Midis SHBA dhe Britanisë së Madhe
Bradley Manning ka lindur më 1987 në shtetin federal amerikan të Oklahomës. E ëma e tij është britanike, i ati ushtar amerikan. Kur prindërit ndahen në vitin 2001, ai shkon me të ëmën në Uells, ku shkon dhe në shkollë. Në vitin 2006 kthehet në SHBA, ku jeton me punë të rastësishme dhe udhëton andej këndej. Më vonë i tregon një hackeri se në vitin 2006 ka qenë disa kohë i pastrehë, derisa gjen strehë tek tezja në Potomac, në afërsi të Uashington D.S. Atje merr disa kurse në universitet, derisa në vitin 2007 regjistrohet në ushtrinë amerikane. Gjatë përgatitjes ushtarake në Arizona, ai mëson të punojë për shërbimin informativ ushtarak dhe të përmbledhë dokumenta sekrete.
"Budalla kompjuteri" gjaknxehtë
Gati të gjithë njerëzit që e kanë njohur Manning tregojnë se ai është një njeri i vetmuar. Në shkollë se ka pasur të lehtë, sidomos kur ka qenë në Uells atë e kanë ngacmuar gjithnjë duke u parë si njeri i çuditshëm. Shokë nuk ka pasur shumë, me ata që ka kontakte më të ngushta ndan pasionin për kompjuterin. Në shumë çështje ai bën me kokën e vet, për të mbrojtur mendimin e tij ngre dhe zërin. Një ish-shok i shkollës e tregon si "pak gjaknxehtë". Ai vetë e quan veten "humanist" jo fetar, këtë e shkruan edhe në varëset e çelësave që i bën vetë. Në ushtri ka pritur gjithë kohën që ta përzënë për shkak "të sjelljes së papërshtatshme".
Nga tifoz ushtrie në rrezik sigurie
Që kur ka qenë i mitur Manning ka thënë se ëndrra e tij është të bëhet "ushtar". Në fillim të qëndrimit në ushtri ai është përkushtuar me gjithë zemër. Gjithçka ndryshon kur shikon se si policia irakiane arreston 15 vetë, sepse zotërojnë shkrime "anti-irakiane". Në to bëhej fjalë për kritikë ndaj kryeministrit Nouri al-Maliki. Më vonë atij i bëhet e qartë, siç shkruan edhe vetë: "Unë jam krejtësisht kundër asaj, për të cilin jam aktiv". Që prej këtij momenti ai i kushtohet më shumë çështjeve sociale. Si homoseksual i deklaruar lufton për transparencë më të madhe në çështjet e homoseksualitetit në ushtri. Kur qëndron si i dislokuar në Bagdad, fillon të përdorë njohuritë e tij në kompjuter jo më për punëdhënësin por kundër tij. Ai ka akses në dokumenta sekrete dhe akuzohet t`i ketë dërguar WikiLeaks-it në prill të 2010-ës regjistrime në video, ku shihet si nga një helikopter ushtarët amerikanë qëllojnë mbi irakianët. Në chat me hackerin "Lamo", ai thotë se zotëron mbase sasinë më të madhe të dokumentave të vjedhura në historinë e Amerikës". Faktin që nuk ka pasur hezitime për t`i shpërndarë materialet, e tregon në një chat tjetër: "Sikur të kishe akses në dokumenta sekrete, 14 orë në ditë, shtatë ditë të javës, më shumë se tetë muaj me radhë, atëherë çfarë do të bëje ti?" Kësaj pyetjeje, Manning duhet t`i përgjigjet para hetuesve në Uashington. Aty ai ndodhet në burg.
Organizata online WikiLeaks po e bën shumë të vështirë për ata që janë në pushtet që të ruajnë informacionet konfidencialë
Ish gazetari që themeloi WikiLeaks
Cili është qëllimi i WikiLeaks?
Është në thelb një faqe interneti e projektuar, siç thonë mbështetësit e vet, për të na çuar në një epokë të re transparence - për të lejuar çdokënd, nga disidentët në Kinë deri tek aktivistët në Britani të botojnë dokumente që qeveritë apo korporatat duan t'i ruajnë si konfidencialë. Dokumenti i parë që botoi, në dhjetor 2006, ishte një "vendim i fshehtë" i firmosur nga lideri rebel somalez Dahir Ahews, për të pajtuar kriminelë që të vrisnin zyrtarë shtetërore. Vërtetësia e tij qe e pasigurtë, kështu që në një koment ku u kërkohej ndihmë lexuesve thuhej: "A është ky një manifest i guximshëm nga një militant islamik i lidhur me Bin Ladenin? Apo një lëvizje e mençur nga shërbimi i fshehtë i SHBA ... për të shkaktuar frakturë në aleancat somaleze dhe manipuluar Kinën?" Që atëherë, faqja ka marrë miliona dokumente nga whistlebloëer-a kudo në botë.
Ç'lloj dokumentesh?
Çdo gjë, që nga një raport për vrasjen e një polici në Kenia deri tek detajet e e-mailit të Sarah Palinit. Ka botuar procedurat e punës në kampin e ndalimit të Guantanamo bay; listën e anëtarësisë së BNP; si dhe e-mailet e Climategate të nxjerrë nga Universiteti i East Anglia. Por ajo që e solli në vëmendjen e botës WikiLeaks ishte "collateral Murder", një version i përpunuar i një filmimi të ushtrisë amerikane, që tregonte një ekuipazh ushtarakësh në një helikopter amerikan që vrisnin civilë irakenë dhe dy gazetarë të "Reuters" që i kishin ngatërruar për militantë. "Është faji i tyre që sjellin fëmijë në betejë", dëgjohet të thotë piloti teksa ushtarët bëjnë shoshë një kamion me dy fëmijë, që kishte ardhur të ndihmonte një të plagosur.
Kush e krijoi?
Organizata pretendon të jetë krijuar nga një grup heterogjen gazetarësh, matematicienësh dhe teknikësh interneti nga e gjithë bota, por gjeniu që e drejton është padyshim Julian Assange, një gazetar australian 39-vjeçar, ish-hacker kompjuterësh dhe i vetëquajtur aktivist informacioni, misioni i të cilit, siç e thotë edhe vetë, "është të nxisë reforma politike duke nxjerrë informacione të mbajtur fshehur".
Kush punon me të?
WikiLeaks është më shumë në "kryengritje mediatike". Mendohet se ka një staf full time me vetëm 4 vetë dhe rreth 40 ndihmës të tjerë si dhe 10 mijë mbështetës dhe donatorë nga e gjithë bota. Për të ruajtur fshehtësinë, të gjithë maskohen me kujdes: edhe pjesëtarët kryesorë njihen vetëm me iniciale. Nuk ka zyrë fikse, vetë Assange nuk ka adresë fikse, ndonëse mendohet që aktualisht ndodhet në Islandë, aty ku qëndroi gjatë gjithë kohës që dekriptoi materialin mbi Irakun.
Përse Islandë?
Në 2009, WikiLeaks botoi një raport të cilin banka islandeze Kapthing kish shkuar në gjykatë që të mos e lejonte, ku zbulohej ekspozimi i madh i bankës ndaj riskut të borxheve. Assange krijoi lidhje të ngushta me shumë politikanë islandezë dhe si rezultat bashkë me ta ka hartuar një projektligj shumë të ashpër pro fjalës së lirë që, do të ndihmojë WikiLeaks nga "sulmet ligjorë".
A mund ta sulmojnë agjentët?
Jo, sepse sipas Assange, është një sistem praktikisht i pacensurueshëm. Për ta shpërbërë do të duhet të shpërbësh gjithë internetin. Përdor qindra emra adresash dhe një rrjet kompleks serverash informacioni në internet - kryesorët me qendër në Suedi dhe Belgjikë, si dhe më shumë se 18 dytësorë përreth botës. "Për t'i mbajtur të sigurtë burimet tona", thotë Assange, "ne na është dashur të shpërndajmë asetet, të enkriptojmë gjithçka dhe të lëvizim njerëz dhe telekomunikacionin përreth botës për të aktivizuar ligje mbrojtës në juridiksione të ndryshëm". Numri i vogël i inxhinierëve që mbikëqyrin sistemin mundet të ketë akses vetëm në pjesë të tij.
Si financohet?
Përmes donacioneve tek botuesi zyrtar, një organizatë bamirëse e regjistruar në Gjermani me emrin Sunshine Press. WikiLeaks u pezullua përkohësisht këtë vit për shkak të mungesës së fondeve, por një fushatë mbledhje fondesh prodhoi shumë shpejt 1 milion dollarë, kryesisht nga donatorë të vegjël - trustet e mëdhenj kanë tendencën të qëndrojnë larg për arsye të qartë ligjore dhe politike.