Plot 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle u firmosën nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës në mbledhjen e mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, e dyta e përbashkët mes dy shteteve pas asaj të 11 janarit 2014.
Marrëveshjet e firmosura nga ministrat respektivë të Kosovës dhe Shqipërisë, konsistojnë në thellimin e partneritetit strategjik në fushën e sigurisë, ekonomisë, arsimit,, bujqësi, kulturë, si dhe në lehtësimin tregtar mes dy vendeve, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se dokumenti për partneritetin strategjik, ka një rëndësi historike jo vetëm për vendin tonë por edhe për rajonin. Bushati vuri në dukje se destinacioni i dy vendeve është Bashkimi Evropian.
Rama: Nga ky sezon veror, jo më radhë në pikat e kalimit kufitar. Lehtësi edhe për tregtarët, njohim reciprokisht dokumentet
Në një konferencë të përbashkët për mediat, krerët e dy qeverive prezantuan para publikut marrëveshjet e firmosura në mbledhjen e përbashkët të kabineteve të qeverive Shqipëri-Kosovë. Kryeministri Edi Rama tha se duke nisur nga ky sezon veror qytetarët nuk do të provojnë më radhë në pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve. Po ashtu lehtësi do të kenë edhe tregtarët që shkëmbejnë mallra mes dy vendeve
“Çdo pikëkalimi drejt Shqipërisë, kam parasysh pikën kryesore në rrugën e Kombit në një pikë pa radha ku kontrolli të bëhet i rastësishëm ashtu siç bëhet në kufi të BE përshembull me Zvicrën. Morëm në shqyrtim hapat e domosdoshëm për bashkëpunimin ekonomik, nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë, firmosëm memorandum mirëkuptimi mes ministrive të financave, shtuar këtu edhe vendosja e piketave të mëtejshme për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë . Jemi të vendosur që brenda vitit ti heqim barrierat e natyrës administrative dhe të njehsojmë dokument e nevojshëm tregtarë për tregtinë që të mos punojnë me dy palë dokumente kur është fjala për shkëmbimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral ku është e domosdoshme të veprojmë me shpejtësi dhe do ta bëjmë këtë për të njohur reciprokisht, burimet e certifikimit”, u shpreh Rama.
Rama tha se ministritë e Arsimit të dy vendeve firmosën marrëveshje për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë. Ndërkohë, shtoi ai, “ecim më tej me unifikimin e sistemit tonë arsimor, një angazhim themelor në rrugën e bashkimit të institucioneve të dy shteteve tona për të funksionuar si një forcë e vetme në shërbim të një populli”.
Po ashtu, dy qeveritë arritën një deklaratë të përbashkët në fushën e zhvillimit të zonave ndërkufitare. Kjo sipas Ramës, “do t’i japë një shtysë të fortë konkrete projekteve që do të dinamizojnë ekonominë në zonat kufitare dhe do të krijojnë modele të integruara të zhvillimit ekonomik e social mes shqiptarëve në dy anët e vijës kufitare në funksion të një transformimi të rëndësishëm”.
Rama: Pas Milanos, së shpejti konsullatë e përbashkët Shqipëri-Kosovë edhe në Mynih
Së shpejti Shqipëria dhe Kosova do të kenë konsullatë të përbashkët edhe në Mynih. Pas hapjes së konsullatës së përbashkët në Milano, si finalizim i marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e janarit të 2014-ës në Prizren, Rama tha se unifikimi diplomatik mes dy vendeve do të vijojë edhe më tej.
“Guxuam me konsullatën e përbashkët në Milano dhe së shpejti do të hapet konsullatë e përbashkët në Mynih. Reagimi pozitiv i qytetarëve tanë na imponon të shkojmë më tutje në këtë proces dhe të vazhdojmë të unifikojmë shërbimin tonë diplomatik edhe me më kurajë edhe me më shpejtësi”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Rama shpjegoi se qëllimi parësor i politikave të përbashkëta është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve, “i cilësisë së të jetuarit në hapësirën tonë të përbashkët ku administrimin e bëjnë dy shtete por ku aspiratat dhe interesat janë absolutisht të përbashkëta”, përfundoi ai.
Mustafa: Marrëveshje të rëndësishme në çdo aspekt mes dy vendeve
Kryeministri Isa Mustafa tha se mes dy qeverive janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi dypalëshe që synojnë zhvillimin e përbashkët të të dy vendeve në çdo aspekt përmes politikave dhe synimeve të përbashkëta.
“Ne nënshkruam disa prej marrëveshjeve të rëndësishme për ne, por po fillojmë të zgjidhim edhe shumë nga problemet që shqetësojnë qytetarët tanë. Janë edhe disa nga zhvillimet kulturore dhe sociale, që i përkasin edhe arsimit që domosdoshmërish të ja japim fëmijëve tanë dhe bashkë atdhetare anembanë botës që të kenë zhvillime kulturore. Sot nënshkruam 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle që zona ndërkufitare me Shqipërinë ta lidhim edhe më tepër, që të ofrojmë shërbime publike, në arsim dhe shëndetësi. Ne e konsiderojmë të rëndësisë së veçantë marrëveshjen në fushën e sigurisë, që do të mundësojnë lëvizjen shumë më të lehtë të qytetarëve, një kontroll më të madh, por edhe një kontribut më të madh sigurisë së dy vendeve por edhe në rajon. Në fushën e ekonomisë ka mundësi që të përfitojnë më shumë dy vendet tona. baza e kësaj është marrëveshja në fushën e financave, që do të mundësojë edhe marrëveshje të tjera. E konsideroj që është arritur mjaft nga të dyja palët për të arritur deri këtu. Shpreh gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin, dhe po bashkarish të kryejmë punët tona edhe në Bruksel.” u shpreh Mustafa
Palët kanë firmosur 11 marrëveshje:
1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.
3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Memorandum i Mirëkuptimit“Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
10. Memorandum “Mbi bashkepunimin ne fushen e bujqesise dhe zhvillimit rural”.
11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.