Pas pjesëmarrjeve në shumë aktivitete të ndryshme në Turqi, ku përveç bukurisë ajo tregoi dhe talentin e saj në aktrim, shqiptarja e njohur dhe fituesja e shumë kurorave të bukurisë, Almeda Abazi vazhdon suksesin e saj edhe në serialet televizive. Synim i Abazit ishte të pushtonte ekranin turk dhe këtë gjë e ka arritur shumë lehtë. Popullariteti i bukuroshes shqiptare pritet të rritet edhe më shumë pas pjesëmarrjes në serialin e njohur “Sulejmani i madhërishëm”. Në fakt, pjesëmarrja e saj pritej që sezonin e kaluar por u shty për shkak të impenjimeve të tjera të zeshkanes nga Tirana. Personazhi që pritet të aktrojë Almeda, është një vajzë italiane e quajtur Valerija, ku së bashku me mikeshën e saj Cecilian jetojnë në pallatin mbretëror të Venedikut, nga ku rrëmbehen dhe sillen në pallatin e Sulltanit.
Turqit të çmendur pas Almedës
Bukuroshja Almeda Abazi është e para dhe e vetmja miss shqiptar që ka fituar një titull ndërkombëtar bukurie, për një vend të vogël siç është Shqipëria, kjo është një arritje e madhe! Edhe në Turqi ku ajo jeton sot e kësaj dite, e ndjen peshën dhe privilegjet e kurorës së “Miss Globe International”. Për këtë shkruajnë gazetat, flasin televizionet kombëtare, madje një bukuri të “çertifikuar”, shumë firma turke e kanë kërkuar për imazh. Disa prej tyre kanë pasur fatin të përfaqësohen nga bukuria e Almedës, teksa të tjera oferta priten të shqyrtohen nga stafi i saj. Një ndër ofertat më interesante, janë ato nga tre producentë filmash, të cilat bukuroshja tiranase po i shqyrton me seriozitet. Tashmë ajo ka një staf të kompletuar, i cili e ndihmon për të organizuar jetën artistike. Po si nisi rrugëtimi i saj? Abazi, e cila deri tani ka marrë tre kurora të rëndësishme bukurie, si “Miss Tirana 2007, “Miss Shqipëria 2008” dhe “Miss Globe International”, tashmë është fytyrë e njohur edhe në Turqi. Ajo filloi të punonte si modele dhe më pas u shfaq në telenovela dhe filma turk. Në Turqi, ajo konsiderohet si një nga femrat më joshëse dhe të talentuara në botën e kinematografisë dhe shoëbizit turk. Fama e saj arriti kulmin kur ajo mori pjesë si konkurrente në “Dancing with the stars” në këtë vend.
Edhe pse e re në moshë, Almeda Abazi, falë talentit dhe shkathtësisë së saj, ka bërë që në një treg aq të gjerë sa Turqia, të bëhet emër shumë i përfolur, duke pushtuar kështu edhe revista të ndryshme turke. Ish-missi shpesh është shprehur se ishte më e lehtë për të pasur oferta në Turqi sesa në Shqipëri. “Shqiptarët atje më kishin. Fitova “Miss Shqipëria” dhe “Miss Globe” dhe ndenja për shumë kohë aty dhe nuk mora asnjë ofertë nga mediat shqiptare, as për reklama. Kështu që vendosa të iki në Turqi” - u shpreh ajo. Përkundër asaj që është raportuar, në një intervistë për mediat shqiptare, ajo ka mohuar t’i jetë ofruar ndonjë rol në film me skena erotike. “Të gjitha janë trillime. Ka qenë një ofertë për film, por jo me këto skena, pasi unë nuk do e pranoja asnjëherë një ofertë të tillë. Nuk do të mundesha, pasi më vonë nuk mund t’u dalë përpara miqve të mi.
Pastaj, edhe në qoftë se kam ndonjë ofertë të tillë, nuk mund të kuptohet nga askush, sepse këto biseda bëhen shumë interne.”- deklaroi Abazi. Ajo ka shtuar se ky është një kompromis që s’do ta bënte kurrë dhe se nuk synon të bëjë famë përmes këtyre gjërave. Në një intervistë të disa kohëve më parë, pyetjes nëse për një një femër është më e rëndësishme të jetë e bukur apo e zgjuar ajo përgjigjet: “Për mua është e rëndësishme zgjuarsia. Zyrtarisht jam shpallur si “vajzë e bukur”, por si një femër duhet të jesh e zgjuar më mirë se sa të vlerësohesh për bukurinë e dhënë nga Zoti. Një ditë bukuria ime do të venitet, por inteligjenca është ajo që do të na shoqërojë gjithmonë,dhe një ditë do të më shikoni jo vetëm si “një vajzë e re, e bukur”, por do të shikoni një vajzë me një karrierë të suksesshme, bazuar në inteligjencën dhe talentet e mia”.