Model. Kështu u quajt katalogu me portrete në laps dhe karbon i promovuar dje nga Sead Kazanxhiu. Ekspozita me të njëjtin titull është zhvilluar një vit më parë edhe në Budapest. “Model” përfshin 29 portretet e romëve më të njohur në botë. Ka qenë artisti rom, ai që i ka mbledhur këto portrete në një ekspozitë dhe në një katalog të vetin. “Shekulli” ua ka prezantuar edhe më parë Seadin. Për të gjithë ata që nuk i kanë lexuar përpjekjet e tij, në njohje të së drejtave dhe sensibilizimit për barazi kundrejt romëve dhe joromëve, ne ua përcjellim sërish, por me një punë ndryshe, edhe më voluminoze. Portretet e romëve më të njohur në të gjithë botën janë realizuar në laps dhe karbon mbi letër të ricikluar. Ato gjenden në Budapest, aty ku edhe u ekspozuan, pasi i gjithë koleksioni mendohet të blihet nga “Soros”. Në këtë intervistë, Seadi do të na rrëfejë përpjekjen e tij për t’i sjellë këto personazhe edhe në Shqipëri si një lloj paraqitjeje ndaj komunitetit të cilit ai i përket. Sepse, sipas tij, megjithëse të gjithë shohim dhe përballemi me romë në jetën e përditshme, nuk ka ende interes ndaj këtij komuniteti.
Sead, keni punuar shumë për realizimin e këtij koleksioni?
Janë 29 portrete dhe në fakt nuk janë pak. Sigurisht, që kam punuar. Por, nuk di të them sa kohë më ka marrë ky projekt, pasi njëkohësisht kam punuar edhe për instilacionin që simbolizon përpjekjet e romëve për të mos u diskriminuar. Jam përpjekur që këto portrete të përcjellin qartë idenë e spontanitetit, idenë e atij momentit që lind befas, ashtu si edhe ka lindur ideja e këtij koleksioni.
E meqenëse përmendët instilacionin, a mund të na thoni diçka më shumë. Si po ecën puna?
Rrota e lartë 2 metra dhe e gjatë 4 metra ka vetëm pak ditë që ka përfunduar. Është gati që të marrë jetë diku në Tiranë. Edhe pse kam disa muaj që kërkoj pak vëmendje nga Bashkia e Tiranës, ende nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ky institucion. Rrota e punuar në metal të jep përshtypjen e një rrote në lëvizjeje. Është lëvizja drejt asaj që duhet kërkuar nga romët. Dhe unë po lëviz, në fakt. Pres vetëm një përgjigje, një vend për monumentin rom, një vend për romët.
Të rikthehemi tek katalogu që po prezantoni sot. Pse nuk mund t’i prekim portretet?
Nuk mundeni sepse ato janë në Budapest. Siç duket nuk duan të vijnë në Shqipëri. Kanë frikë se mos këtu nuk i kushtojnë aq shumë vëmendje sa ata janë mësuar të marrin. (Qesh). Bëj shaka. Të 29 portretet janë aty sepse për këtë koleksion ka pasur disa oferta për ta blerë. Deri më tani oferta më e mirë që më kanë thënë është ajo e Soros-it. Nuk munda t’i sjell në Shqipëri, por ama po jua prezantoj me anë të këtij katalogu.
Cilët janë këto personazhe?
Tony Gatfil është regjisor filmash dhe dramaturg. Ai ka lindur në Algjeri, por më vonë, në 1960, kur ishte 12 vjeç emigroi në Francë. Në vitin 2004, Gatfil mori çmimin e regjisorit më të mirë në Festivalin e Filmit të Kanës për filmin e tij “Exils”. Portreti i dytë është ai i Django Reinhardt, një kompozitor rom nga Belgjika. Muzika e tij jazz ka qenë e preferuara e Eric Clapton, Jimmy Page, Jeff Beck etj. Pavarësisht paralizës së dy gishtave nga një djegie në vitin 1938, Reinhardt mësoi t’i binte kitarës edhe ashtu. Portreti i tretë është ai i Charles Chaplin, personaliteti më kreativ dhe më me ndikim i zhanrit të filmit pa zë për 75 vjet. Vjen pastaj, Mateo Maximoff, një shkrimtar francez dhe pastor ungjillor rom. Ai ka përkthyer për herë të parë Dhjatën e Re në gjuhën rome. Ka shkruar shumë libra, 11 prej të cilëve janë përkthyer në 14 gjuhë të botës. Një promovues tjetër i gjuhës rome është edhe Marcel Courthiade. Është hartues i standardizimit ndërkombëtar të drejtshkrimit të gjuhës rome. Nga këngëtarët, kompozitorët dhe tekstshkruesit më të njohur rom kam zgjedhur Esma Rexhepovën, Cijia Stoikën, Zarko Jagdinon dhe Sofi Marinovën. E para është një nga këngëtaret më të njohura në të gjithë botën.
Esma ka dhënë më shumë se 9000 koncerte në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe në Shqipëri. Ajo njihet edhe si nëna kujdestare e 47 fëmijëve, duke fituar kështu çmime edhe për humanizmin e saj. Cijia, përveçse këngëtare ka qenë edhe një shkrimtare. Ka shkruar një libër biografik, i cili theu heshtjen në lidhje me përpjekjet e nazistëve për shfarosjen e romëve në Austri. Nga komuniteti rom njihen edhe futbollistë. Unë kam zgjedhur të pikturoj portretet e Ricardo Bernardos, Banel Nicolitas, i cili luan me Saint Etienne dhe ekipin kombëtar rumun. Në kuvendin te republikës së Maqedonisë, ka shërbyer me dy mandate edhe një rom, portretin e të cilit mendova t’ia bashkëngjis koleksionit. Faik Abdi, ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe në Kongresin e Parë Botëror Rom, në Londër në vitin 1971.
Një portret tjetër është ai i Ferdinand Kocit, i cili ishte romi i parë që u ndoqi shkollën e artit në Tiranë. Tani ai jeton në Londër dhe është pjesë e seminareve në universitetet e artit aty. Nuk dua të lë pa përmendur Robert Hoskins, Jozsef Choli Daoczi, Vejio Baltzar, Bronislawa Wajs dhe Menyhert Lakatos. Të gjithë këta kanë kontribuuar në një jetë më të mirë të romëve, përmes botimeve dhe fjalimeve të tyre. Vazhdon koleksioni me Juan de Dios Ramirez Hereida, një politikan rom nga Spanja, i diplomuar në shkencat juridike dhe gazetari aq shkëlqyeshëm sa fitoi në 2008-n titullin Doctor Honoris Causa. Po përmenden edhe të fundit, duke shpresuar të mos kem harruar ndonjë si Emil Scuka, Schack Krogh, Latif Kazanxhiu apo Philomena Franz, e cila është një nga romet që ka i ka shpëtuar vdekjes në kampin e Aushvicit dhe që së fundmi është nderuar me Kryqin Federal të Meritës, çmimin më të madh që Gjermania ofron. Presidentin më të njohur rom nuk kisha si të mos e bëja pjesë të koleksionit tim. Ai është Juscelino Kubitschek de Oliviera, një rom i shquar brazilian, madje edhe president i Brazilit në vitet 1956- 1961. Ai e transformoi Brazilin në një fuqi industriale duke i dhënë krahë industrisë së automobilave dhe duke u konsideruar brenda vendit si babai i Brazilit modern. Të fundit, po ju them emrin e Shaban Bajramoviç, këngëtarin më të njohur në Ballkan.
Arti vizual i romit shqiptar
Ai është djali që përdor trashëgiminë e vet kulturore, atë rome si një mënyrë për të kuptuar vizionin e një arti plastik dhe ekspresiv. Seadi ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Studimet për pikturë i mbaroi në vitin 2010, vit në të cilin aplikoi për studime në Hungari. Kur ishte ende student në Akademinë e Arteve, një nga punimet e tij u përzgjodh për të qenë pjesë e një ekspozite në New York. Në 2012-n, ai kthehet në Shqipëri, i diplomuar për anglisht në Central Europian Academy, një universitet amerikan në Budapest. Aty u njoh me të rinj të tjerë rom. Një mbrëmje poetike e realizuar atje, e solli të riun rom në Shqipëri me ide dhe projekte të reja. Ka udhëtuar shumë, në Gjermani, Itali, Spanjë, etj., por asnjëherë nuk e harron vendin në të cilin ka lindur. Kthehet sërish këtu. Tani, Seadi është rezident artistik në projektin “Roma Iniciative”.
Studioja, dyert e së cilës ishin të hapura dje pasdite, është një nga idetë e shumta që Seadi ka mundur të realizojë këtë vit. Në muajin shkurt, ai na prezantoi një studio plot me piktura të përmasave relativisht të mëdha. Ishte art pa ngjyra, bardh e zi. Këto piktura na prezantonin objekte shumë të njohura nga familjet shqiptare. E nëse nuk e mbani mend ekspozitën e tij të parë pas rikthimit në Shqipëri, me siguri që e mbani mend djalin që doli përballë Parlamentit me tetë rrota, tetë goma zetorësh të gjitha të ngjyrosura me ngjyrat e flamurit rom, e kuqe, jeshile dhe blu. Po për këtë komunitet ai ka realizuar edhe një punim tjetër. Është një rrotë e lartë 2 metra dhe e gjatë 4 metra. E gjitha e punuar në metal. Dëshiron që ta vendosë atë diku në një cep të Tiranës, por ka një muaj që nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucioni i Bashkisë. Rrota e punuar në metal të jep përshtypjen e një rrote në lëvizjeje. Është lëvizja drejt asaj që duhet kërkuar nga romët. Ai mendon se arti është një mënyrë shumë e mirë komunikimi dhe lëvizjeje.
“Të lumshin duart” prezanton realitetin shqiptar
Ekspozita “Të lumshin duart” e artistes amerikane Elizabeth M. Claffey është hapur në galerinë Zeta. Claffey ka udhëtuar nëpër gjithë Shqipërinë prej një viti, duke fotografuar jetën e shqiptarëve. 20 fotot që ka përzgjedhur për t’u ekspozuar, servirin këndvështrimin e artistes mbi eksperiencën e saj në vendin tonë. Ekspozitën e fotografive të realizuara nga veriu në jug të vendit e ka titulluar “Të lumshin duart”. “Kam vendosur si titull “Të lumshin duart” sepse pas çdo shkrepje njerëzit më thoshin këtë shprehje që unë nuk e kisha dëgjuar më parë, sepse në vendin tim nuk e përdorim. Pavarësisht se publiku nuk gjen asgjë tek imazhet që ta meritojë këtë titull”. Imazhet që artistja amerikane ka fiksuar në aparatin e saj mbartin problemet e mëdha sociale, që nga sistemi shëndetësor e deri tek rrënimi i ambienteve turistike. Në fotografitë e Claffey-s shfaqet jeta e njerëzve në zonat rurale, por dhe jeta e atyre që banojnë vetëm pak km larg qendrës. "Unë besoj tek rrëfimi i ngjarjeve dhe lidhja që krijohet vizualisht. Mendoj që sidomos sot, kur çdo gjë zhvillohet me hapa të shpejtë, interesi im në fotografi është të ngadalësoj hapin duke u marrë me subjektet e mia. Kështu, jo vetëm krijoj një histori që më pasurojnë jetën, por edhe të respektoj eksperiencën e tyre jetësore. Çdo eksperiencë multikulturore do të jetë komplekse dhe shumëdimensionale, kjo është si një lloj dritareje në eksperiencën time shqiptare", shprehet Claffey. Imazhet e saj servirin një hetim vizual në kulturën bashkëkohore shqiptare, duke pasqyruar individë, peizazhe dhe sende të cilat sipas saj janë pjesë e pandashme e një ekzistence njerëzore sa të ngjashme aq edhe të ndryshme nga ajo e vendit të saj. Si artiste, Elizabeth M.Claffey punon me një sërë mediumesh nga fotografia te instilacionet dhe punët konceptuale. Ekspozita mund të vizitohet nga artdashësit deri në datën 17 korrik. v.d.
Washington Luis
Ai ka qenë presidenti i Brazilit në vitet 1926-1930. Familja e tij ishte nga Portugalia. Lindi në Rio de Janeiro në 1869-n dhe më pas u shpërngul në Sao Paulo, ku u bë edhe avokat. Është zgjedhur si guvernator i Sao Paulo-s në vitin 1920 dhe gjashtë vite më vonë president i republikës së parë braziliane.
Yuliy Borisovich
Lindi më 1920 dhe vdiq në 1985. Yuliu është një rus i lindur për skenën. Ishte aktor filmi dhe është njohur për portretin e tij të Mongkut, mbret i Siamit, në muzikalin “Mbreti dhe unë”. Ky film muzikor i dha atij çmimin Oskar, si aktori më i mirë. Këtë rol Yuli e luajti më shumë se 4500 herë në skenë.
Ian Hanock
Lindi në 1942 në Mbretërinë e Bashkuar. Është gjuhëtar, studiues dhe një nga kontribuuesit kryesorë në fushën e studimeve rome. Sot është drejtor i Qendrës së Dokumentimit dhe Arkivave rome në universitetin e Teksasit, ku punon edhe si profesor i gjuhës angleze, gjuhësisë dhe studimeve aziatike që prej vitit 1972. Ai ka përfaqësuar komunitetin rom në Kombet e Bashkuara dhe ka qenë anëtar i Këshillit të Holokaustit në SHBA nën presidencën e Bill Klintonit. Në vitin 1997, ai u pranua në çmimin Rafto për të Drejtat e Njeriut në emër të Komunitetit rom.
Victoria Mohasci
Victoria ka lindur në vitin 1975 në Hungari. Nga viti 2004 deri në 2009-n, a jo ka qenë anëtare e Parlamentit Europian. Në vitin 2008, asaj iu dha çmimi “Minerva”, në Romë, për të gjitha aktivitetet e saj në mbrojtjen e të drejtave të romëve. Në 21 tetor të vitit 2010, Mohasci, e cila kryesonte në dokumentimin e dhunës ndaj romëve në Hungari, fitoi çmimin e të Drejtave të Njeriut në New York.