Ja si ju falen 6 vite burg vrasesit te turisteve Ceke

Ja si ju falen 6 vite burg vrasesit te turisteve Ceke

Cili është vendimi që i dha lirinë e parakohshme Sokol Mjacajt dhe dosja gjyqësore ku akuzohej që bashkë me dy vëllezërit Kodra vranë fëmijën 13-vjeçar, Agim Lera. Krimi për një varëse floriri dhe vendimi i çuditshëm i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, që një prej të dyshuarve kryesorë për vrasje nga dënim me burg përjetë i dha 25 vite dënim, ndërsa Mjacajt menjëherë i fali gjashtë vite


Nëse ngjarjet do viheshin në peshore, nuk dihet se cila është krimi më i madh; vrasja e dy turistëve çekë nga një 20-vjeçar me rekorde të rënda kriminale, apo lirimi i autorit të dyshuar nga burgu, pa kryer as gjysmën qesharake të një dënimi të dhënë.

Kështu, duke parë dosjen gjyqësore të të dyshuarit Sokol Mjacaj, ngjan se gjyqësori i ka dhënë lirinë e parakohshme jo vetëm për t’u rehabilituar, por indirekt për të kryer një tjetër krim të rëndë, vetëm një muaj pasi la qelinë e burgut. Burgosja e parë e Mjacajt nis në vitin 2010, kur ai ishte 15 vjeç, pasi mori pjesë në masakrimin për vdekje të 13-vjeçarit, Agim Lera. Kjo ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Pjollë të komunës Shalë, në vitin 2010.

Dyshohet se Mjacaj në bashkëpunim me vëllezërit Edmond dhe Besnik Kodra vranë në rrethana rënduese një fëmijë vetëm 13 vjeç, për një varesë floriri. Pasi i rrëmbyen varësen, ndaj fëmijës krejt të mitur ushtruan dhunë të rëndë duke i përplasur kokën në gurë dhe më pas mbytur me duar. Për të humbur gjurmët, trupin e fëmijës e hodhën në lumë.

Pak muaj më pas u arrestuan Mjacaj dhe dy vëllezërit Kodra, të cilët ishin në moshë madhore. Ata në gjykatë nuk e pranuan krimin, por sërish për treshen gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës dënoi me burgim të përjetshëm Besnik Kodrën, vëllanë e tij Edmondin me 11 vjet, ndërsa të miturin 15-vjeçar me dhjetë vite. U konsiderua si një “lehtësim” për familjarët e djalit 13-vjeçar të vrarë në mënyrën më të tmerrshme të mundshme, por “drejtësia” di të manovrojë.

Apeli

Që në fillim dy vëllezërit pretendonin pafajësinë, duke mohuar çdo akuzë, por prokuroria përveç disa provave shkencore, kishte edhe dëshminë e Sokol Mjacajt. Ai kishte treguar ngjarjen dhe më pas edhe vendin ku ishte hedhur trupi i fëmijës. Të gjitha deklarimet e tij rezultuan të sakta, duke e rënduar pozitën edhe të dy vëllezërve. Për institucionin e akuzës, goditjen fatale të përplasjes së kokës në gurë e kishte dhënë Besnik Kodra, ndërsa vëllai i tij Edmondi dhe Sokol Mjacaj kishin bashkëpunuar dhe dhunuar fëmijën. Gjithashtu rezulton se personi që kishte çuar në “pritë” fëmijën dyshohet se është Sokol Mjacaj.

Teksa vendimi ishte marrë në shkallën e parë të gjyqësorit, avokatët mbrojtës të dy vëllezërve apeluan vendimin. Pikërisht në këtë gjykatë do vinte ndryshimi i madh për të akuzuarit. Gjykata e Apelit, në dhënien e vendimit në vitin 2013, ka pranuar pjesërisht kërkesën për rihapjen e hetimit në ngarkim të tre të pandehurve, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë për Edmond Kodrën, pra dënimin e tij me 11 vjet burg, ndryshimin e vendimit për vëllanë e tij, Besnik Kodra, nga burgim i përjetshëm në 25 vjet burg, si dhe ndryshimin e vendimit për të pandehurin Sokol Mjacaj.

Ai, nga dhjetë vite që ishte dënuar në shkallën e parë, u dënua me vetëm katër vjet. Pala gjykuese në Apel kryesohej nga gjyqtarja Marina Rraboshta, ndërsa kishte në krah edhe dy anëtarët, kolegët e saj, që ishin në një mendje për ndryshimin e vendimit. Teksa u dha vendimi, menjëherë në sallën e gjyqit dhe pas saj pati përleshje të ashpra mes familjarëve të të akuzuarve dhe atyre të fëmijës së masakruar. U gjakosën mes tyre, u vranë fizikisht e shumë shpirtërisht familjarët e djaloshit vetëm 13-vjeçar, por kjo ishte drejtësia e dhënë.

Vendimi i dyshimt

Fakti që edhe Gjykata e Apelit njohu fajësinë, por zbuti dënimet, ngjalli jo pak reagim. Së pari ajo i njohu si fajtorë të tre personat, por bëri dy “ndere” fort të mëdha. Së pari për të akuzuarin kryesor, Besnik Kodra, pasi për të nga dënim me burg përjetë i dha 25 vite, por pa argumentuar qartë se përse ky vendim gati në ekstrem.

Ndërkohë ka lënë në fuqi vendimin me 11 vite për të vëllanë, ndërsa “mëshiroi” thuajse krejtësisht Sokol Mjacajn, kur për të dha vetëm katër vite burgim, paçka krimit të rëndë që kishte ndodhur. Por sërish asnjë nga gjyqtarët që morën vendimin nuk u procedua, ndonëse familjarët u rivranë pasi vendimi ishte pro të akuzuarve.

Nuk dihet tashmë se çfarë do të ndodhë me treshen e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, ku pas vrasjes së tre turistëve çekë është rikthyer edhe një herë problemi i madh që ndodh me drejtësinë. Ku persona të akuzuar për krime të rënda dënohen pak dhe në një kohë të shkurtër fitojnë lirinë, duke iu rikthyer krimeve dhe lënë pasoja të rënda.

Ai vetëm para një muaji kishte lënë qelitë e burgut të Shën Kollit në Lezhë, por tashmë kreu një krim mjaft të rëndë, duke lënë të vdekur në vend dy turistët çekë që erdhën në Shqipëri për turizëm, por u kthyen në vendlindje me arkivole, pasi ranë në pritë nga një grabitje e mundshme.

Ministri i Rendit dhe kryepolici shigjetojnë gjyqësorin

Në momentin që u konfirmua zyrtarisht se autori i dyshuar i vrasjes së dy turistëve ishte arrestuar nga policia në fshatin Grudë e Re në Shkodër, reagoi edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në postimin e tij, Tahiri falenderon forcat e policisë dhe banorët e Dukagjinit. Ministri i Brendshëm shprehet se personi i arrestuar ndoshta duhet të ishte në burg për krimet e mëparshme.

“Faleminderit policisë dhe banorëve të Dukagjinit për arrestimin në kohë rekord të njeriut, që ndoshta duhet të ishte ende në burg për krimet e mëparshme, e jo të vriste përsëri”, shkroi ministri.

Në këtë mënyrë ai ka lënë të kuptohet se vendimi i gjykatës dhe problemi i drejtësisë në vend po shkakton mjaft probleme. Sepse direkt gjyqtarë të ndryshëm duke dhënë dënime të ulëta, shumë më pak seç e parashikon ligji, sjellin pasoja të rënda. Gjithashtu, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, në një prononcim të shkurtër nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës ishte në të njëjtën linjë me ministrin, ndërkohë ka siguruar se rendi do të jetë prioritet kryesor në zonat turistike.

“Dua të siguroj që të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që bëhen pjesë e guidave dhe lëvizjes në Shqipëri se ata do të jenë më se të sigurt tash e tutje. Do të marrim masa që t’u vëmë në dispozicion çdo shërbim”, – tha Çako. Ndërkohë në lidhje me vendimin e gjykatave, duke iu referuar rastit të Mjacajt, kreu i Policisë së Shtetit tha se “jemi duke analizuar në mënyrë të detajuar edhe arsyet pse ky kriminel gjendet jashtë, pasi ka qenë edhe më parë i dënuar për tentativë vjedhjeje me pasojë vdekjen e një fëmije”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama