Një ditë më parë, Ministria e Brendshme i mohoi raportimet se ekziston një raport i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Artan Didi, për vrasjen e bankierit Artan Santo. Por Abc News, që ka publikuar raportin, tregoi sot një kopje t tij me firmën e Didit. Për këtë televizion, ky nuk është rasti i parë që zëdhënesit e policisë gënjejnë për eprorët e tyre. Të njëjtin qëndrim zyrtar, policia e mbajti edhe kur mediat zbuluan se një sasi tritoli u vendos poshtë automjetit të dëshmitarit të mbrojtur në procesin kundër Arben Frrokut.
Lajmi u përgenjështrua si i pavërtetë, por gjithçka u verifikua pas publikimit të komunikatës së policisë, që pranonte vendosjen e tritolit në makinën e dëshmitarit. Edhe njëherë, policia përgënjeshtroi vetveten pasi në komunikatën e brendshme të publikuar në faqen zyrtare faktohej ngjarja, e cila ishte mbajtur e fshehtë. Kulmi i qëndrimeve kontradiktore ishte versioni i shoqërimit të një nëne së bashku me vajzën e saj për rilidhje të paligsjhme të energjisë. Fillimisht Ministria e Brendshme lajmëroi se e dyshuar për vjedhjen e energjisë është shtetësja me inicialet N.N dhe për këtë arsye është shoqëruar në Komisariat. Por disa orë më vonë në një dalje publike për mediat, policia e Tiranës tha se në asnjë rast e dyshuara nuk është shoqëruar në komisariat.