Ivan Krastev - Veshtrimi theres mbi demokracine

Ivan Krastev - Veshtrimi theres mbi demokracine

Politologu dhe eksperti i njohur bullgar sapo erdhi në shqip me librin e tij të njohur "I besojmë mosbesimit", i publikuar nga "Instituti Shqiptar i Medias". Në këtë përmbledhje esesh e analizash rreth disa prej temave më të nxehta që preokupojnë demokracitë e sotme në Lindje dhe Perëndim, zgjodhëm të botojmë dy prej tyre

Mosbesimi i votuesve
“Zgjedhjet nuk ndryshojnë gjë”, lexohet në një mbishkrim të shkarravitur në një mur, në qendër të qytetit tim të lindjes, Sofias në Bullgari. “Sikur zgjedhjet të ndryshonin gjë, do t’i kishin ndaluar. ”
 
Askush nuk e mban mend se kur u shfaq për herë të parë ky mbishkrim, as se kush e shkroi – pas gjase ndonjë i ri anarkist, ose ndonjë artist i rrugës, jo dhe aq i ri. Askush nuk e di pse pronarët e kamur të ndërtesës nuk e fshinë asnjëherë (që bashkia nuk e ka pastruar, kjo nuk përbën ndonjë mister, meqë bashkia kurrë nuk ka para për këto punë). Me kalimin e kohës, mbishkrimi filloi të shërbente si moto për aventurën e bullgarëve përmes xhunglës së demokracisë. Kur i pyesin, bullgarët nuk e humbin kurrë rastin për t’i informuar anketuesit, reporterët dhe miqtë e tyre se zgjedhjet nuk do të ndryshojnë asgjë për be. Dhe nuk janë vetëm bullgarët që flasin dhe që mendojnë kështu.


Për të ilustruar cinizmin e publikut ndaj politikës së tanishme partiake, ia vlen të ritregojmë historinë e Vladimir Bojkos. Një i ri ukrainas, Bojko është ambicioz, pragmatik dhe sipërmarrës. Në vitin 2004, ishte një nga ata mijëra të rinj që kaluan ditë dhe net të mbledhur në sheshin qendror të Kievit, për të protestuar kundër falsifikimit të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë. Ai dhe të tjerë si ai ishin simbol i ëndrrës së atij vendi për demokraci të mirëfilltë, prej së cilës prisnin që t’u sillte mbrothësi, mundësi të reja dhe ndryshim. Për fat të keq, siç e dimë, gjatë dekadës revolucionare pas- Portokalli, Ukraina përjetoi korrupsion, arrogancë dhe hubris-in e atyre në pushtet. Oligarkët ukrainas ishin të vetmit që përfituan vërtet nga ndryshimi.


Turmat mblidhen në Kiev ditën e parë të Revolucionit Portokalli, për të protestuar kundër zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.


Menjëherë pas ditëve të revolucionit, udhëheqësit e lëvizjes u hodhën në sulm jo vetëm kundër korrupsionit, por edhe ndaj njëri-tjetrit. Ekonomia u fut në rënie të lirë. Të ligjtë e revolucionit u ripërfytyruan, më pas, si shpëtimtarët e kombit. Sa për Bojkon, ky e humbi interesin për të ndryshuar vendin dhe u përqendrua në të fituarit e parave. Tani biznesi i tij është “rentimi i turmave”. Kompania e tij, Easy Work, ka mbledhur një databazë prej disa mijëra studentësh, pensionistësh dhe të papunësh, të cilët mund t’i mobilizojë në çast, për t’i çuar në demonstrata partish politike kudo në Kiev, dhe për t’i bërë të rrinë atje me orë dhe të brohorasin ose të protestojnë me urdhër. Për Bojkon dhe punonjësit e tij ideologjia nuk ngre ndonjë peshë, gjatë kohës që ata luajnë rolin e “qytetarëve” në demonstrata të këtilla. Çfarë ngre vërtet peshë është që paratë – zakonisht katër dollarë në orë – të paguhen në kohë. Çfarë ishte dikur aktivizëm qytetar gjatë ditëve të Revolucionit Portokalli, sot është aktivizëm mercenar. Demokracia nuk përfaqëson më politikën, por është bërë një propozim biznesi.


Natyrisht, ka arsye të thuhet se Bullgaria dhe Ukraina janë shembuj të skajshëm të zhgënjimit me demokracinë. Por është njëlloj e vërtetë se gjendja shpirtërore e votuesve bullgarë dhe ukrainas dëshmon një prirje më të gjerë. Gjatë tre dekadave të fundit, njerëzit anembanë botës kanë votuar më shumë se kurdoherë më parë, por në një numër të madh vendesh të Europës shumica e njerëzve nuk mendojnë më se vota e tyre ngre vërtet peshë. Ka një prirje shekullare për ulje të numrit të votuesve në pjesën më të madhe të demokracive Perëndimore, dhe njerëzit që kanë më pak gjasë të votojnë janë të varfrit, të papunët dhe të rinjtë – me një fjalë, pikërisht ata që do të ishin më të interesuarit për të përmirësuar fatet e tyre. Rënia dramatike e besimit që prej viteve 1970 ilustrohet qartë nga fakti që kushdo nën moshën 40-vjeçare, në pjesën më të madhe të shoqërive Perëndimore, e ka kaluar krejt jetën e vet në një vend ku shumica e qytetarëve nuk i zënë besë qeverisë së tyre.


Kështu, edhe pse duket sikur parimet demokratike kanë fituar truall anembanë, dhe në një kohë që numri i demokracive në botë vjen duke u rritur (Libia dhe Egjipti janë nga më të fundit), besimi në pjesët përbërëse të një demokracie – partitë, zgjedhjet, parlamentet, qeveritë – ka marrë seriozisht tatëpjetën. Prof. Mary Kaldor dhe ekipi i saj në London School of Economics kryen, tani vonë, një studim për burimet e lëvizjeve të reja të protestës në Europë. Rezultatet tregojnë se shumë prej pjesëmarrësve nuk janë aq duke protestuar kundër politikave qeveritare specifike sa ç’janë duke shprehur bindjen e përgjithshme se institucionet demokratike në shumë demokraci Perëndimore janë kapur nga interesa të fuqishme, dhe se qytetarët nuk janë në gjendje të ndryshojnë asgjë. Nuk është për t’u habitur se, në këto kushte, një numër njerëzish në rritje priren të votojnë për parti të protestës ose ekstremiste. Populizmi i ri që po hedh shtat në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara nuk përfaqëson, megjithatë, aspiratat e të shtypurve, por më tepër frustrimin e të pushtetshmëve. Ky nuk është populizëm “i popullit” të hipnotizuar nga imagjinata romantike e nacionalistëve, siç ishte rasti një shekull e ca më parë. Ky është populizëm i një shumice pesimiste dhe të kërcënuar, e cila druhet se rrokullima e saj demografike do të çojë edhe në humbje të pushtetit. Me fjalët e teoricienit politik amerikan Mark Lilla, “U jep zë atyre që kujtojnë se po i nëpërkëmbin, por ky zë thotë veç një gjë, si Greta Garboja: Më lini rehat”.


Megjithëse ekspertët kanë vendosur se njerëzit e kanë humbur besimin te demokracia, gjetiu në botë qytetarët kanë dalë rrugëve për të kërkuar të drejtën e tyre për vetëqeverisje. Pikërisht në kohën kur Bojkoja po i rentonte turmat klasës politike ukrainase për katër dollarë orën, dhjetëra mijëra përfaqësues të shtresës së mesme në Moskën e Rusisë së Putinit – ose ata që fitojnë normalisht të paktën 20 dollarë orën –dolën rrugëve me bindjen se zgjedhjet e lira dhe të paanshme janë shansi i vetëm i Rusisë, për një të ardhme më të mirë. Në botën arabe, miliona njerëz kanë mësyrë barrikadat, për të kërkuar një qeveri demokratike dhe të përgjegjshme. Sa për bullgarët, këta vërtet mund të mos kenë shumë besim te demokracia, por ama nuk besojnë as edhe në alternativat. Çdo histori frustrimi dhe dëshpërimi kundërpeshohet nga një shembull energjish dhe kurajoje civike. Në analizë të fundit, je ti vetë, lexues i dashur, që e vendos nëse do të ligështohesh apo do të frymëzohesh. Ti vetë e vendos nëse demokracia është në krizë.
 
 
Iluzioni i transparencës
 
Ai tipi me pushkën në njërën dorë dhe fletë-votimin në tjetrën simbolizonte mbërritjen e demokracisë në Francë sepse ishte, në të njëjtën kohë, edhe francez edhe punëtor; përfaqësues i një kombi dhe pozicion social i përfshirë në luftën e klasave...
 
Ai e dinte edhe se kush do t’i dilte krah në barrikadat, do të ishte edhe ai punëtor dhe francez, me një ide të qartë në kokë për armikun. Pushka e tij nuk ishte vetëm simbol i të drejtave të tij kushtetuese, por edhe provë se qytetari i ri demokratik ishte gati të mbronte edhe atdheun, edhe interesat e tij klasore. Ai e dinte se fuqia e votës së tij varej nga fuqia e zjarrit të pushkës së tij. Fletë-votimi i tij ishte vite dritë larg votave të bardha të hedhura nga qytetarët e pakënaqur të romanit të Saramagos – një protestë konceptuale, pa vizion të ndryshimit. Fletë-votimi atëherë ishte armë e mëtejshme, sepse zgjedhjet ishin një formë e qytetëruar e luftës civile. Zgjedhjet nuk ishin thjesht mekanizma për të ndërruar qeveritë. Ishin vegla për ta ribërë botën.


Telefoni inteligjent i kudogjendur sot mund të mos jetë pushkë, por mund të qëllojë edhe ai, në mënyrën e vet. Mund të dokumentojë abuzime të pushtetit dhe t’i bëjë publike. Mund të lidhë njerëz me njëri-tjetrin dhe t’u japë zemër. të kontrollojë, në kohë reale, pretendimet e ndryshme dhe deklaratat që bëjnë politikanët, që nga çështjet politike më jetike te anekdotat personale më pak të rëndësishme. Kur kandidati republikan për zv. President Paul Ryan e “harroi” kohën e maratonës së vet të parë – duke pretenduar se e kish përfunduar për më pak se tre orë, në një kohë që i ishte dashur më shumë se katër orë – “gabimi” i tij menjëherë bëri që publiku të dyshonte për besueshmërinë e tij. Jo se politikanët nuk mund t’i gënjejnë më njerëzit, por vetëm se tani ata rrezikojnë që t’u dalë shumë shpejt kallaji. Ndikimi i stërmadh i uebsajteve fakt-kontrolluese gjatë fushatës presidenciale të fundit në ShBA ilustron në mënyrë klasike fuqinë e telefonit inteligjent për të zhvarrosur të vërtetën – ose të paktën për të pretenduar se po ia prezanton publikut të vërtetën faktike.


Telefoni inteligjent i ndihmon qytetarët edhe të flasin dhe të shprehin pikëpamjet dhe opinionet e tyre. Ata mund të telefonojnë, të dërgojnë e-mail dhe t’i tweet-ojnë gjykimet e tyre dhe, kësisoj, të kontribuojnë në një bisedë politike më të gjerë, në kohë reale. Secili prej debateve midis dy kandidatëve në zgjedhjet e fundit presidenciale në ShBA gjeneroi, vetëm gjatë sesionit të debatit, mbi 7 milion tweet-e. Jeta në epokën e Twitter-it mund të mos jetë më e ndriçuar, por të paktën është shumë më zbavitëse.


Por, çfarë ka kushedi edhe më rëndësi, qytetarët tani mund t’i përdorin telefonat inteligjentë për të mobilizuar aksionin publik dhe për t’u kërkuar qytetarëve të tjerë të dalin në rrugë dhe të mbrojnë kolektivisht interesat e tyre. Pranvera arabe ishte manifestimi më kuptimplotë i aftësisë së qytetarëve të armatosur me telefona inteligjentë për të përmbysur tiranët dhe për të bërë histori. Telefonat inteligjentë nuk mund të lëndojnë as të vrasin, por ata ua bëjnë më të kushtueshëm qeverive ushtrimin e dhunës. Në të njëjtën kohë, Pranvera Arabe tregoi se fuqia e telefonit inteligjent ka kufizimet e veta domethënëse. Personi me telefon inteligjent asnjëherë nuk e di se kush mund t’i përgjigjet thirrjes së tij për veprim politik. Ai mund të ketë miq në Facebook, por i mungon një komunitet politik i mirëfilltë dhe udhëheqësit politikë. Mund të tweet-osh revolucionin, por nuk mund të tweet-osh tranzicionin. Siç e treguan zhvillimet në terren, fitues të zgjedhjeve post revolucionare në Lindjen e Mesme dolën partitë politike islamiste që u mbështetën në strukturat partiake tradicionale dhe ideologjitë e qarta.


Gjendjen tonë demokratike sot e simbolizon personi me telefon inteligjent në njërën dorë dhe fletë-votimin e bardhë në tjetrën. Mirëpo ky person nuk është se i përket ndonjë klase ose grupi etnik të caktuar; dhe fleta e votimit nuk është më armë në dispozicionin e tij. Ne nuk mendojmë më për barrikada dhe nuk e kemi të qartë se cilët janë “shokët” dhe cilët armiqtë. Edhe fletë-votimi edhe telefoni inteligjent janë instrumente kontrolli, jo instrumente për të zgjedhur. Frika reale e votuesit me telefon inteligjent është se personi për të cilin ai do të votojë do t’u shërbejë vetëm interesave të veta egoiste. Qytetari me telefon inteligjent nuk përballet me zgjedhjet ideologjike të rrepta si pararendësit e tij. Ndonëse opsionet janë shtuar në mënyrë dramatike gjatë dekadave të fundit, në politikë ka ndodhur e kundërta. Për qytetarin e djeshëm, të rreshtuar politikisht, ndërrimi i partisë ose i kampit politik ishte po aq i pamendueshëm sa edhe ndërrimi i fesë. Sot, përkundrazi, të zhvendosesh nga e Majta në të Djathtë ose anasjelltas është po aq e thjeshtë sa edhe të kapërcesh kufirin midis Francës dhe Gjermanisë – përmes një autostrade me shpejtësi të madhe dhe pa kontroll pasaportash.


Atëherë, qytetari me telefon inteligjent përfaqëson pushtetin që kemi fituar, apo pushtetin që kemi humbur?A duhet të na marrë malli për politikën ideologjike, apo duhet të ndihemi të çliruar prej saj?Dhe a mund t’i zëmë besë telefonit inteligjent si instrument të ri efektiv në mbrojtje të së drejtave tona?
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama