Jaho Madama Butterfly misherim i gruas shqiptare

Jaho: 'Madama Butterfly', misherim i gruas shqiptare

Pas provave gjenerale, ku salla e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si rrallëherë ishte mbushur plot e përplot, Ermonela Jaho rikthehet sonte para publikut me premierën e “Madama Butterfly” të Xhiakomo Puçinit. Në një bisedë paraprake për mediet, ajo tregon emocionet pas provave gjenerale, së bashku me kolegët e tjerë dhe me regjisorin Nikolin Gurakuqin dhe drejtorin e TKOB-së, Ilir Kernin. Jaho ka realizuar rreth tetë produksione të “Madama Butterfly”. “Për herë të parë e kam realizuar para 5 a 6 vjetësh, por deri më tani unë kam realizuar rreth tetë produksione të kësaj opere”. Qysh në fillim dëshira e saj ka qenë që interpretimin e këtij roli, t’ua dhurojë prindërve të saj. Por vështirësitë që ka hasur rrugës, qofshin këto edhe nga ana dramatike e operës, kanë bërë që ta realizonte pak kohë më vonë. “Për mua të kënduarit është shumë shpirtëror. Është një lloj katarsis ku gjej paqe, aty unë gjej vetveten, sepse është e vetmja mënyrë ku unë shpreh shpirtin tim”. Jaho ka pranuar që këtë rol kaq të vështirë ta interpretojë, sepse me të ka disa cilësi të përbashkëta. “Kam pranuar të bëjë këtë rol dhe kjo nuk ka qenë e lehtë, sepse vështirësitë vokale janë të mëdha. Por unë kam bërë një marrëveshje, sepse edhe sot e kësaj dite përpiqem vazhdimisht që të përmirësoj vetveten, e mira nuk ka fund asnjëherë”. Interpretimi i artistes sonë të madhe është i përbërë nga dashuria për vendin dhe për njerëzit e saj.

 “Me “Madama Butterfly”, e djeshmja më ka tingëlluar pak si e dhënë, sepse jam kthyer në vendim tim dhe kjo është shumë emocionuese. Me të gjithë kolegët flisnim të njëjtën gjuhë, ka qenë një emocion i përbashkët. Sepse kur je  në vendin tënd me artistë që flasin njëlloj me ty, kjo është një gjë e veçantë, që me fjalë nuk mund ta shpjegoj dot, sepse kam qenë e emocionuar gjatë gjithë interpretimit”. Arsyeja pse Jaho ka zgjedhur që të interpretojë këtë operë është sepse te “Madama Butterfly” gjen të mishëruar femrën shqiptare, vështirësitë dhe sakrificat që kalon ajo. “Përzgjedhja e kësaj pjese ka të bëjë me arsye sentimentale. Por realizimi i saj konkret mu bë vetëm falë mbështetjes edhe nga Teatri i Operës dhe Baletit. Janë   këto arsyet përse unë e kam zgjedhur, por edhe sepse është një rol shumë dramatik dhe emocional. Unë mendoj se ne shqiptarët jemi kaq dramatikë dhe emocionalë, saqë në art këto cilësi japin një ndikim shumë të fortë, ndërsa për në fushat e tjera nuk mund të flas. Këtu flitet në gjuhën e zemrës, prandaj mendoj se,   nëpërmjet kësaj opere do të prezantohen të gjitha femrat shqiptare”. Çfarë personifikon fëmija që mban në krahë “Madama Butterfly” Sipas Jahos, ky fëmijë është një personazh shumë i rëndësishëm.

 “Është e vetmja dashuri që mban në këmbë jetën e “Madama Batterfly”. Ai nuk është rastësisht aty. Fëmija në rol është vetëm 3 vjeç, por ai është gjëja më e bukur, që “Madama Batterfly” në të gjithë atë dramë që ndodhet, e tërheq në botën e tij. Kjo është një gjë e bukur”. Ndonëse Jaho është larguar nga Shqipëria rreth 25 vjet më parë, ajo ende mban mend se çfarë femrat shqiptare kanë qenë të destinuara të bënin. “Zgjedhja e këtij personazhi ishte një homazh për shpirtin e gruas shqiptare. Një femër shpreson si një fëmijë, aq sa vetësakrifikohet si një profete. Këtë rezonim e kam parë qysh kur kam qenë e vogël, në të gjitha format. Kam asimiluar këtë lloj ngjashmërie të nënave dhe të grave shqiptare, që sot e kësaj dite vazhdon të ekzistojë ende”. Ajo tregon se për realizimin e rolit, në një farë mënyre është ndierë komode, sepse realisht e ka ndierë këtë rol, nga jeta e femrave shqiptare. “Ato gra dhanë atë copë jete, që ende e jetojnë edhe gratë tona. Nuk po them që vrasin veten në fund, por ajo ndjeshmëri që kanë gratë shqiptare, përcillet edhe nëpërmjet interpretimit në skenë. Interpretimi flet më shumë se fjala”. Ermonela Jaho rikthehet në skenën e Teatrit të Operës pas 7 vjetësh.

Ajo tregon se dëshira për të interpretuar në këtë skenë nuk ka munguar asnjëherë, por kushtet dhe mungesa e komunikimit, që ka ekzistuar më parë në këtë institucion ka bërë që çdo plan të prishej në momentin e fundit. “Unë jam rikthyer sepse kësaj here nga ana njerëzore ka funksionuar disiplina. Artisti i ka folur artistit. Artisti nuk i ka folur biznesmenit apo politikanit. Ka qenë një lloj disipline, një lloj korrektësie, që në fund të fundit mbetet gjëja më kryesore. Ne kemi shkëmbyer mendime. Tani jam kthyer në këtë shtëpi me krahë gjigantë, në një shtëpi që pret të gjithë artistët. Ky hap është i domosdoshëm dhe shërben shumë për të rritur nivelin e këtij teatri”, përfundon Jaho.  

Dirigjenti

Bujar Llapaj do të jetë dirigjenti i kësaj opere. Ai këtë bashkëpunim e ka pritur me shumë kënaqësi, madje e konsideron si një nga gjërat më të rëndësishme që përmban karriera e tij artistike. “Impresioni im për këtë bashkëpunim është se ne po bashkëpunojmë me një artiste me përmasa ndërkombëtare. Në këtë rast për mua dhe të gjithë shqiptarët është një eveniment që nuk mund ta humbas. Të realizosh një opera me Ermonela Jahon, me këtë artiste që këndon në skenat më të mira të botës, është realisht për të paguar. Në karrierën time realizimi i kësaj vepre është një nga pikat më kulmore”. Llapaj shpreh dëshirën e tij, që këto raste të shfrytëzohen edhe nga Universiteti i Arteve, Fakulteti i Muzikës për master klasa. Sipas tij, të vijë një këngëtar me përmasa botërore dhe të mos zhvillohet një bisedë, sepse ne shqiptarët e kemi të vështirë që të pranojmë se ka dhe maja mbi maja, kjo është për të ardhur keq.

"Si e kam njohur Jahon para 25 vjetësh"

I pranishëm gjatë bisedës ishte edhe kompozitori Enver Shëngjergji. Edhe pse i pamundur nga ana shëndetësore, pasi ai mbështetej mbi një bastun, ngrihet në këmbë dhe tregon se si e ka njohur 25 vjet më parë Ermonela Jahon. “Në pamundësi shëndetësore për të parë dhe për ta ndierë nga afër zërin e saj dhe të të gjithë kolegëve të tjerë operistikë, nuk mund të rri pa thënë se si e kam njohur më parë Ermonelën. Personazhin që ka ardhur të nderojë këtë komb, këtë popull, unë kam pasur fatin ta njoh që në vitet ‘90.  Por madhështia vokale e një artisti qëndron te shpirti”. Sipas Shëngjergjit, zemra, thjeshtësia dhe dashuria janë një binom i pandashëm tek Ermonela. Ai këtë e vlerëson më shumë se çdo gjë tjetër, sepse për anën vokale ai mendon se e ka vlerësuar bota, më shumë se çdo gjë tjetër. “Ardhja e saj me një “Madama Butterfly” në Shqipëri, padyshim që është një kënaqësi shpirtërore. Tek Ermonela ndodhet një shpirt i madh, ndodhet një zemër  e madhe”, vazhdon të përsërisë plot emocion zotëria. “Të them të drejtën kur erdha ta takoj, mendova nëse do më mbante mend, sepse kanë kaluar plot 25 vjet. Por ajo më përqafoi, ndoshta i erdhi keq edhe për gjendjen në të cilën më pa. Prandaj jeta e artit duhet lidhur më shumë edhe me anët e tjera të një artisti. Pa dashur të mohoj vlerat e asnjë artisti, ky është një eveniment për Ermonelën”, -përfundon Shëngjergji.

Ermonela Jaho e nisi karrierën e saj profesionale në Itali

Lindur e shkolluar në Tiranë, sopranoja Ermonela Jaho vazhdon më pas studimet në Akademinë Santa Cecilia në Romë. Fituese e shumë konkurseve të rëndësishme lirike të Italisë, si “Giacomo Puçini” në Milano, konkursi ndërkombëtar “Spontini” në Ankona, “Zandonai” në Rovereto. Ermonela Jaho e nis karrierën e saj profesionale në Itali, duke interpretuar në teatrot më të njohur të saj. Në Teatrin Komunal të Bolonjës, ajo interpreton për herë të parë Mimi-në (La Bohème) nën drejtimin e Daniele Gattit; në teatrin “La Fenice” të Venecias rolin e Susanne-s (Le Nozze di Figaro) etj. Ermonela Jaho debuton për herë të parë jashtë Italisë në Festivalin Wexford në Irlandë, në Gjermani, në Operën Shtetërore të Mynihut e më pas në Teatrin “Capitole” të Tuluzës (Francë), në Grand Théâtre të Gjenevës (Zvicër) etj. Fillimet e karrierës së saj në Amerikën e Jugut janë në Lima, Peru, ku ajo interpreton rolin kryesor të operës “Semiramida” me D. Barcellona dhe J. D. Florez. Më pas, Jaho i rikthehet Teatrit Komunal të Bolonjës në vënie të reja skenike me interpretimin e Adinës (l’Elisir d’Amore), nën drejtimin e Corrado Rovaris, Rusalka (La Nuit de Mai e Rimsky-Korsakov) nën drejtimin e Vladimir Jurowski-t dhe në vitin 2005, në rolin e Princeshës (Bukuroshja e fjetur në pyll), nën drejtimin e Aldo Sisillos.

Përsëri ajo i rikthehet teatrit “La Fenice” të Venecias e më pas Teatrit “Maestranza” të Sevilies (Spanjë) me Maestro Christophe Rousset etj. Ermonela Jaho është cilësuar “një zbulim i madh i lirikës” nga shtypi dhe kritika franceze pas suksesit të saj të padiskutueshëm me Violetën (La Traviata) në operën e Marsejës në vitin 2005. Më pas, ajo ftohet të interpretojë të njëjtin rol në “Royal Opera Covent Garden” të Londrës, “Metropolitan Opera” të New York-ut, në Operën Shtetërore të Mynihut e Berlinit, në Teatrin “San Carlo” të Napolit etj. Po në vitin 2005, ajo interpreton me sukses të madh rolin e Mimi-t (La Bohème) në Operën e Michigan-it e më pas në Operën e Filadelfias si dhe në “Baltimore Opera” në vitin 2006. Ermonela Jaho i shton edhe disa role të tjera kryesore repertorit të saj lirik, të cilat i këndon në Operën Shtetërore të Berlinit (Maria Stuarda) e në Operën e San Diegos, rolin e Magdës (La Rondine) në Teatrin “G.Verdi” të Triestes, rolin kryesor të Operës “Manon” në Operën e Marsejës e më pas në Teatrin e “Orange” si dhe në Festivalin “Glyndebourne” me rolin e Michaelës (Carmen) e shumë role të tjerë, i janë shtuar repertorit të saj deri më sot.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama