Edicioni i 7 i Festivalit Ndërkombëtar për të drejtat e njeriut do të zhvillohet në Akademinë e Filmit dhe shkollës Marubi nga data 24 – 29 Shtator. Të gjithë mezi presim ta ndjekim! Shënojini këto data në kalendarin tuaj. Filma me temë për të drejtat e njeriut do të shfaqen në mbrëmje. Java e filmit do të pasurohet dhe me diskutimet e të rinjve nëpër forume që do të zhvillohen pasdite. Hyrja është e lirë dhe në qoftëse çdo gjë shkon mirë, kopshtet e Marubit do të jenë të hapura për vizitorët për të shijuar dhe një gotë verë gjatë mbrëmjeve – dhe pse jo të debatojnë për çështje të të drejtave të njeriut, ose për artin e prodhimit të filmave me producentët e njohur të disa filmave. Festivali është cilësuar si një aktivitet social kulturor mjaft i rëndësishëm.
Gjatë viteve kemi qenë dëshmitarë të mjaft arritjeve. Pyetja nuk është nëse ne duhet të kemi një festival apo jo. Ky festival vazhdon të tërheqë vëmendjen e mjaft partnerëve, sektorit privat dhe misioneve ndërkombëtare. Gjithë partnerët janë dakord se debati për të Drejtat e Njeriut nuk ka përfunduar. Në fakt, sa më shumë demokratike një shoqëri të jetë aq më shumë gjejnë vend debatet për të drejtat e njeriut. Ndërkohë, që çdo njeri nga ne po mendon për krizën lokale, globale ,rajonale ne duhet të nxitim mendimin që zgjidhjet afatgjata janë vetëm ato që mbrojnë dhe promovojnë dinjitetin dhe të drejtat e atyre që jan më të rrezikuar.
Filmat do të mbulojnë shumë tema të spektrit të të drejtave, por fokusi i festivalit të sivjetshëm është shkatërrimi dhe mbrojta e mjedisit. Shumë nga ne mund te indentifikohen me këto probleme. Ndërsa, pjesë të mëdha të mjedisit vazhdojnë të ndoten, pyjet digjen nga vetë dora e njeriut, ekologjistët vazhdojnë t’i bien zileve paralajmëruese, interesat ekonomike përplasen me kujdesin për ruajtjen e natyrës dhe të diversitetit , e në situata të tilla ne marrim një pozicion. Por, a përkthehet kjo në ndryshim të vërtetë të sjelljeve?
Ndryshimi do vijë nëqoftë se ata që janë përgjegjës për të vepruar janë vënë para përgjegjësisë. Kjo e fundit, është dhe nocioni më kyç për të Drejtat e Njeriut. Për të gëzuar të Drejtat e Njeriut nuk është e thënë se duhet të organizohen dhe me shumë trainime. Të drejtat e njeriut do të materializohen për të gjithë atë shtresë në nevojë të shoqërisë sonë në qoftëse përgjegjësit janë vënë përpara përgjegjësisë.
Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur. Indiferenca nuk është një alternativë e mirë. Nëqoftëse ne nuk kujdesemi, nëqoftëse ne nuk e ngremë zërin, nëqoftese nuk bëjmë pyetjet e duhura;nëqoftese nuk i vëmë para përgjegjësisë vendimarrësit ; nëqoftëse nuk ndihmojmë të forcohen institucionet demokratike që janë përgjegjëse për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri atëherë ndryshimi nuk do të ndodhë.
Këtu, Festivali Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut po jep një kontribut. Filmat dhe arti në përgjithësi janë mjeti më i fuqishëm që kemi për të dhënë mesazhin e duhur. Filmat jo vetëm argëtojnë,edukojnë, por gjithashtu provokojnë emocione, hapin pyetje, përpiqen të japin përgjigje. Ne shpresojmë shumë,që këto filma të na nxisin për të ndërmarrë veprimet e duhura. Ju ftoj të gjithëve përzemërsisht të bëheni pjesë e këtij festivali, ta shijoni atë nëpërmjet filmave dhe diskutimeve.
*Detlef Palm është përfaqësuesi i UNICEF –it në Shqipëri dhe Kryetari i Bordit të IHRFFA