Këto lloje celularësh në faqet teknologjike të Daily Mail, ZDnet, Cnet herë pas here zënë vende kryesore.
Nokia 808 PureView
Kohët e fundit nuk është duke shënuar rezultate të mira me telefonat e saj, sidomos me ata të sistemit operativ “Symbian”, por “Nokia“ gjithmonë ka ditur të shpikë pajisje me kamera të mira. Tani telefonat e saj i ka përmirësuar në një nivel edhe më të lartë, kur bëhet fjalë për kameran. Para disa javësh, zyrtarisht është prezantuar telefoni Nokia 808 PureView, i cili posedon kamera prej 41 megapikselë, ku gjenden më shumë pikselë se në shumicën e fotoaparateve në treg, për shkak të teknologjisë së veçantë. Çmimi i kësaj pajisje është rreth 550 euro.
Samsung Galaxy S3
Pajisja e paralajmëruar për një kohë të gjatë nga gjiganti jug-korean nuk dëshpëroi asnjë. Përveç karakteristikave të shkëlqyera, ajo sjell edhe kameran cilësore. Ka tetë megapikselë, njësoj sikur edhe pararendësit e këtij telefoni, por te ky telefon janë përmirësuar disa gjëra, nga të cilat më shumë softueri. Ngjyrat që ofron janë “shumë të gjalla”, ndërsa e tërë fotografia është mjaft e qartë. Gjëja më e mirë që e ofron kjo pajisje natyrisht që është shpejtësia e punës dhe fotografimit, e cila është në nivel shumë të lartë dhe e bën këtë telefon të veçantë. Samsung Galaxy S3 kushton rreth 500 euro.
HTC One X
Telefoni i shkëlqyeshëm i kompanisë tajvaneze është një konkurrent i denjë i kompanive tjera, kur bëhet fjalë për harduerin dhe softuerin, e posaçërisht kamerën. Sikurse dhe shumica e telefonave të kësaj gjenerate, edhe ky posedon tetë megapikselë, por ‘HTC’ ka përgatitur edhe disa përmirësime softuerike me qëllim të një fotografie sa më të mirë. Posedon mundësinë e fotografimit në “HDR”, sikurse edhe “Burst”, mënyrë e cila realizon katër fotografi në një sekondë, derisa përdoruesi mund ta lëvizë lirisht telefonin. Telefoni i mençur HTC One X kushton 450 euro.
iPhone 4S
Edhe pse ka më shumë se një vit që ka dalë në treg, iPhone 4S futet në mesin e telefonave më të mirë në të gjithë përbërësit e tij, dhe kështu edhe tek kamera. Kompania “Apple” me këtë model prezantoi edhe disa përmirësime të duhura, të cilat ishin mjaft të nevojshme, si bie fjala ofrimi i 73 për qind më shumë ndriçim në krahasim me kameran paraprake. Është përshpejtuar edhe mënyra e tij e punës, që do të thotë se edhe fotografitë janë më cilësore, shumë më të ndritshme dhe me ngjyra të pastra. Ky telefon kushton rreth 600 euro.