Në kapitullin "Skemë gjenealogjike e derës së Gjon Buzukut", ai shkruan se "Gjon Dedë (Bdek) Buzuku është pasardhës i familjes së njohur Renësi-Buzuku, derë e njohur në mesjetën shqiptare. Selinë kjo derë e lashtë e kishte në fshatin Renësi (Ranasi) të Mjedës, sot i zhdukur nga përmbytjet dhe nga prurjet shekullore të lumit të Drinit dhe Gjadrit, fshat i afërt me Mjedën dhe me Danjën e famshme e në krahun tjetër Vigun, në kufi me Hajmelin". Sipas Brahajt, Renësi ishte fshat i dyzuar me Renësin e Shëngjinit, ku kjo derë kishte prona dhe qytezën sipër portit, aty ku sot është fshati Mali i Renësit. "Pasardhësit e familjes Renësi, të cilët mbajnë dhe mbiemrin Buzuku (Buziko, në dok. e gjuhës italiane), luajtën një rol me rëndësi në veprimtarinë në të mirë të çlirimit të atdheut nga pushtuesi turk", vëren autori në studimin e tij.
Ai shton se ata (pra familja Buzuku), sipas interesave të Shqipërisë, në fillim përkrahën e i shërbyen Napolit, sa ishte në aleancë me Skënderbeun. "Kur Venediku përkrah Skënderbeun e Ri, në ekspeditën për çlirimin e Shqipërisë, ata ikën pa leje nga Napoli dhe u vunë në shërbim të Skënderbeut të Ri e të Venedikut. Po kështu Renësi-Buzukët, i shohim në shërbim të Mbretit të Spanjës, kur ky e shpalli veten si mbrojtës i interesave të popullsisë së pushtuar nga Turqia", bën me dije Jaho Brahaj. Studiuesi thotë se, Buzukët gjithmonë kanë ngelur në shpirtin e tyre shqiptar dhe shembull për këtë është ndihma e tyre financiare, që kurorëzoi punën e palodhur të njërit prej tyre, Gjonit të Dedë Buzukut, me përkthimin e botimin e "Mesharit".
Në hulumtimet për derën, që nxori Gjon Dedë Buzukun, rezultojnë edhe të dhëna, që flasin për historinë mesjetare të paraardhësve të Renësi-Buzukëve, Buzëzezët, derë shqiptare shumë e njohur, me fillime të njohura që në shek. XI.
Gjenealogjia
Më poshtë, nga libri i Brahajt kemi shkëputur fragmentin, "Skemë gjenealogjike e Derës së Gjon Buzukut", që po e botojmë të plotë pa ndërhyrjen tonë: Nga radha e pjesëtarëve të derës Buzuku (Buzikio,Buzukio) krahas shumë personaliteteve që kanë se çfarë t'i thonë historisë së kombit tonë, kemi dhe këto të dhëna. Në vitin 1474, në dokumentet për stratiotët e kësaj dere njihemi me Pjetër Buzukin. Po ky person, në vitin 1484, më 21 maj, pasqyrohet; Pjetër Renës.
Në vitin 1482, po në dokumentet arkivore veneciane kemi një informacion të zgjeruar rreth pjesëtarëve të kësaj familjeje, që është rebeluar në More (Greqi). Njihemi që Meksa Buziki është vëlla i Pjetrit dhe i Dumës. Pra kemi tre vëllezër.
Në vitin 1493, Leka (Lecha) Renësi, është fitues i provizionit nga ana e Venedikut, sepse i është vrarë babai, Pjetër Renësi-Buziku. Provizionin e përfiton bashkë me nënën (gruan e Pjetrit) dhe tri motrat e tija (bijat e Pjetrit). Kjo datë është edhe njoftuesja, që Pjetër Buziku ka vdekur në luftime.
Në vitin 1498, bijtë e po këtij Pjetri: Leka, Deda (Dominiki), dhe Progoni përfitojnë një provizion vjetor me pagesë në katër këste vjetore, por me detyrimin, që të mbajnë secili nga një kalë të mirë për t'i shërbyer Sinjorisë (Venedikut). Ky dokument na njeh që Pjetër Buziku, i cili siç e dimë, ka vdekur para vitit 1493, ka lënë tre djem dhe tri vajza. Këtu kemi një veçori me pasqyrimin e pasardhësve të Pjetrit. Si e pamë në dok. e vitit 1493, Leka jetim përmendet me nënën dhe tri motrat, kurse në vitin 1498, përmenden edhe dy vëllezërit e tjerë të Lekës (bij të Pjetrit), Deda dhe Progoni. Këta të tre, tani deri sa detyrohen të mbajnë nga një kalë për t'i shërbyer Sinjorisë, janë në moshën mbi 21 vjeçare. Atëherë, Leka, në vitin 1493, duhet të këtë qenë i vogël, (nën moshën 17 vjeç), deri sa në këtë vit përfiton provizion, ndërsa dy vëllezërit e tjerë duhet të kenë qenë mbi moshën 18-vjeçare. Duma në ditët e fundit ka jetuar në Kandia (Kretë) dhe po këtu jeton i biri Nikolla.
Më 4 mars 1510 marrim vesh se ka vdekur Dedë Buziku dhe kryesimin e kompanisë së kalorisë e merr Gjergj Buzuku, nipi i tij. Me datën 8 të këtij muaji njihemi se fëmijëve të tij (të Dedës) nga Venediku ju jepet provizioni. Këtu në këtë dokument nuk na jepet emri i djalit të tij, por saktësohet provizioni që jepet për bijat, që janë tri. E madhja është Angjelina, (Angelina), që do përfitojë më shumë, si duket nga që është në moshën e martesës.
Motrat e vogla janë Dukja, (Duchina), dhe Lukja, (Luka). Mungesa e informacionit për birin e Dedës (Dominiki), që nuk ja njohim as emrin, është një boshllëk dokumentacioni, por edhe nëqoftëse dokumenti do na jepte emrin e tij, ai do na zbulonte vetëm si e kishte emrin, para se të dorëzohej në gjirin e urdhërit fetar, sepse dimë që në këtë rast emri ndërrohej dhe Gjoni, autori i Mesharit nuk ka pasur këtë emër në pagëzimin e tij. Duke u nisur nga të dhënat e mësipërme, mosha e tij duhet të këtë qenë e një fëmije të njomë në vitin e vrasjes së babait. Vdekja e babait të Gjonit, Dedës, është e vitit 1510, ai duhej të ishte afërsisht 10-vjeçar. Në dokument nuk përmendet as nëna e tij. Për pasardhësit e Meksës nuk kemi të dhëna.
Duma, vëllai tjetër, ka djalë Nikollën dhe Gjergjin dhe kemi informacion se ky i pari ka një vajzë. Edhe për Dumën njihemi që ka vdekur, (është vrarë), në vitin 1498 në Kretë. Djalë tjetër të tij Gjergjit i jepet: "...kryesia e njëzetekatër kalorësve që deri tani i kishte i ndjeri (Domenik) Dedë Buziku, xhaxhai i tij...". Këtë Gjergjin, në vitin 1528, e shohim të jetë kapedan kalorësie në Pulje. Deri këtu kemi këtë skemë të gjenealogjisë së Gjon Buzukut: Meksa - Pjetri - Duma janë vëllezër.
1) Për Meksën nuk kemi të dhëna për pasardhësit.
2) Pjetri ka tre djem: Lekën, Dedën dhe Progonin dhe tri vajza, të cilave nuk ua dimë emrat.
3) Deda, i biri i Pjetrit, ka tri vajza me emrat Angjelina, Dukja dhe Lukja që janë motra të Gjonit, autorit të Mesharit.
4) Duma dimë se ka dy djem; Nikollën dhe Gjergjin.