Ja cfare thote Lorik Cana per Xhaken dhe Shaqirin

Ja çfarë thotë Lorik Cana për Xhakën dhe Shaqirin

Lorik Cana mendon se askush nuk ka të drejtë të kritikojë futbollistë shqiptarë që kanë zgjedhur të luajnë për Zvicrën. Përkundrazi, në një intervistë të gjatë të dhënë për "Grenchner Tagblatt", ai i ka falënderuar ata për kontributin që kanë dhënë për shqiptarët.

Gjatë rrëfimit të tij, Cana ka folur për shumë tema të ndryshme si pjesëmarrjen në Europian, patriotizmin në kombëtare, duelin mes dy vëllezërve Xhaka, apo edhe se si bëri realitet objektivin që i kishte vënë vetes kur kishte qenë 13 vjeç.

Cana shaqiri

Debutimi në Europian

"Do të jem krenar dhe shumë i lumtur. Për mua do të jetë një ëndërr e jetës që bëhet realitet".

Objektivi

"Edhe pjesëmarrja është një arritje e madhe. Por skuadra jonë ka një mentalitet fitimtari dhe dëshiron të fitojë çdo ndeshje. Ndaj them: Dua të shpallem Kampion Europe! Sigurisht, e di që jemi një ekip i vogël në Europë. Por kohët e fundit kemi luajtur mirë, kemi mësuar shumë dhe kemi treguar pasion dhe një zemër të madhe".

Patriotizmi në kombëtare

"Po, jam patriot, por kështu janë edhe lojtarët e tjerë në skuadër. Jemi padyshim më krenarë për kombësinë tonë sesa mund të jenë zviceranët për shembull. Përse? Sepse kemi pasur shumë probleme në Shqipëri e Maqedoni, apo edhe luftën në Kosovë. Shumë nga lojtarët tanë u rritën në Zvicër apo jashtë atdheut. Por të gjithë ata kanë folur gjithmonë shqip, kanë ruajtur mentalitetin shqiptar dhe janë krenarë për historinë shqiptare. Kjo është një forcë që na bashkon. Nëpërmjet futbollit, duam të bëjmë krenar vendin tonë . Europiani është perfekt për ta arritur këtë gjë".

Cana-1

Për trajnerin e Zvicrës

"Vladimir Petkoviç është gjëja më e mirë që mund t'i ndodhte Zvicrës. Ai është një trajner i madh dhe një njeri i mirë".

Shqiptarët e Zvicrës

"Nuk i kam kritikuar, unë vetëm kam thënë se do të ishte e bukur nga pikëpamja sportive që këta futbollistë të luanin për Shqipërinë. Bashkë me ta, ne do të ishim shumë më të fortë. Por askush brenda ekipit tonë nuk e thotë një fjalë të keqe për ta. Unë për vete u jam mirënjohës. Ata kanë bërë diçka shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe sidomos për shqiptarët në Zvicër, ku shumë prej tyre iu dha një shans i dytë në jetë. Xhaka, Shaqiri dhe të tjerët, tani në emër të shumë shqiptarëve, nëpërmjet futbollit, po falënderojnë Zvicrën duke i kthyer asaj diçka mbrapsht. Por edhe ata janë shqiptarë si ne, janë vëllezërit tanë".

Xhaka kundër Xhaka

"Një histori e pabesueshme, prej shumë vitesh kam një marrëdhënie shumë të mirë me familjen Xhaka dhe e di që do të jetë e vështirë të luajnë kundër njëri-tjetrit. Por kur të jenë në fushë, gjithçka do të harrohet dhe do të mendojnë vetëm për fitoren".

10681837_581314728657653_8716644_n-620x380

Pranimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA

"E rëndësishme për mua është që Kosova nuk është më e izoluar, që fëmijët të mund të ëndërrojnë për kombëtaren dhe të ketë më shumë të ardhura për infrastrukturën dhe kampionatin. Unë nuk do të luaj për Kosovën, por duhet gjetur një zgjidhje për të dy kombëtaret. 99% e shqiptarëve mendojnë që duhet të ketë një ekip të fortë".

Ëndrra si fëmijë

"Kur isha i vogël, ëndërroja të luaja një herë për Shqipërinë. Isha 13 vjeç kur pashë ekipin tonë kombëtar në televizor të luante kundër Gjermanisë. Më kujtohet se në shtëpinë tonë të vogël atë ditë ishin 30 persona. Atë ditë i thashë vetes: Një ditë do të luash për Shqipërinë! Tani kanë kaluar 92 ndeshje".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama