Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me dikastere të tjera janë në fazat e fundit të përpilimit të draftit të një projektligji, që parashikon ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, duke i përafruar më shumë standardeve europiane. Gjithashtu, këto ndryshime do të ndërmerren me qëllim edhe të rritjes së sigurisë rrugore. Disa nga ndryshimet që mund të theksohen janë kategorizimi i lejedrejtimeve të mjeteve, sipas direktivës së BEsë 2006/126/EC. Gjithashtu, do të ndryshojë edhe kohëzgjatja e vlefshmërisë dhe e rinovimit së lejedrejtimeve, sipas kategorive dhe moshës, duke u pasur kusht plotësimin e kritereve psiko-fizike, të cilat priten të ashpërsohen. Gazeta “Shekulli” zbardh pjesë të draftit të projektligjit, sipas të cilit parashikohen ndryshimet në Kodin Rrugor.
Kategoritë
Për t’u aftësuar në drejtimin e mjeteve rrugore, në bazë të draftit të projektligjit, në bazë të cilit synohen të ndërmerren ndryshime në kodin rrugor, kriter kryesor është moshë. Si rrjedhojë, mosha minimale për të marrë lejedrejtimi për mjete të caktuar, varion nga 16 vjeç deri në 24 vjeç. Ndërkaq, për të marrë lejedrejtim për mjete të tonazhit të lartë, nevojitet edhe aftësimi me lejedrejtimi të mjeteve të kategorive më të ulëta, si edhe përvojë në drejtimin e këtyre të fundit. Për të integruar këtë sistem të ri të kategorizimit të lejedrejtimeve parashikohet ndryshimi i Nenit 114 “Kërkesat për drejtimin e mjeteve dhe kafshëve”, të Kodit Rrugor, sipas Nenit 22 të draftit të projektligjit. Për sa më lart, kategorizimi i lejedrejtimeve “A”, “B”, “C”, “D”, “E”, që është aktualisht në Kodin Rrugor, pritet të ndryshojë në “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “BE”, “C1”, “C1E”, “C”, “CE”, “D1”, “D1E”, “D”, “DE”.
Rinovimi
Duke qenë se kategorizimi i lejedrejtimeve për mjete të ndryshme rrugore pritet të ndryshojë, edhe kohëzgjatja e vlefshmërisë së lejedrejtimeve do të ndryshojë, kryesisht në varësi të moshës. Si rrjedhojë, për lejedrejtimet e kategorive “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “BE”, deri në moshën 50 vjeç do të jenë të vlefshme për 10 vjet. Mbi moshën 50 vjeç e deri në moshën 70 vjeç do të jenë të vlefshme për 5 vjet, ndërsa mbi moshën 70 vjeç e deri në moshën 80 vjeç, vlefshmëria e lejedrejtimeve për kategoritë e mësipërme do të jetë 3 vjet. Lejedrejtimet e kategorive “C1”, “C1E”, “C”, “CE” do të kenë një vlefshmëri 5-vjeçare për personat deri në 65 vjeç dhe një vlefshmëri 2-vjeçare për personat mbi 65 vjeç. Për sa u përket kategorive të lejedrejtimeve “D1”, “D1E”, “D”, “DE”, për personat deri në moshën 60 vjeç vlefshmëria e lejedrejtimit është 5 vjet, ndërsa për ata mbi 60 vjeç është 3 vjet. Pas moshës 80-vjeçare, lejedrejtimet duhet të rinovohen vit për vit dhe kandidatët duhet të përmbushin kërkesat psikofizike të përcaktuara nga legjislacioni. Këto ndryshime shpjegohen në Nenin 33, të draftit të projektligjit për ndryshime në Kodin Rrugor.
Lejedrejtimet e veçanta
Për personat me aftësi të kufizuara parashikohen rastet kur ata mund të aftësohen me lejedrejtime të kategorive të ndryshme. Në bazë të ndryshimeve, që priten të ndërmerren në Kodin Rrugor, lejedrejtimet e veçanta për kategoritë “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “BE” do të kenë një vlefshmëri 5-vjeçare për personat deri nê moshën 60 dhe 3-vjeçare për personat mbi moshën 60 vjeç. Ndërsa, për kategoritë “C1”, “C1E”, “C”, “CE”, vlefshmëria e lejedrejtimit do të jetë 5 vjet, për personat deri në moshën 50 vjeç. Këto kategori lejedrejtimesh, për persona mbi 50 vjeç dhe deri në 65 vjeç, do të jenë të vlefshme për 3 vjet. Ato nuk mund të rinovohen pas moshës 65 vjeç. Ndërkaq, personat me aftësi të kufizuara nuk mund të aftësohen për lejedrejtimet e kategorive “D1”, “D1E”, “D”, “DE”.