Ja cdo te ndodhe ne Shqiperi nese importohen plehrat

Ja cdo te ndodhe ne Shqiperi nese importohen plehrat
Çështja e importit të mbetjeve në Shqipëri nuk është një risi e kohëve të fundit. Në Shqipëri dukej se importoheshin mbetje të rrezikshme që nga koha e regjimit të Enver Hoxhës. Një ish-funksionar ka deklaruar se ishte në dijeni të importit të sasive të ndryshme me ushqim të skaduar dhe duhan, të cilat silleshin dhe varroseshin në territorin shqiptar.

Riciklimi sot dhe debatet

Aktualisht, në Shqipëri industria e riciklimit është një risi e viteve të fundit, por disa shoqëri tanimë kanë marrë lejet për të ndërtuar impiantet e riciklimit Çdo lloj legjislacioni i prodhuar në Shqipëri që prej vitit 1990 e ka lejuar importin e mbetjeve jo të rrezikshme. Në vitin 2002, kur në fillim qeveria socialiste dhe më pas Parlamenti shqiptar i dominuar nga të majtët miratuan ligjin 8934 “Për mbrojtjen e mjedisit”, ku lejohej importi i çdo lloj mbetjeje me qëllim përdorimi, përpunimi e riciklimi. Në vitin 2003, me miratimin e ligjit 9010 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, ku lejohet importi për të gjitha qëllimet e tjera, sikurse rikuperimi i energjisë, përpunimi dhe riciklimi. Ligjet e mësipërme janë votuar nga të gjithë deputetët e koalicionit të majtë të legjislaturës 2001-2005. Pas problemeve të shumta është vendosur që të mos hartohet një draft shqiptar, por të importohet dhe të përkthehet një draft i ngjashëm. Pas shumë ndryshimesh dhe përshtatjesh, drafti mori një formë pothuajse përfundimtare në shtator 2010. Ai u kthye në një projektligj nga qeveria dhe u dërgua në parlament për diskutim. Pas kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca e vonoi miratimin e tij. Edhe pse projektligji ka bosh vendin ku shënohet data e saktë, viti i shkruar është 2009. Specialistët e mjedisit e kanë cilësuar këtë ligj si një vazhdim të atij të miratuar nga qeveria “Nano” në vitin 2003. Madje Nano nisi edhe një projekt konkret në vitin 2004, por kundërshtimi i shoqërisë civile dhe i kryeopozitarit të asaj kohe, Sali Berisha, bëri që marrëveshja të lihej pezull.

A është ky i sotmi një debat i ri?

Sot po përsëritet thuajse i njëjti debat me atë të një viti më parë, kur një pjesë e shoqërisë civile kundërshtoi Vendimin Nr. 99 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listës së mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, përpunimi dhe riciklimi”, ndërsa pjesa e mbetur e mbështeti atë duke kërkuar njëkohësisht këshillimin publik për çdo sasi që do të importohej në të ardhmen dhe masa më të forta kontrolli nga të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces. Bazuar në legjislacionin e mëparshëm, deri në tetor të vitit 2010, në Shqipëri mund të hynin 434 elemente të listës së mbetjeve që klasifikoheshin si të parrezikshme. Pas tetorit 2010, me nxjerrjen e vendimit të sipërpërmendur, numri i elementeve të parrezikshme që mund të futeshin në Shqipëri u reduktua në vetëm 55, të gjitha pjesë e asaj çka njihet si Lista e Gjelbër europiane, listë kjo e përbërë nga elemente që konsiderohen si të parrezikshme për mjedisin dhe shëndetin.

Debatit aktual

Drafti i parë i ligjit për importin e plehrave në Shqipëri ka nisur të hartohet që në vitin 2009. Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, u miratua nga Kuvendi më 22.9.2011, në këtë kohë ai hasi kundërshtime nga opozita dhe u kthye për rishqyrtim nga Presidenti.Ky i fundit riktheu mbrapsht në Kuvend ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”duke bërë të ditur me dekret qëndrimin e tij institucional, ku thuhet se “rikthimi i ligjit në Kuvend bëhet pasi ka mospërputhje dhe dispozita jashtë objektit të vetë ligjit”. Konkretisht, kreu i shtetit ka shprehur kundërshtinë parimore kundër nenit që lejon importin e mbeturinave urbane ose ndryshe plehrave në Shqipëri. Ligji që Presidenti Topi do të rikthehet edhe një herë në Parlament. Në vijim, komisionet përkatëse do të marrin në shqyrtim argumentimet e kreut të shtetit. Nëse nuk shihet nevoja për ndryshim, ligji kalon në Parlament, i cili ka të drejtë ta miratojë pa asnjë ndryshim

Marrëveshja e Aarhus-it

Gjykata në Çështje Mjedisore (i njohur si Konventa e Aarhusit) u miratua në qershor 1998 në qytetin e Aarhusit, në Danimarkë. Konventa ka hyrë në fuqi më 30 tetor 2001 dhe deri më sot, kjo pjesë e veçantë e legjislacionit është ratifikuar nga 44 Palët, duke përfshirë dhe Komunitetin Evropian. Konventa e Aarhus-it është një tip i ri marrëveshjeje në fushën e mjedisit. Ajo lidh të drejtat mjedisore me ato të njeriut. Konventa përqendrohet në bashkëveprimin midis publikut dhe autoriteteve qeveritare në një kontekst demokratik për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm përmes përfshirjes së të gjithë aktorëve.

Shqipëria e cila mori pjesë aktive në Grupin e Punës UNECE, duke zhvilluar negociata. Qëllim i konventës është që të kontribuojmë në mbrojtjen e të drejtës së çdo individi të brezave të sotëm e të ardhshëm, për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij. Garanton të drejtën e publikut,për të patur informacion për mjedisin, për të marrë pjesë në marrjen e vendimeve mjedisore. Tre shtyllat kryesore të kësaj konvente janë:

1) E drejta e publikut për të patur e për të kërkuar informacion mjedisor;
2) E drejta e publikut për të marrë pjesë në vendimmarrjet publike për çështje të mjedisit;
3) E drejta e publikut për t’u ankuar në gjykatë për çështje të mjedisit.
Grupe të ndryshëm individësh dhe ekspertësh kanë mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me këtë nisëm.

Shqipëria, një nga vendet më të ndotura të Europës

Sipas statistikave Shqipëria, një nga vendet më të ndotura të Europës. Kjo është vetëm maja e ajsbergut të një problemi që shqetëson Shqipërinë më shumë se 20 vjet. Plehrat grumbullohen pa kriter në periferi, dhe administrimi i tyre brenda qyteteve është i mjeruar. Në bazë të statistikave të bëra publike nga OJF me karakter mjedisor, Shqipëria është një nga vendet më të ndotura të Europës. Shqipëria është vetëm 28 mijë km2 me 3.5 milionë banorë,industria e riciklimit të plehrave nuk egzistonë duke bërë të mundur që një sasi e madhe e mbetjeve vendase grumbullohen në periferi të qyteteve. Ky realitet që egziston në shqipëri bie ndesh me nismën e ndërmarrë. I vetmi institucion që mund të kontrollojë objektet për dozën e rrezatimit radioaktiv në Shqipëri është Instituti i Fizikës Bërthamore.

Berisha: Berisha dhe Topi po krijojnë partinë “Aleanca e Plehut”

Të importohen ose jo, kjo është çështja. Miratimi i ligjit për menaxhimin dhe importin e mbetjeve në Shqipëri është kthyer tashmë në një çështje që ka ngjallur debat jo vetëm në nivelet e strukturave shtetërore por edhe tek qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Nga ky debat janë krijuar dy grupime,ata që e mbështesin miratimin e këtij ligji dhe ata që lobojnë kundër tij. Këta të fundit ngrenë një sërë shqetësimesh dhe pikëpyetjesh në lidhje me pasojat që mund të sjelli importi i mbetjeve në Shqipëri.

Berisha

Ndërkohë dje kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kreun e shtetit se e ktheu ligjin e mbetjeve për qëllime politike. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se ata që ndjekin “Aleancën e Plehut” do e gjejnë veten të dëshpëruar. “Shfrytëzoj mbledhjen për tu ndalur në një moment të veçantë, të kthimit të ligjit për menaxhimin e mbetjeve nga Presidenti i Republikës, në Parlament, Kushtetuta e vendit përcakton në mënyrë të qartë të drejtën dhe kompetencën e Presidentit për të firmosur, ose për të kthyer ligjet, në këtë kontekst ne kemi trajtuar dhe do trajtojmë në mënyrë Kushtetuese çdo qëndrim që mbahet ndaj ligjeve të vendit, votuar në Parlament nga Presidenti i Republikës. Dua të them, se qëndrimi ndaj këtij ligji, është në alfa tek omega politike. Në Aleancën e Plehut, ata që mashtrojnë shqiptarët do ta gjejë veten të dëshpëruar.” – theksoi Berisha. Berisha akuzoi kundërshtarët politik se po përdorin ligjin e mbetjeve për të fituar vota. “Ju them zotërinjve që flasin me pasion për mjedisin, se të fillosh dy vjet më parë fushatën për të krijuar partinë e Aleancës së Plehut dhe të katandiset gjer tek mbetjet është mjerim i madh politik. Asnjë nuk e dënoi këtë, sepse këta rrëmojnë në plehra për të gjetur vota. Unë ju them, se nëse i shtroni çështjen në këtë mënyrë, pushteti juaj nuk kthehet më kurrë, ai i përket plehut të historisë. Nëse ju keni probleme për mjedisin thoni çdo gjë konkrete, nëse keni hallin tek votat, Aleanca e Plehut është e shkuara” – nënvizoi Berisha.

Plehrat

Kryeministri i vendit duke sjellë në vëmendje marrëveshjen e asocim stabilizimit të nënshkruar në 2006, theksoi se BE nuk mund të bëjë një ligj të veçantë për të gjitha vendet dhe se Shqipërisë i duhet të respektojë këtë angazhim. Ndërkohë, Berisha sqaroi përmbajtjen e ligjit për importimin e mbetjeve. “Në këtë ligj është përcaktuar se nga mbetjet e parrezikshme nga rreth 300 gjithsej do të importohen 50. E dyta, mbetjet që importohen në ligjin që keni votuar theksohet se nuk mund të importohen për ruajtje. Mund të importohen për procese të cilat duhet ti nënshtrohen. Kjo është fakti, se anëtarët e Aleancës së Plehut, që duan të nxjerrin vota nga plehu, jua fshehin qytetarëve dhe u fshehin mashtrimin e tyre”, sqaroi Berisha

Aleanca “Kundër Importit të Plehrave”

Një grup intelektualësh dhe shoqatash nga shoqëria civile kanë shpallur krijimin e Aleancës Kundër Importit të Plehrave “AKIP”. Qëllimi i kësaj aleance është ndalimi importit të plehrave në Shqipëri duke kërkuar eliminimin e nenit 49 të ligjit për menaxhimin e mbetjeve të integruara i miratuar disa javë më parë në Parlament me votat e mazhorancës dhe kundërshtimin e fuqishëm të deputetëve të opozitës. Grupi nismëtar i Aleancës kundër Importit të Plehrave nuk e ka përjashtuar mundësinë e animimit në Gjykatën Kushtetuese për ligjin në fjalë madje edhe për nismën për mbajtjen e një referendumi kombëtar.

Opozita

Partia Socialiste është shprehur dhe ka mbajtur gjithashtu një qëndrim kundër importit të mbetjeve. Udhëheqësi i kësaj partie, Edi Rama është shprehur edhe për mbajtjen e një referendumi popullor.

Ambientalistët

Sipas ambientalistëve projektligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane nuk ka pse të përfshijë në një nen të caktuar importin e mbetjeve. Asnjë shtet europian më vete, si dhe vetë BE-ja, nuk i ka bashkë këto dy lloj praktikash, që doemos kërkojnë ligje të veçanta e specifike. Projektligji i paraqitur nuk shoqërohet me paketë financiare që të gatisë kostot për operacionet mbështetëse. Ata gjithashtu shpjegojnë së detyrim është që të ndajmë mbetjet në burim, të riciklojmë me hapa progresivë dhe t’i përpunojmë ato me metodologjitë e pranuara nga komuniteti. Importi i mbetjeve të listës së gjelbër është karakteristikë për vendet me të njëjta teknologji apo standarde ekonomike, se jo më kot 99% e transportit të mbetjeve nga lista e gjelbër është midis vetë 25 vendeve të BE-së dhe 1% nga vendet jo të BE-së.

Ekspertët

Sipas ekspertëve në vendin tonë ka të paktën 170 mijë ton mbetje industriale në vit, një pjesë e të cilave konstatohen si të rrezikshme. Gjeneruesit kryesorë të mbetjeve industriale kanë qenë industritë kimike, metalurgjike, minerare, vajore, ushqimore, etj. Nga aspekti fiziko – kimik, toksikologjik dhe eko-toksikologjik një pjesë janë identifikuar klasifikuar si shumë toksik, irritues, si mbetje kancerogjene. Nuk dihet sesa është sasia e mbetjeve industriale dhe ku ato asgjësohen, por është konstatuar se ato hidhen në vendet e mbetjeve komunale, disa mbahen në vendin e prodhimit, por një pjesë hidhen në vende të paautorizuara. Nga sasia e përgjithshme e kimikateve të industrisë kimike, 40 ton (3% e sasisë totale) janë kimikate shumë helmuese, 110 ton (7%) janë jashtëzakonisht të ndezshëm dhe ndezëse, 575 ton (38%) kanë karakteristika helmuese, nga të cilat mund të ndajmë veçantë arsenikun, mërkurin dhe disa substanca të tjera organike.

Problemet që pretendohen në ligj

Shumë ekspertë të cilët analizojnë aspektin legjislativë të kësaj nisme shprehen se në ligji nuk sanksionon procedurat e importit të plehrave, por thuhet se çdo gjë do të vendoset në një moment të dytë. “Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit, miraton rregullore për zbatimin e këtij neni”, është fjalia që përmendet në fund të çdo neni duke krijuar haptazi mundësi për abuzime.

Ligji nuk përkufizon se kush janë mbetje të rrezikshme

Ligji sanksionon që ndalohet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe kalimi i tyre transit në Shqipëri, por pa bërë një përkufizim të saktë se cilat janë mbetjet e rrezikshme. Në nenin 48 të tij flitet për mbetjet jo-të rrezikshme. “Vetëm mbetjet jo-të rrezikshme apo mbetjet inerte mund të importohen në Republikën e Shqipërisë. Importimi i mbetjeve sipas pikës 1 lejohet vetëm me Autorizim të Këshillit të Ministrave. Autorizimi për Importimin e Mbetjeve të këtij lloji lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për Autorizim për Importim Mbetjesh, merr në konsideratë arsyet pse duhet të importohen këto mbetje. Autorizimi për Importimin e Mbetjeve është i vlefshëm për një periudhë kohore deri një vit dhe i nënshtrohet kushteve të përgjithshme të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij Ligji si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret”, thuhet në ligj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama