“Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore e për këtë fakt, ai duhet të kthehet në burg”. Ky është thelbi i rekursit që Prokuroria e Apelit ka depozituar në Gjykatën e Lartë për të pandehurin, Ardian Fullani. Përmasat e rrezikshmërisë së Guvernatorit, prokurorët e Apelit i lidhin përveç se me faktin që ekziston mundësia e dëmtimit të provave, pasi Fullani, në kohën e kryerjes së veprës penale, ka qenë person i rritur, por edhe për shkak të impaktit që ka patur rasti në publik. Duke renditur kushtet dhe kriteret se përse ish-guvernatori duhet të kthehet në paraburgim, prokuroria thotë se kushti i parë ekziston, pra ka një dyshim të arsyeshëm dhe të bazuar në prova se ish-guvernatori ka shpërdoruar detyrën:
“Personi nën hetim, Ardian Fullani, është madhor, ç’ka e bën atë përgjegjës për veprën penale dhe gjithashtu nuk ekzistojnë shkaqe padënueshmërie të veprës për të cilën akuzohet personi nën hetim”. Prokuroria e Apelit në rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për ndryshimin nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” të masës së sigurisë për të pandehurin Fullani, rendit edhe gabimet që ka bërë gjykata në dhënien e këtij vendimi. Arsyetimikryesor lidhet me faktin se në treshen gjykuese ka marrë pjesë i ati i një avokati që mbron një tjetër të pandehur të së njëjtës dosje. Për prokurorinë, pjesëmarrja në masën për Fullanin e gjyqtarit Agim Bendo, në një kohë që ai është babai i avokatit që përfaqësonte një të bashkëpandehur tjetër, është një pengesë ligjore, çka do të thotë se ai për prokurorinë nuk duhet të ishte në trupën që shpalli masën për Fullanin. Për prokurorinë, pjesëmarrja e Bendos në këtë trupë gjyqësore e vë në dyshim paanësinë e Gjykatës së Apelit, pasi Bojken Bendo, djali i gjyqtarit të Apelit, është mbrojtësi ligjor i Gentian Jahjes, i i pandehur i të njëjtit proces.
“Ja pse duhet të kthehet në burg Fullani”
“Ne si organ akuze, vlerësojmë së pari se ekzistojnë kushtet për caktimin e një mase të sigurimit personal ndaj personit nën hetim Adrian Fullani. Në nenin 228 të K.Pr.P përcaktohen kushtet e përgjithshme dhe ato të veçanta për caktimin e masave të sigurimit personal si vijon: 1. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova. 2. Asnjë masë nuk mund të zbatohet kur ka shkaqe padënueshmërie ose të shuarjes së veprës penale. 3. Masat e sigurimit personal vendosen; a) Kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që venë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës; b) Kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet; c) Kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj për të cilin ai procedohet. Kushti i parë ka të bëjë me ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova. Personi nën hetim Adrian Fullani është arrestuar në bazë të vendimit të Gjykatës së Tiranës (në mungesë), pasi ndaj tij ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se ka kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Kushti i dytë ka të bëjë me caktimin e masave të sigurimit personal. Kur ekzistojnë shkaqe padënueshmërie apo të shuarjes së veprës penale nuk mund të zbatohen masat e sigurimit personal. Personi nën hetim, Adrian Fullani, është madhor, ç’ka e bën atë përgjegjës për veprën penale që dyshohet të ketë kryer. Gjithashtu, nuk rezulton të ekzistojnë shkaqe të tjera padënueshmërie të veprës ose shuarjes së saj si dhe nuk kemi parashkrim të kësaj vepre për të cilat akuzohet personi nën hetim Adrian Fullani. Kushti i tretë ka të bëjë me ekzistencën e nevojës së vendosjes së masave të sigurimit personal (kushtet e veçanta). Kjo nevojë ekziston pasi personi nën hetim Adrian Fullani mund të dëmtojë procesin e marrjes apo vërtetësisë së provave, për faktin e detyrës që ka patur si Guvernator.
Mund të dëmtojë provat
Lidhur me llojin e masës së sigurimit,një nen i posaçëm përcakton kriteret e kësaj mase. Në caktimin e masave të sigurimit, Gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret. Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe me sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Krahas kritereve të mësipërme, neni 230 i K.Pr.P përcakton edhe kritere të veçanta, lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”. Kjo masë mund të caktohet vetëm atëherë kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprës dhe të pandehurit. Në rastin konkret, për personin nën hetim, Adrian Fullani, ne si organ akuze me qëllim vlerësimin e vendimit lidhur me caktimin e një mase të përshtatshme, e cila do të garantojë nevojat e sigurimit, që lidhet me rrezikun që paraqet personi nën hetim Adrian Fullani, si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, për të dëmtuar procesin e provave, mbajmë parasysh sa vijon: Fakti për të cilin ka filluar procedimi penal konsiderohet shumë i rëndë, referuar jo vetëm sanksionit që parashikohet për veprat penale që dyshohet të ketë kryer personi nën hetim, por edhe impaktin që ka pasur kjo në shoqëri. Personi nën hetim, Adrian Fullani, rrjedhimisht paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, prandaj mendojmë ne se masa e sigurimit “arrest në burg” është më e përshtatshme nga çdo masë tjetër e sigurimit personal.
Pengesa ligjore
Apeli shkeli ligjin me trupën gjyqësore
"Në përbërje të trupit gjykues kanë marrë pjesë gjyqtarët Shkëlqim Miri, Agim Bendo dhe Alaudin Malaj. Kur është gjykuar çështja penale në ngarkim të personit nën hetim Gentian Jahja, pranë Gjykatës së Tiranës kanë marrë pjesë në gjykim mbrojtësit Maksim Ostreni dhe Bojken Bendo. Neni 16 i Kodit tw Procedurws Penale ndër të tjera thotë se: Në të njëjtin procedim nuk mund të marrin pjesë si gjyqtarë personat që janë ndërmjet tyre ose me pjesëmarrësit në gjykim, bashkëshortë, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungji)”.
Pjesëmarrja e gjyqtarit Agim Bendo duke qenë i njëjti procedim penal, nr 5454/2014, duke qenë gjithashtu për të njëjtën akuzë në bashkëpunim, neni 248 dhe 25 i Kodit Penal ka vënë objektivisht në dyshim paanësinë e Gjykatës së Apelit në gjykimin e kësaj çështje. Sipas nenit 128 te Kodit të Procedurës Penale, pika 1 germa “a” thuhet : 1. Aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me : a) Kushtet për të qenë gjyqtarë në çështjen konkrete.
Duke qenë se personi nën hetim Gentian Jahja është mbrojtur nga avokati, Bojken Bendo, duke qenë gjithashtu se jemi përpara të njëjtit procedim nr 5454/1014 dhe se personi nën hetim Gentian Jahja është në bashkëpunim, mendojmë se gjyqtari Agim Bendo kishte pengesë ligjore për të marrë pjesë në gjykimin e kësaj çështje: Një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm”.