Jakup Krasniqi Si te ndertosh historine nepermjet shtypit

Jakup Krasniqi, Si te ndertosh historine nepermjet shtypit
Jakup Krasniqi promovoi në Panairin e Librit, librin e tij më të ri nga fusha e historiografisë “Lëvizja për Republikën e Kosovës 1981-1991”. Libri ofron fakte dhe argumente mjaft interesante, si dhe në ç’mënyrë ka pasqyruar shtypi shqiptar një dekadë të përpjekjeve të shqiptarëve për të realizuar betejën më të madhe pas themelimit të shtetit shqiptar më 1912-ën, pra themelimin e shtetit të Kosovës. Me një punë shkencore dhe me mjaft profesionalizëm, Krasniqi, i cili edhe vetë ka qenë protagonist i zhvillimeve të kësaj dekade, ka pasqyruar dhe ka ofruar fakte të reja dhe të panjohura deri sot për këtë periudhë që shënoi dhe ringjalljen e faktorit shqiptar në Ballkan. Krasniqi, që tashmë është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, i pranishëm në çeljen e panairit iu përgjigj pyetjeve të “Reporterit” mbi librin e tij.

Libri juaj flet për periudhën 1981-1991. Çfarë mbart kjo periudhë për popullin kosovar?

Ky libër është përdorur për tezën time të doktoraturës, ka pasur një titull tjetër fillimisht dhe flet për periudhën ‘89-‘91. Pastaj e kam përpunuar dhe e kam ndryshuar. Ideja është që të jap një pasqyrë të botës çlirimtare për liri dhe demokraci dhe botës serbe që donte t’i shfaroste kosovarët. Kjo është çështja kryesore. Kam pasur për qëllim që të dokumentoj lëvizjet kuvendore që më pas shënonin lëvizjet popullore. Të argumentoj se ka qenë një lëvizje e organizuar, lëvizje e shqiptarëve të Kosovës. Nga ana tjetër, kam dëshiruar të paraqes politikën serbe në vazhdimësi, një politikë antishqiptare, e cila nuk ka qenë e ngritur nga lëvizja popullore e Kosovës, por ka qenë e ngritur nga vetë ndjenja e trashëguar shoviniste kundër shqiptarëve.

Ky është një libër historik, çfarë të reje i sjell historisë së Shqipërisë?

Ky libër përmes shtypit të kohës, shtypit të Shqipërisë, duke e marrë dhe krahasuar edhe me shtypin ndërkombëtar jep një pasqyrë të qartë të të gjitha zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë nga viti ‘81-‘91.

Libri është i mbështetur vetëm në shtypin e Shqipërisë, apo ka një ballafaqim të shtypit të Shqipërisë me atë të Jugosllavisë?

Ka një ballafaqim mes shtypit zyrtar të Kosovës në shqip, që në fakt ishte politika zyrtare e Jugosllavisë, shtypit zyrtar të Shqipërisë që përfaqësohej përmes “Zërit të Popullit”, shtypit shqip të diasporës, të lëvizjes ilegale, që përfaqësohej përmes “Zërit të Kosovës” dhe, natyrisht edhe shtypit shqip që ka në qendër një ballafaqim të këtij shtypi, ku nxirren konkluzione për qëllimet e politikës së jugosllavëve dhe më vonë të serbëve në Kosovë.

A shikoni një diskordancë ndërmjet shtypit të Shqipërisë dhe politikës së asaj kohe?

Mund të them që ka. Gjithë shtypi në Shqipëri ka qenë i ideologjizuar, ndërsa në Kosovë ka qenë më tepër në vijën nacionaliste dhe në mbështetje të kërkesave të popullit shqiptar.

Meqë ju keni qenë një ndër aktorët e asaj kohe, kjo është pozitive apo negative për të shkruar këtë libër? Pozitive se dini më shumë, negative se mund të jeni subjektiv.

Realisht, unë nuk jam marrë me angazhimin tim. Kryesisht jam marrë me atë që është trajtuar në shtypin shqip dhe në atë që kanë trajtuar autorët shqiptarë në përgjithësi. Jam kujdesur që të marr autorë të Europës, të cilët janë marrë me ngjarjet si dhe me zhvillimet e asaj kohe në Kosovë.

Duke qenë se jeni i përfshirë edhe në jetën politike të vendit, sa e vështirë është që edhe të shkruani?

Unë jam më shumë një publicist, nga ana historike, megjithatë jam marrë edhe me zhvillimet e shtypit shqiptar të asaj kohe për një ngjarje që ka qenë madhore, jo vetëm për shqiptarët në Kosovë, por duke përfshirë edhe ingranosjen e Polonisë, për të gjitha vendet e Lindjes.




Artikujt e fundit


Reklama

Reklama