Ja si vidhnin me dhune Gjahtaret e nates karburantet

Ja si vidhnin me dhune 'Gjahtaret e nates' karburantet

Policia e Tiranës ka arrestuar dje gjashtë persona, të cilët dyshohet se kanë kryer një sërë grabitjesh me dhunë në disa pika të karburanteve në rrethe të ndryshme të vendit. Arrestimi i tyre u bë nga forcat e policisë së komisariatit numër 1 në kryeqytet, ndërsa në pranga kanë rënë gjashtë shtetas dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

“Sot strukturat e komisariatit numër 1 në Tiranë pas një hetimi të kujdesshëm bënë të mundur kapjen e një grupi të strukturuar kriminal me tendencë vjedhjen me dhunë në disa qytetet të vendit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjahtarët e natës” u arrestuan në flagrancë shtetasit e mëposhtëm”:

Orgelc Halmusaj 24 vjeç banues në Kamëz

Aleksandër Daci 26 vjeç banues në Kamëz

Kristi Koleci 22 vjeç banues në Bathore

Bashkim Mëllungja 30 vjeç banues në Bathore

Ndue Deshaj 27 vjeç banues në Bathore

Fredi Mëllungja 26 vjeç banues në Kamëz

Si dhe është shpallur në kërkim Gentian Lika

Të gjashtë shtetasit e lartpërmendur u kapën përgjatë momenteve të përgatitjes së një vjedhje me dhunë të një pike karburanti të ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Pogradec.

Të ndaluarve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy automjete tip “Volsvagen Golf” dhe “Benz”, të cilat dyshohet se i kanë përdorur për të kryer vjedhjet me dhunë.

Sipas shefit të komisariatit numër 1 në Tiranë, të arrestuarit janë autorë të dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër të cilat:

- Më datë 16 nëntor 2013, vjedhja e një pike karburanti në Laç

-24 janar 2014, vjedhja e një pike karburanti në Bërzhitë

-13 janar 2014, vjedhja e një pike karburanti në Laç

-15 janar 2014, vjedhja e një pike karburanti në Burrel

-17 janar 2014, vjedhja e pikave të karburantit në Lushnjë dhe Vorë

Nga ana e policisë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së këtij grupi dhe identifikimin e lidhjeve të tjera të mundshme kriminale, ndërsa materialet procedurale do ti kalojnë për ndjekje të mëtejshme prokurorive të rretheve gjyqësore Tiranë, Mat, Laç dhe Lushnjë.

 

 

 

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama