Granit Xhaka është shprehur shumë i kënaqur për fitoren e kombëtares shqiptare ndaj Rumanisë, duke e cilësuar atë mëse të merituar.
"Kjo është një histori e pabesueshme. Unë jam shumë i lumtur për ta. E meritojnë", tha Xhaka për mediat zvicerane, të cilave u konfirmoi se kishte folur pas ndeshjes me vëllain e tij, Taulantin, për ta uruar.
Megjithatë ai shtoi se nuk ishte i sigurt nëse suksesi me Rumaninë do të ishte i mjaftueshëm për vazhdimin e mëtejshëm në turne të kuqezinjve.
Mesfushori i Zvicrës ka qenë ndër të parët që ka shprehur urimet e tij për kombëtaren shqiptare nëpërmjet një postimi në Twitter menjëherë pas ndeshjes.
"Urime Shqipërisë për tre pikët e para të saj në Kampionatin Europian", ishte mesazhi i tij në Twitter në gjuhën angleze, ndërsa më pas kishte një mesazh edhe në shqip.
"Një urim i madh shkon për fitoren e Shqipërisë".
Kjo nuk është hera e parë që futbollisti i Zvicrës krenohet me paraqitjet e kuqezinjve mes të cilëve luan vëllai i tij, Taulanti. Gjatë ndeshjes së kualifikueseve me Armeninë, ai postoi në rrjetet sociale një foto i përlotur, duke iu gëzuar suksesit shqiptar.