Shërbimi Informativ Shtetëror ka dalë nga konturet ligjore, ku objekti i punës së tij është sigurimi i inforamcioneve për sigurinë kombëtare, ndërkohë që kohët e fundit agjentët e kësaj strukture, kryesisht ata të krimit të Organizuar dhe Drogës, janë ngarkuar për të mbledhur informacione për individë të caktuar, kryesisht drejtorë, prefektë, deputetë,policë dhe çdo person që përfshihet dhe përflitet në debatet politike në Shqipëri.
Thuajse çdo operacion sekret në fushën e drogës ka kaluar në plan të dytë, ndërsa në plan të parë janë detyrat e posaçme që merren nga drejtuesit. Disa nga emrat që agjentët e SHISH mbajnë nën vëzhgim dhe një pjesë e inforamcioneve rreth këtyre emrave janë bërë pjesë e debateve politike në parlament dhe jo vetëm. Por, a e kërcënojnë sigurinë kombëtare këto emra? Këto të dhanë tregojnë se institucioni që ka për detyrë të ruajë sigurinë e vendit, nuk kryen një veprimtari në shërbim të kësaj, por përqëndrohet në individë të caktuar.
TETE ZYRTARET QE U PERGJUAN
Gazeta “Shqiptarja.com” ka mësuar emrat e 8 personave për të cilët agjentë të SHISH, kanë marrë direktiva nga drejtuesit e tyre, për t’i mbajtur nën vëzhgim të plotë. Një burim, i cili është pjesë e skemës së ndjekjeve operative i tha gazetës, se bëhet fjalë për deputetin e LSI-së Spartak Braho, këshilltarin e kryeministrit Edi Rama, Ermal Beqiri, Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Briselda Shehaj, prefektin e Vlorës Besnik Dervishi, kryebashkiakun e këtij qyteti Shpëtim Gjika, Drejtoreshën e Doganave Elisa Spiropali dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, si dhe shefin e qarkullimit në Vlorë Ilir Rrokaj.
Sipas agjentit, këto janë vetëm pak emra, ku para pak kohësh dhe ende sot, mbahen në përgjim dhe vëzhgim nga strukturat e SHISH, kjo, pasi janë njerëzit më të përfolur nga partia Demokratike.Çdo informacion i përditësuar rreth lëvizjeve të tyre, takimeve në kafene, telefonatat e kryera dhe hyrje-daljet në institucionet qeveritare, dërgohet i përditësuar në drejtorinë qëndrore. Burimi shton se deputeti Braho, këshilltari i Edi Ramës, Ermal Beqiri dhe drejtoresha Briselda Shehaj, mbahen në vëzhgim si pasojë e çështjes së serverit. Pikërisht serveri i drejtorisë së Tatim-Taksave është bërë mollë sherri mes PD-së dhe PS-LSI.
VËZHGIMI TEK DOGANAT
Si pasojë e interesit ekonomik dhe veprimtarisë së Briselda Shehajt dhe drejtoreshës së Doganave Elisa Spiropali, këto dy zonjusha janë listuar nga SHISH si personazhet që duhet të mbahen nën mbikqyrje. Të dyja janë akuzuar nga PD për veprimtarinë e tyre, deri në gjobitje të bizneseve me emra konkrete dhe data fikse.
INFORMACIONET E SHISH , DEGJOHEN NGA NOKA, RISTANI, BASHA E BERISHA
Nëpërmjet 12 drejtorive të vendosura në qarqet e vendit, agjentët e SHISH, mbledhin të dhëna për personat që kanë marrë udhëzimin dhe më pas, ky informacion operativ i përditësuar, raportohet në zyrën qendrore. Mirëpo ,ajo që është bërë shqetësuese kohët e fundit dhe nga vetë agjentët e këtij shërbimi, është se disa nga informacionet e raportuara, ata i kanë dëgjuar disa javë apo muaj më pas,në gojën e deputetëve të PD-së, kryesisht Sali Berishës, Arben Ristanit, Flamur Nokës, Lulzim Bashës dhe eksponetëve të tjerë të kësaj force politike.
I pari që ka akuzuar për këtë çështje është ish-kryeministri Sali Berisha. Po kush e informoi Berishën për praninë e Spartak Brahos dhe Ermal Beqirit në drejtorinë e Tatim-Taksave dhe veprimet e tyre? Sipas burimit, për këto të dhëna ishin ngarkuar disa agjentë të Drejtorisë KKON (Kundër Krimit të Organizuar dhe Narkotikëve). E njëjta strategji po përdoret edhe për prefektin e Vlorës Besnik Dervishi dhe kryebashkiakun Shpëtim Gjika. Këta dy emra janë përfolur në historinë e tritolit të zbuluar në oborrin e kryeministrisë dhe më pas janë përfshirë në deklarata të ndërsjellta me njëri-tjetrin. Ndërsa PD, e ka cilësuar tritolin tek kryeministria si show politik.
Nuk dihet se për çfarë arsye mbahen nga SHISH këta dy zyrtarë të lartë të PS-së në Vlorë, por në publik zyrtarë të PD-së, kanë folur për klane të caktura të secilit prej tyre në këtë qytet. Sipas agjentit, i pari që foli për mosmarrjen e dëshmisë nga ana e policisë së Ndriçim Gjokonës të penduarit të prokurorisë në çështjen e serialit të vrasjeve me pagesë, ishte Sali Berisha. Ky i fundit dinte gjiçka rreth lëvizjeve të drejtuesve të policisë së Durrësit dhe Tiranës, si dhe vizitën e Gjokonës tek një televizion privat. Të gjitha këto informacione sipas agjentit janë vjelur nga strukturat e SHISH.
AGJENTI: INFORMACIONET PO I DËGJOJNË NË TV
Situata e nxjerrjes së informacioneve operative në deklarata shtypi të Partisë Demokratike dhe debateve në parlament, ka rënë në sy dhe të vetë personave që administrojnë këto të dhëna. Burime pranë SHISH, thanë për gazetës “Shqiptarja.com” se shumë nga informacionet që kanë “vjelur” i kanë dëgjuar në televizor nga eksponentë të lartë të Partisë Demokratike, kryesisht nga Sali Berisha, Arben Ristani, Flamur Noka, Edi Paloka e të tjerë.
“Informacione të tipit, ku ishte, kë takoi, çfarë i tha, ku shkoi dhe çfarë bëri, i kam dëgjuar në televizor nga zyrtarë të PD-së dhe menjëherë kam dyshuar se këto të dhëna nga agjentët e SHISH, janë raportuar nga drejtoria qendrore tek Partia Demokratike. Unë kam dëgjuar në televizor Arben Ristanin të flasë për një informacion që e kisha raportuar disa muaj më parë për një efektiv police”-shprehet një nga agjentët e SHISH. - See more at: http://www.shqiptarja.com/home/1/ja-emrat-q--p-rgjon-shish-mes-tyre-krer-t-e-tatimevedoganave-203229.html#sthash.lgY1QKwx.dpuf