Ja cilat jane 10 arratisjet me te bujshme nga burgjet

Ja cilat jane 10 arratisjet me te bujshme nga burgjet
Për sa kohë ka burgje ka dhe arratisje. Pavarësisht masave të shumta të sigurisë, të burgosurit e gjejnë një mënyrë për t’u arratisur. Pjesën më të madhe të rasteve, arratisjet nuk rezultojnë me sukses, por ka dhe disa raste kur të burgosurit kanë hartuar plane për t’u “patur zili” edhe pse në anën e kundërt të ligjit. Por cilat janë arratisjet më të famshme në histori. Një prej këtyre është një arratisje masive nga një burg i Britanisë. Arratisja më e madhe nga burgu në historinë britanike, më 25 shtator 1983, në “County Antrim” në Irlandën e Veriut është kryer nga 38 anëtarë të IRA-s.

Ato përdorën shpërthimet dhe si pasojë vdiq një oficer e 20 të tjerë u plagosën nga armët që ishin futur fshehurazi në burg. Burgu konsiderohej si një nga burgjet me sigurinë më të lartë në Evropë, kur vinte puna tek arratisja. Ai ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe me porta çeliku që manovroheshin në mënyrë elektronike. Të burgosurit arritën të marrin peng rojet, duke u marrë rrobat dhe gjëra të tjera. Shumë shpejt ato u arratisën me një furgon. Në ditët në vazhdim, u kapën rreth 19 të arratisur. Të tjerët gjetën vende për t’u fshehur. Disa përfunduan në SHBA, por më vonë u gjetën dhe u ekstraduan. Si kjo arratisje dhe të tjera edhe më të famshme lexoni më poshtë specialen e përgatitur nga “Tirana Observer”.

1. Arratisja nga “Colditz”

Colditz” ka qenë një prej burgjeve më të famshme gjermanë të të burgosurve të luftës, ku vendoseshin oficerë të Luftës II Botërore. Kampi ishte i vendosur në kështjellën “Colditz”, mbi një shkëmb mbi qytetin Kolditz në Saksoni. Ka pasur shumë tentativa arratisjeje të suksesshme nga ky burg, por një është veçanërisht interesante. Bëhet fjalë për idenë e ndërtimit të një avioni pa motor, e ideuar nga dy pilotë britanikë, Jack Bet dhe Bill Goldfinch. Ato ndërtuan një mur të rremë për të fshehur hapësirën sekrete, ku po ndërtonin ngadalë avionin me drurë. Edhe pse “Colditz Cock” nuk fluturoi kurrë, një model i tillë u ndërtua vite më vonë për një dokumentar. Të burgosurit në kamp u liruan nga aleatët, pak kohë para përfundimit të avionit.

2. Arratisja e madhe

Stalag Luft III” ishte një kamp gjerman i të burgosurve të luftës, ku mbaheshin personat e kapur që i përkisnin forcave ajrore. Në janar të vitit 1943, Roger Bushell udhëhoqi një komplot për një arratisje të madhe nga kampi. Plani synonte hapjen e tre tuneleve të thella me emrat “Tom”, “Dick” dhe “Harry”. Hyrja e secilit prej tuneleve zgjidhje me kujdes që të mos dallohej nga rojet e kampit. Teksa tunelet bëheshin më të gjatë, një sërë novacionesh teknike e bënin punë më të sigurt dhe të lehtë. Një pikë e rëndësishme ishte që personat që gërmonin të kishin oksigjen të mjaftueshëm. Për këtë u ndërtua një pompi, e cila pomponte ajër të pastër. Më vonë u instalua dhe një sistem elektrik. “Harry” përfundoi në mars të vitit 1944, por të burgosurit amerikanë që kishin punuar u transferuan në një kamp tjetër. Më 25 mars nisi arratisja, por nga 77 persona, vetëm tre arritën të arratisen.

3. “Pascal Payet”

Nuk ka shumë dyshime që ky njeri meriton një vend në listë, ai nuk është arratisur vetëm njëherë, por dy herë nga burgjet e sigurisë së lartë në Francë. Dhe çdo herë, me helikopter. Ai gjithashtu ka ndihmuar arratisjen e tre të burgosurve të tjerë, me helikopter. Payet u dënua fillimisht me 30 vite burg për vrasje. Pas arratisjes së tij të parë në vitin 2001 ai u kap dhe u dënua me shtatë vite të tjera. Më pas ai u arratis nga burgu “Grase” duke përdorur një helikopter që ishte rrëmbyer nga katër persona me maska. Payet u kap sërish në shtator të vitit 2007 në Spanjë. Ai kishte kryer disa operacione plastike, por arriti të identifikohej nga policia spanjolle.

4. Arratisja “Libby”

Arratisja “Libby” ishte më e famshmja gjatë Luftës Civile në Amerikë. Natën e 9 shkurtit 1864, më shumë se 100 ushtarë të burgosur arritën të arratisen nga burgu në në Ricmond, Virxhinia. Nga 109 të arratisurit, 59 arritën në frontin e Unionit, 48 u kapën dhe dy u mbytën në lumë. Ushtarët u arratisën nga burgu në grupe prej dy dhe tre vetash. Kur ishin në depon e duhanit, burrat u grumbulluan në oborrin e magazinës dhe thjesht vazhduan të ecin para derës kryesore, ku kishin ndërtuar një tunel. Tuneli kishte distancë të mjaftueshme për të ikur vjedhurazi dhe për të dalë në rrugë.

5. Arratisja nga Alkatrazi

Në vitin e tij të 29-ë të krijimit, kishte 14 përpjekje për t’u arratisur nga burgu i Alkatrazit. Zyrtarisht, çdo tentativë kishte dështuar dhe pjesa më e madhe e atyre që ishin përpjekur të arratiseshin, ose ishin vrarë ose ishin kapur. Sidoqoftë, ato që tentuan arratisjen në vitin 1937 dhe 1962, edhe pse konsiderohen të vdekur, u zhduken pa lënë gjurmë, duke i dhënë shkas teorisë se mund të jenë gjallë. Në vitin 1962, Frank Borris dhe vëllezërit Anglin u ngjitën në një bllok qelish, prenë hekurat dhe dolën në çati. Që aty, ato u ngjitën nëpërmjet një tubi shkarkimi dhe më pas arritën të dalën në breg, ku përdorën një tip lundre. Mendohet se ato janë mbytur dhe janë regjistruar si të tillë, sidoqoftë trupat e tyre s’u gjetën asnjëherë.

6. Arratisja e “Rawicz”

Rawicz ishte një ushtar polak, i cili u arrestua  nga trupat sovjetike, pas pushtimit gjermano-sovjetik të Polonisë. Ai u arrestua në vitin 1939 dhe u dërgua në Moskë, në burgun “Lubyanka”. Më pas ai u dërgua në një kamp burgimi në Siberi, ku i duhej të bënte punë të rëndë. Më 9 prill 1941, Rawicz pretendon se ai dhe gjashtë shokë të tjerë arritën të arratisen gjatë një stuhie bore. Ato vrapuan drejt jugut, duke shmangur qytetet dhe nuk u ndoqën në mënyrë aktive nga njeri. Ato u takuan me një të arratisur tjetër polak dhe pas nëntë ditësh ishin në lumin Lena. Kur po kalonin shkretëtirën Gobi, dy nga grupi vdiqën. Të tjerëve iu desh të hanin gjarpërinj për të mbijetuar. Rreth tetorit 1941, ato pretendojnë se arritën në Tibet, ndërkohë që të mbijetuarit arritën në Indi rreth marsit të vitit 1942.

7. Alfréd Wetzler

Wetzler ishte një hebre sllovak, një prej të paktëve që kanë arritur të arratisen nga kampi i Aushvicit. Ai u arratis me një hebre tjetër, Rudolf Vrba. Më 7 prill 1944, ato u fshehën në një turrë drush që përdorej për të ndërtuar seksionin “Mexico’, për të tjerët që do vinin në kamp. Ajo ishte jashtë perimetrit të rrethuar me tel, por brenda një hapësire tjetër që rojet e mbanin të rrethuar gjatë ditës. Të burgosurit e tjerë vendosën dërrasa rreth vendit, ku ishin fshehur dhe më pas përhapën tym në zonë. Ato qëndruan të fshehur për katër net. Më 10 prill ato arritën të ikin nga kampi dhe iu drejtuan kufirit të Polonisë me Sllovakinë, duke u bazuar në një atlas fëmijësh që Vrba e kishte gjetur në magazinë.

8. Shtatëshja e Teksasit

Shtatëshja e Teksasit ishte një grup të burgosurish që u arratisën nga “John Connally Unit” në Teksas, më 13 dhjetor 2000. Ato u kapën më 21-23 janar 2001, si rezultat direkt i shout televiziv “America’s Most Wanted”. Më 13 dhjetor, duke u bazuar në një skemë të punuar me kujdes ato arritën të arratisen nga burgu i sigurisë së lartë. Ato mposhtën dhe bënë zap nëntë mbikëqyrës civilë, katër oficerë dhe tre të burgosur që s’kishin lidhje me çështjen. Grupi imitoi oficerët e burgut në telefon duke krijuar histori të rrema, për të shpërqendruar autoritetet e burgut. Ato arritën të marrin një kamion dhe të ikin. Pesë prej tyre po presin për dënimin me vdekje, njëri ka kryer vetëvrasje dhe i fundit është ekzekutuar.

9. Alfred Hinds

Alfred Hidns ishte një kriminel britanik dhe një artist i arratisur, teksa po kryente burgun prej 12 vjetësh për grabitje. Ai arriti të arratiset nga burgu i Notingamit duke rrëshqitur nëpër dyert e kyçura dhe në një mur të  gjatë. Për këtë arsye, ai u bë i njohur në shtyp si “Hudini”. Pas gjashtë muajsh ai u gjet dhe u arrestua sërish. Ai hodhi në gjyq autoritetet duke i akuzuar për arrestim të paligjshëm. Ai tentoi sërish të arratisej, kur dy roje po e shoqëronin në tualet. Kur ato i hoqën prangat ai i gjuajti ato me mjete të forta dhe iku nga dera, e cila ishte hapur më parë nga një bashkëpunëtori i tij. Pas pesë orësh ai u arrestua në aeroport.

10. Arratisja nga burgu “Prison Maze”

Arratisja më e madhe nga burgu në historinë britanike, më 25 shtator 1983, në “County Antrim” në Irlandën e Veriut është kryer nga 38 anëtarë të IRA-s. Ato përdorën shpërthimet dhe si pasojë vdiq një oficer e 20 të tjerë u plagosën nga armët që ishin futur fshehurazi në burg. Burgu konsiderohej si një nga burgjet me sigurinë më të lartë në Evropë, kur vinte puna tek arratisja. Ai ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe me porta çeliku që manovroheshin në mënyrë elektronike. Të burgosurit arritën të marrin peng rojet, duke u marrë rrobat dhe gjëra të tjera. Shumë shpejt ato u arratisën me një furgon. Në ditët në vazhdim, u kapën rreth 19 të arratisur. Të tjerët gjetën vende për t’u fshehur. Disa përfunduan në SHBA, por më vonë u gjetën dhe u ekstraduan

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama