Ja cilat jane 7 semundjet qe vijne nga kafshet shtepiake

Ja cilat jane 7 semundjet qe vijne nga kafshet shtepiake
Njerëzit që në parahistori kanë jetuar në shoqëri të përbashkët me kafshët, ndërsa në kohën moderne të urbanizimit kafshët gjithnjë e më shumë hynë në shtëpitë tona në rolin e të përkëdhelurve të shtëpisë. Do t’ju përmendim disa sëmundje ngjitëse dhe jo-ngjitëse të cilat mund të na bartin kafshët.

Alergjitë

Studimet e reja kundërshtojnë mendimin shkencor të pranuar më herët se jeta me macet ose qentë gjatë fëmijërisë vepron në mënyrë mbrojtëse nga zhvillimi i astmës në jetën e mëvonshme. Studimet tregojnë se në fakt ndodh e kundërta: foshnjat deri në gjashtë muajt e parë të jetës shumë më shpesh zhvillojnë sensibilizim ndaj antigjenëve të maces në krahasim me ata të cilët kanë qenë të izoluar nga kontakti me macet. Për këtë arsye prindërve iu rekomandohet që të mos i lënë fëmijët e vegjël në kontakt me kafshët shtëpiake.

Toksoplazmoza

Toksoplazmoza paraqet rrezik shumë të madh, pasi që bëhet fjalë për zoonozën (sëmundje që vjen nga kafshët) më të përhapur në botë, ndërsa mendohet se afër 1% e maceve prodhojnë oovistat nga të cilat më vonë zhvillohet paraziti Toxoplazma gondii.Te shtatzënat me sëmundje akute të pa mjekuar, është paraqitur infeksioni i fetusit te 25% e rasteve, që ka rezultuar me abortim spontan, vdekjen e fëmijës së palindur ose paraqitjen e ndonjë sëmundje të rëndë te i porsalinduri.Për mjekimin e toksoplazmosës përdoren pirimetamina dhe sulfadiazini, ndërsa në mjekim përfshihen edhe shtatzënat me infeksion akut të toksoplazmosës, sepse në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia e infeksionit të fetusit (3 g spiramicin në ditë deri në fund të shtatzënisë). Ndërsa personat me imunitet të ruajtur të cilët pas infeksionit shfaqin shenja të lehta të sëmundjes nuk duhen mjekuar.
Shtatzënave iu rekomandohet që të shmangin kontaktin me macet.

Psitakoza

Papagalli më së shpeshti infektohet gjatë kohës kur transportohet bashkë me shpezët tjera. Papagajtë e sëmurë mund t’i njohim në bazë të ndryshimit të ngjyrës së jashtëqitjes në të gjelbër, në bazë të shtimit të urinimit, zvogëlimit të apetitit, ndryshimin e zërit, ndërsa nganjëherë i rrjedh sekret nga syri. Njeriu infektohet duke thithur aerosolet (spërklat e ajrit) me Chlamidia psittaci, ndërsa sëmundja mund të bartet edhe me kafshimin e shpezëve. Edhe pse rrallëherë ndodh, megjithatë është e mundur edhe bartja ndërnjerëzore e sëmundjes.Sëmundja te njeriu fillon me pasqyrën e gripit: me shfaqjen e temperaturës, kokëdhimbjes dhe dhimbjeve në muskuj. Pas një kohe fillon edhe kolli i thatë, ndërsa fotografimi rëntgenologjik i mushkërive jep pamjen e pneumonisë intersticiale. Është e pranishme edhe rritja e shpretkës.Përveç mushkërive, shpesh paraqitet edhe hepatiti granulomatoz, nganjëherë edhe miokarditis, si edhe inflamacioni i mbështjellësve serozë- duke përfshirë meningjitin me ç’rast sëmundja tregon simptoma neurologjike.Është e domosdoshme që psitakoza humane të mjekohet me antibiotikë, ndërsa terapia standarde realizohet me dhënien e doksociklinës (2x100 mg/ditë) për 10-14 ditë. Në rastet e marrjes së terapisë për një periudhë më të shkurtë kohore shpesh paraqitjen relapset (përsëritjet e simptomave).

Ekinokokoza

Qeni mund të infektohet duke ngrënë zorrët e deleve, lopëve dhe dhive, të infektuara me formën cistike të këtij helmi. Njeriu mund të infektohet nga jashtëqitja e qenve ose nga perimet e papastruara mirë të cilat paraprakisht janë ndotur nga fecesi i qenve. Cista mund të zhvillohet 30 vite para se të fillojë të japë simptoma (sidomos në mëlçi). Simptomat paraqiten në vartësi me organin e përfshirë: nëse është përfshirë mëlçia paraqitet ndjeshmëri nën harkun brinjor të anës së djathtë, nëse përfshihet mushkëria atëherë paraqiten pengesa në frymëmarrje.Rrezik më të madh te kjo sëmundje paraqet infeksioni dytësor me ciste si rezultat i të cilit vjen deri te rritja e shtypjes së brendshme dhe plasja e mbështjellësit të cistës si rezultat i traumës mekanike. Si pasojë e plasjes së cistës ekinokoksike është paraqitja e reaksioneve të fuqishme alergjike, të cilat mund të çojnë deri te shoku anafilaktik.

Sa i përket terapisë në vend të parë është ndërhyrja kirurgjike, me anë të të cilës në mënyrë të suksese instalohet tretësira protoskolicide në cistë, e cila përbëhet ose nga tretësira 30% e kripës ose nga tretësira 95% e alkoolit.Nga terapia medikamentoze përdoret hemoterapia me albendazol, e cila sukses të veçantë tregon te ekinokokozat alveolare. Kohën e fundit përmendet edhe metoda PAIR (puncture, aspiration, injection, reaspiration), e cila përbëhet nga kombinimi i hemoterapisë dhe punksionit të cistës.Problem më të madh paraqet ekinokokoza e eshtrave sepse shpesh është e paoperueshme, ndërsa edhe hemoterapia jep rezultate të dobëta

Tërbimi

Tërbimi (rabies, lyssa) është sëmundje vdekjeprurëse të cilën e bartin qentë e infektuar (54%), macet, shpezët dhe lakuriqët. Sëmundja më së shpeshti bartet me anë të kafshimit të kafshës së infektuar, edhe pse në disa raste bartja e virusit është e mundur edhe vetëm me prekjen e pështymës së infektuar, e cila është infektuese dhjetë ditë para se të fillojnë simptomat e sëmundjes.

Formën e vetme të mbrojtjes nga tërbimi e paraqet vaksinimi, si i kafshëve përkëdhelëse shtëpiake ashtu edhe i njerëzve.

Tularemia

Tularemia bartet nga kafshimi i kafshëve të egra, kryesisht brejtësve, mirëpo rreziku i pronarëve të kafshëve të përkëdhelura shtëpiake vjen në rast se kafsha e tij han mishin e kafshës së egër të infektuar (lepurit, ketrit, miut të fushës, etj.).Inkubacioni i tularemisë zgjat mesatarisht 3-5 ditë. Sëmundja zakonisht fillon shpejt, me simptoma të përgjithshme të shprehura dhe me drithërimë. Te 20% e të sëmurëve është e pranishme edhe rritja e mëlçisë dhe shpretkës, ndërsa brenda dy javëve të para të sëmundjes te 35% e të sëmurëve paraqitet ekzantemë makulopauloze. Temperatura te të sëmurët e pa mjekuar zgjat mesatarisht 32 ditë. Është vërejtur edhe bradikardia (ngadalësimi i të rrahurave të zemrës) relative te 42% e të sëmurëve.Afekti primar është zakonisht në gishtat e dorës në formë të papullave të padhembshme, të cilat pastaj nekrotizohen dhe shndërrohen në ulkuse me skaje të ngritura me qelb, dhe pastaj formohet fundi i zi nekrotik.Format e lehta të tularemisë mund të mjekohen me 2 g tetracikline në ditë (doksiciklinom 2x100) ose me 14 ditë me kloramfenikol (20-50 mg/kg të masës trupore) në rast të paraqitjes së meningjitit. Format e rënda mjekohen me streptomicin (2x1 g/ditë intramuskular) për dhjetë ditë ose me gentamicin (5 mg/kg të masës trupore, i.m. ose i.v.)Vdekshmëria te format e rënda të tularemisë mund të jetë deri në 33%, ndërsa te të sëmurët e mjekuar mund të arrijë 4%.

Sëmundja e kafshimit të maces

Sëmundja e kafshimit të maces është e përhapur në gjithë botën. Më shpesh sëmurën të rinjtë, sidomos meshkujt. -Supozohet se shkaktari i sëmundjes, Bartonella henselae (të cilën ndërmjet maceve e bartin pleshtat) nuk shkakton sëmundje te macja. Bakteri jeton në pështymën e maces, ndërsa ekspertët supozojnë se më shumë se 50% e maceve së paku një herë në jetë infektohen me Bartonella.Inkubacioni zgjat 2-3 javë, ndërsa sëmundja karakterizohet me limfadenopati regjionale me rritje të gjëndrave limfatike. Në vendin e hyrjes së shkaktarit te disa të sëmurë paraqitet papulla ose pustulla, që mund të japë idenë e pickimit të insekteve.Sëmundja zgjat disa javë, ndërsa nyjat limfatike mund të fistulojnë. Edhe pse në kuadër të komplikimeve përmendet edhe dëmtimi i SNQ-së, megjithatë brenda 1-6 muajsh vjen deri te shërimi i plotë i pacientit.Nuk ekziston bar specifik për sëmundjen e kafshimit të maces, mirëpo përvoja ka treguar se dhënia e menjëhershme e tetraciklinave dhe makrolideve, shpejton shërimin e nyjave limfatike. Në rastet e qelbëzimit rekomandohet aspirimi i përmbajtjes gjatë funksionit citologjik.Vlen të theksohet se pas kalimit të sëmundjes krijohet imunitet i përhershëm.

Këshillojmë:

Në fund nuk guxojmë të harrojmë se kafshët e përkëdhelura shtëpiake shpesh janë bartës të rriqrave dhe pleshtave, me të gjitha rreziqet që pasojnë nga këto insekte.

Këshilla për pronarët e kafshëve të përkëdhelura shtëpiake:

- Rregullisht vaksinoni kafshët tuaja
- Rregullisht kontrolloni nëse qeni ose macja juaj ka ndonjë rriqër dhe nëse e vëreni largojeni atë
- Kërkoni rekomandimet e veterinarit si të veproni me kafshën tuaj
- Nëse e vëreni se kafsha juaj sillet në mënyrë të pazakontë dërgojeni menjëherë te veterinari
- Gjithmonë mbani preparate kundër pleshtave
- Mos sillni në shtëpinë tuaj kafshë të përkëdhelura nëse keni fëmijë të vegjël
- Femrat shtatzëna duhet të kenë kujdes të veçantë
- Rregullisht lani duart pas kontaktit me kafshën tuaj, si dhe pas pastrimit të jashtëqitjes së tyre
- Mos lejoni që qeni juaj të qëndrojë me qentë shëtitës
- Rregullisht pastrojeni shtëpinë nga qimet dhe kontrolloni mos ka jashtëqitje apo urinë të kafshës suaj në ndonjë skaj të fshehur të shtëpisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama