Punimet e ditës së parë zhvillohen pranë Departamentit të Studimeve të Europës Lindore (Rruga Duomo, 219), ndërsa punimet e ditës së dytë në sallën e Këshillit Bashkiak të Komunës shqipfolëse të Greçit, në krahinën e Avelinos, ku marrin pjesë glotologë dhe albanologë italianë e shqiptarë të ardhur nga Tirana, Prishtina, Mynihu dhe nga Parisi.
Një nga anëtaret e komitetit organizativ, filologia Merita Bruci nga Universiteti “L’Orientale” i Napolit thotë se “kuvendi synon, në radhë të parë, të nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj vepre të gjeografisë gjuhësore, vlerën shkencore që ajo përmban, fryt i një kërkimi e anketimi të të gjitha varianteve gjuhësore të përhapura në territoret shqipfolëse; në radhë të dytë, të vërë theksin mbi ndikimet që kjo vepër mund të ketë si në zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor, ashtu edhe në zbatimin e përfundimeve të arritura në lëmin didaktik për promovimin e kulturës gjuhësore. Edhe vetë diaspora shqiptare, e pranishme prej mëse pesë shekujsh në Itali, do t’i ndjejë në të ardhmen efektet pozitive që përftohen nga ky botim.”
Nga ky atlas përftohet një tablo shumë e gjerë e fenomeneve gjuhësore që lidhen me fonetikën, morfologjinë, sintaksën (vëllimi I) dhe leksikun (vëllimi II). Përfundimet janë të pasqyruara në harta gjeografike shumëngjyrëshe për të lehtësuar leximin e simboleve që përfaqësojnë varietetet e fenomeneve gjuhësore.
Sipas Brucit, prania e konsiderueshme e një pakice gjuhësore historike shqiptare në Itali, e në rastin konkret prania e komunitetit shqipfolës të Greçit (AV), i vetmi në territorin e Kampanias, “për shkak të veçantive të tij, gjen te ky Atlas një pikë referimi të rëndësishme, edhe falë zbatimit të Ligjit kombëtar 482/1999 lidhur me mbrojtjen e pakicave gjuhësore si edhe të Ligjit krahinor të Kampanias 14/2002, lidhur me studimin e mësimdhënien e gjuhës amtare shqipe.”
Botimi i Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe është frut i një bashkëpunimi energjik ndërmjet shumë institucioneve: Qëndra Kombëtare e Kërkimit (Romë), Universiteti i Napolit “L’Orientale”, Rrethi i Kampanias, Bashkia e Greçit. Në shkallë ndërkombëtare është një shembull i një bashkëpunimi frytdhënës ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për të arritur objektiva të vështira për t’u realizuar.
Marrëveshjet e bashkëpunimit e të shkëmbimeve akademike ndërmjet Universitetit “L’Orientale” dhe Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Tiranës janë në themel të nismës për botimin e kësaj vepre me vlerë të madhe shkencore e kulturore, por edhe të një angazhimi financiar të madh, po të shohim volumin e konsiderueshëm të veprës dhe kërkesat e larta teknike të realizimit të botimit me ngjyra, ashtu siç e kërkon një Atlas.
Në momente vështirësish financiare, bashkëpunimi ndërmjet institucionesh bëhet i domosdoshëm dhe mbetet e vetmja rrugë për të realizuar projekte ambicioze e madhore.
Në rastin konkret, për më tepër, bashkëpunimi i Regjonit të Kampanias dhe i Komunës së Greçit vesh një rëndësi të veçantë, sepse kjo vepër hedh dritë të re edhe mbi studimet e të folmes së Greçit, dhe ofron mjetet e duhura për një didaktikë funksionale.
Takimi në Greci merr një kuptim të veçantë, sepse bën të mundur njohjen e studiuesve shqiptarë dhe kosovarë me folës të shqipes së vjetër të shek. XV dhe evolucionin që ka pësuar ajo në rrjedhë të kohës. Kuvendi do të mbyllë punimet me një recital këngësh arbëreshe të kënduara nga një kantautor i njohur, Pino Kakoca, edhe ai përfaqësues i diasporës shqiptare. “Rrënjët e Arbërisë” quhet recitali i Cacozza-s, me pjesëmarrjen e Ernesto Jannuzzi-t.
Gazeta: Shekulli