizon ISIS periodikisht me luftëtarë.
Edhe Shqipëria, kërkesë Italisë
Nga ana tjetër, edhe autoritetet shqiptare të sigurisë kanë dyshime se besimtarët shqiptarë përdorin aeroportet italiane, për të kaluar në tokën e luftimeve, duke braktisur rrugën tradicionale nga Rinas-Turqi-Siri. Kjo kërkesë vjen pas arrestimeve të kryera në Shqipëri, si dhe hetimeve që po kryhen. Falë këtyre hetimeve është bërë një listë me emrat e personave që nuk duhet të dalin nga territori shqiptar dhe kjo listë u është dërguar dhe italianëve. Ky shkëmbim informacioni mes Italisë dhe Shqipërisë vjen në një kohë, kur shumë besimtarë myslimanë vazhdojnë t’u bashkohen radhëve të xhihadistëve islamikë.
Xhihadistët shqiptarë
Sipas agjencive inteligjente botërore, pranë forcave ekstremiste rezulton të luftojnë të paktën 140 shtetas nga Shqipëria dhe qindra të tjerë nga Ballkani, ku Bosnja mban vendin e parë. Me dhjetëra shqiptarë kanë humbur jetën nga luftimet e përgjakshme, fillimisht në Siri dhe tani në Irak. Para pak muajsh, në Tiranë u zhvillua një operacion, ku u vunë në pranga dy imamë të vetëshpallur të xhamive, si dhe u shkatërrua një rrjet që rekrutonte luftëtarë në Siri. Duke përdorur si mbulesë OJF-të e ndryshme, këta persona niseshin drejt Turqisë fillimisht, për të përfunduar më pas në luftime. Ndërkaq, Shqipëria është renditur në koalicionin kundër ISIS dhe ka dërguar 22 milionë fishekë kallashnikovi dhe armatime për forcat ushtarake që luftojnë kundër ekstremistëve. Në Kodin Penal janë rritur edhe masat ndëshkimore për personat që shkojnë për luftime atje.