Policia e Durrësit ka dhënë detaje mbi arrestimin e Ermal Hoxhës, nipit të ish –diktatorit Enver Hoxha, në operacionin antidrogë që çoi në goditjen e një rrjeti drogë shqiptaro –kolumbian. Sipas policisë, 40 –vjeçari u prangos rreth orës 13.30 në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes së tij, këngëtares Rezarta Shkurta. Në komunikatën e policisë thuhet se “Ermal Hoxha, biri i Ilirit dhe Teutës, lindur dhe banues në Tiranë, në rrugën “Foto Xhavella”, tek Unaza e Re, u kap nga efektivët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, në funksion të procedimit penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda”.
Hoxha dyshohet të kishte rol organizatori në rrjetin e narkotrafikut që sillte kokainë nga Kolumbia për ta përpunuar në laboratorin e zbuluar në Xibrakë të Elbasanit dhe për ta shitur më pas në vende të tjera të Europës. Burime nga grupi hetimor thanë për Lapsi.al se Prokuroria për Krimet e Rënda ka pamje filmike, foto e përgjime telefonike që vërtetojnë rolin e Ermal Hoxhës në këtë organizatë kriminale. Ai rezulton të jetë filmuar dhe fotografuar duke hyrë dhe duke dalë nga laboratori i drogës, ndërsa përgjimet telefonike tregojnë se ai ka komunikuar me anëtarët e tjerë të rrjetit të narkotrafikut. Në operacionin që u koodinua edhe më policinë gjermane, u arrestuan 11 persona, 9 shqiptarë dhe 2 kolumbianë. (Në video pamje të reja të laboratorit ku përpunohej droga e ardhur nga Kolumbia).