Publikohen nga Policia e Shtetit fotografitë e tre vëllezërve të familjes Kora, të akuzuar për masakrën e trefishtë, mbrëmjen e së premtes në Thumanë të Krujës.
Besnik, Daniel dhe Pëllumb Kora vazhdojnë të jenë në kërkim, ndërsa mëngjesin e sotëm u arrestua në Laç babai i tyre, Guralin Kora, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjes.
Gjatë dëshmisë para uniformave blu, babai i tre të dyshuarve është shprehur se, djemtë e tij nuk ndodheshin në vendin e ngjarjes, kur u shënua krimi.
Teksa vijojnë operacionet për arrestimin e tre vëllezërve, policia ka ofruar 10 mijë euro shpërblim për çdo informacion që do të zbulojë vendndodhjen e tre të kërkuarve.
Të premten në Thumanë pas një konflikti për motive të dobëta, mbetën të vrarë tre pjesëtarë të një familjeje, 79-vjeçari Fran Çeku, djali i tij 44vjeçar, Arben Çeku dhe nipi 20-vjeçar, Eno Rama.
12: 00 - Babai i tre të dyshuarve: Krimin e kreva unë, jo 3 djemtë
Në prangat e policisë deri më tani ka rënë vetëm kryefamiljari, i cili u arrestua nga Policia e Kurbinit teksa lëvizte me makinë në lagjen numër 4 të qytetit të Laçit.
“Kam qëlluar me automatik dhe pistoletë ndaj pjesëtarëve të familjes Çeku. Djemtë e mi nuk kanë qenë në vendngjarje”, mësohet të ketë thënë para hetuesve Kora në ambientet e policisë së Fushë-Krujës, ku është dorëzuar nga Policia e Kurbinit.
Nisur nga dinamika e ngjarjes, hetuesit e hedhin poshtë versionin e Gurali Korës se, është ai autori i vetëm i ngjarjes.
Tashmë policia ka fokusuar vëmendjen në kapjen e tre djemve të tij, Besnik, Daniel e Pëllumb Kora, duke u përqendruar te këta dy të fundit, që nga hetimet e para rezulton se kanë qenë ata që kanë nxjerrë edhe armët, pistoletë e kallashnikov, duke hapur zjarr mbi 4 anëtarët e familjes Çeku duke lënë tre të vdekur dhe një të plagosur.