Plas skandali i kor rupsionit në Kate gorinë e Dytë. Pas akuzave të disa ditëve më parë të presidentit të Shënkollit, Artan Djala, sot është presidenti i Kevitanit, Artan Singa, që zbulon gjithçka ndodh në Kategorinë e Dytë. Ai e konsideron këtë ligë si një treg me kërkesëofertë.
"Gramshi ka përfituar atë ditë 8 milionë lekë për të ndalur Kevitanin duke bërë që të humbasim ndeshjen e 'play-out'-it. Kemi shkuar që ditën e shtunë dhe kemi fjetur në Gramsh.
Atë ditë, portieri i skuadrës vendëse, së bashku me shefin e Sportit, Edmond Hida, kanë hyrë dhe kanë takuar lojtarët e mi duke u kërkuar 6 milionë lekë.
Dhe skuadra ime nuk është sot në 'play-out' vetëm për një arsye. Unë nuk shita dhe nuk bleva asnjë ndeshje", thotë Singa ndër të tjera në intervistën e tij.
Çfarë ndodhi në Gramsh?
Djemtë e mi e tepruan pak me sulmin ndaj arbitrit, por ai e bëri baltë. Gramshi ka përfituar atë ditë 8 milionë lekë për të ndalur Kevitanin duke bërë që të humbasim ndeshjen e "play-out"-it. Kemi shkuar që ditën e shtunë dhe kemi fjetur në Gramsh.
Atë ditë, portieri i skuadrës vendëse, së bashku me shefin e Sportit, Edmond Hida, kanë hyrë dhe kanë takuar lojtarët e mi duke u kërkuar 6 milionë lekë. Dhe skuadra ime nuk është sot në "playout" vetëm për një arsye. Unë nuk shita dhe nuk bleva asnjë ndeshje.
Këto para ia ka ofruar klubi i Partizanit?
Këtë nuk di ta them. Di që çështja ka shkuar deri lart dhe ka ndërhyrë politika.
Po në këtë aferë ka qenë i përfshirë edhe gjyqtari?
Me informacionet që kam unë, gjyqtari Edvin Hoxha ka ardhur me porosi në këtë sfidë duke i thënë që të mos dëmtojë Gramshin. Por, i kanë bërë presion dhe ka pasur urdhër të qartë nga njerëz me pushtet.
Di të them se lojtarëve të Gramshit u është thënë që të shkojnë në zonë dhe e kanë të sigurt penalltinë. Por, fati ynë ishte që ata nuk shkuan asnjëherë në zonën tonë dhe bënë vetëm një goditje nga larg në portë. Kishim një 2-3 raste për penallti, por nuk i akordoi.
Edhe lojtarët e mi humbën shumë raste. Shefi i Sporteve, Edmond Hida, ka marrë 2 milionë e gjysmë lekë, 2 milionë e gjysmë i ka marrë një tjetër person i lartë me sportin në Gramsh dhe tre milionë ua kanë shpërndarë lojtarëve.
Dhe për t'u justifikuar, Hida i ka thënë sulmuesit tim që të më thoshte mua që e kishte urdhër nga lart dhe nuk kishte çfarë të bënte.
Gjithashtu, trajnerin e Gramshit, Shpëtim Lleshanaku, që është nga Elbasani, e kanë marrë në telefon duke i thënë që të bëjë kujdes, pasi gruaja i punon në shtet. Deri këtu ka arritur puna. U ngrit i gjithë shteti kundër një ekipi lagjeje për herë të parë në Shqipëri.
Keni tentuar të flisni me gjyqtarin përpara apo gjatë ndeshjes?
Në pushim të ndeshjes i kam thënë që "mos ma prish këtë biznes, pasi kam ardhur nga Londra dhe po investoj në këtë vend ku jeton edhe ti". Dhe ai më tha që "e kam mendjen te buka e kalamajve të mi'.
Gjithçka ka ndodhur në sy të delegatit dhe vëzhguesit, pasi unë i bëj gjërat hapur dhe jo në fshehtësi si disa që çojnë para. Pjesën e parë e ka mbyllur tri minuta para kohe, ndërsa të dytën gjashtë minuta para kohe.
Në fund të sfidës ka precipituar edhe situata ku lojtarët e mi janë acaruar shumë. Sigurisht, të të ikë një "ëndërr" nga duart në ndeshjen e fundit, nuk është pak.
Ne kishim një banderolë, "ëndrra vazhdon". Por, këta ta presin në mes shumë kollaj. Jam i vetmi president që nuk blej dhe shes ndeshje. Aq sa lojtarët e ekipeve rivale u kanë deklaruar futbollistëve të mi për mua që pse nuk hedh ndonjë lek.
U mundëm në ndeshjen me Vorën, pasi nuk u thashë dy milionë lekë. Aq kërkonin ata, pasi më thoshin se dikush tjetër u kishte ofruar dy milionë e gjysmë që të na mundin ne. Shikojini se çfarë skandalesh ka në ndeshjet e kësaj kategorie ku Vora fiton pjesën e parë 4-1 dhe pastaj mundet 5-6 nga Sukthi.
Nga ato që po deklaroni, duket se Kategoria e Dytë është si treg, kërkesë-ofertë kush jep më shumë...
Sigurisht që është e vërtetë. Si ka mundësi që Vora luan ndaj nesh sikur të ishte në Ligën e Kampioneve, në një kohë që unë u kam liruar fushën atyre, pasi në të kundërt do të përjashtoheshin nga kampionati. Dhe ata luajtën në mënyrë bastarde ndaj nesh. Unë kam ardhur të bëj diçka ndryshe. Në momentin që do të bëj këto gjëra siç i bëjnë të tjerët që ngjiten lart, atëherë tërhiqem nga e gjithë kjo histori.
Keni menduar të tërhiqeni?
Për momentin, jo. Jetoj në Londër dhe erdha në Shqipëri për të investuar duke dhënë rroga javë për javë. Vendosa që të sjell diçka ndryshe me djemtë e rrugicës. Që do të thotë, vetëm futbollistë shqiptarë dhe asnjë tjetër, kosovarë, nigerianë apo gjithfarë tjetër. Por, ky paska qenë "krimi" im.
BESAR BOZGO