Mediet amerikane kanë publikuar një tjetër video të dy terroristëve Said dhe Cherif Kouachi, duke i hapur zjarr policisë. Video e regjistruar me telefon, tregon sesi arrijnë vëllezërit t'i shpëtojnë policisë.
Pamjet e publikuara nga BBC tregojnë sesi vëllezërit terroristë pas masakrës në ambientet e redaksisë së revistës satirike të “Charlie Hebdo”, mbushin armët dhe qëllojnë ndaj policisë së Parisit. Sipas mediave ndërkombëtare, një nga vëllezërit thërret se sulmi që sapo kanë kryer ndaj “Charlie Hebdo” e kanë bërë për t’u hakmarrë për profetin Muhamed.
"Ne u hakmorëm për Profetin Muhamed! Ne sapo vramë “Charlie Hebdo", thotë një nga vëllezërit duke drejtuar gishtin lart.
Më pas të dy vëllezërit hynë në makinë dhe nxitojnë për t’i shpëtuar policisë, por ndeshen me një makinë të patrullës policore e cila është drejtuar për nga vendi i masakrës në redaksinë e “Charlie Hebdo”.
Dy vëllezërit dalin sërish nga makina dhe nisin të shtënat me breshëri ndaj makinës së policisë, e cila e gjendur në këtë situatë detyrohet të kthehet pas. Por vëllezërit nuk e ndërpresin këtu shkëmbimin e zjarrit me policinë, ata vazhdojnë të qëllojnë drejt forcave të rendit franceze.
Menjëherë pas masakrës së 7 janarit, u shpërnda video ku terroristët në mënyrën më gjakftohtë pasi plagosën qëlluan me plumb në kokë policin mysliman Ahmed Merabet.
Nga sulmi i xhihadistëve i cili përfundoi pas tre ditësh, humbën jetën 17 persona.