Së pari iu prish aeroplani, i cili i ngeli në një shkretëtirë të Sudanit, por Jamesi e vazhdoi rrugëtimin e tij me fluturime komerciale, si udhëtar i thjeshtë, pa dashur të kthehet në gjysmë të rrugës. Pastaj teksa ndodhej në Eritre për të lobuar, papritur i humbi kontaktet me të gjithë. Sekretarja ekzekutive e Misionit "Flying for Kosovo", Lumnie Gashi për kosovaTimes.net tregoi se që nga data 15 gusht 2011, kur James-i i telefonoi të vëllait nga Asmara e Eritresë, askush nuk di më asgjë për të.
"Jamesi për herë të fundit, me 15 gusht paradite e ka thirrur vëllanë e vet dhe pasdite ma ka dërguar mua një e-mail. Prej asaj dite nuk kemi asnjë kontakt me të. Duam të ia dëgjojmë njëherë zërin James-it, ta dimë se ai është gjallë, por kjo është e pamundur"-deklaroi Lumnie Gashi. Sipas Lumnies, James-i kishte aplikuar për vizë të Eritresë, në ambasadën e këtij shteti në Sudan, por nuk e kishte marrë vizën. Megjithatë piloti kosovar kishte hyrë legalisht në Eritre, pasi në pasaportën e tij amerikane, kishte vizat e mbi 35 shteteve të ndryshme. Sipas rregullave ndërkombëtare të udhëtimit, kur një udhëtar i ka brenda dokumentit të tij vizat e gjithë këtyre shteteve, ai ka të drejtë të udhëtojë ku të dojë.
James Berisha dëshironte që autoriteteve të Eritresë t'ua dorëzonte një letër me të cilën kërkonte nga ata që ta njihnin Republikën e Kosovës. Kështu kishte bërë kudo që kishte shkuar, pa problem. Lumnia shpjegon se James-i i ishte ankuar të vëllait, gjatë bisedës së parë dhe të fundit telefonike me të, nga ky vend, se çdo lëvizje e tij po përgjohej nga strukturat shtetërore të shtetit afrikan. Sekretarja ekzekutive e misionit fluturues të James-it ka shumë pak informata për vendndodhjen e pilotit tonë. Edhe informatat që merr i vijnë të shkapërderdhura, ose kontradiktore dhe shumë pak të besueshme.
"Në fillim Ministria e Punëve të Jashtme sipas informatave që kishte nga Ambasada e Eritresë në Bruksel thoshte se James-i është i arrestuar dhe mbahet në paraburgim. Por para do ditësh e kam marrë një informatë nga një ambasador i Shqipërisë, i cili ka thanë se Jamesi është i arrestuar, por po mbahet në një hotel. Kjo informatë na ka shqetësuar edhe më shumë"-tha Lumnie Gashi.
Lumnia e ka një shpjegim pse autoritet e këtij shteti po sillen kështu me pilotin tonë. Eritrea sipas saj Amerikën e konsideron si shtet armik, duke arrestuar qytetarë të saj dhe James-i ka pasaportë amerikane.
Ky shtet afrikan është njëpartiak dhe në të asnjëherë nuk janë mbajtur zgjedhje të lira, derisa qeveria ka mbyllur të gjitha mediumet e pavarura. Eritrea u pavarësua nga Etiopia gjatë vitit 1993. Qeveria amerikane nuk ua preferon qytetarëve të saj vizitën në këtë shtet.
Megjithatë, sekretarja ekzekutive e misionit "Flying for Kosovo" fajëson autoritetet kosovare, por edhe ato amerikane se nuk i kanë shteruar të gjitha mundësitë për lirimin e James Berishës.
"Mendoj se nuk i kanë shterur të gjitha mundësitë, sepse në të njëjtën kohë që është arrestuar James-i, janë arrestuar edhe dy izraelitë. Izraelitët janë liruar për shkak të presioneve që ka vendosë diplomacia e tyre në raport me Eritrenë. Shteti amerikan dhe shteti kosovar nuk e kanë bërë mjaftueshëm presionin që James-i të lirohet"-deklaroi Gashi. Drejt Eritresë pritet të udhëtojë i vëllai i James-it, me dëshirën për ta rikthyer pilotin në shtëpi, por edhe atij ky shtet nuk i ka dhënë vizë.
Lumnie Gashi përmend edhe një bisedë telefonike që ka zhvilluar me Behgjet Pacollin, gjatë së cilës zëvendëskryeministri i parë i ka thënë asaj se çështjen e James-it e ka prioritet. Por ende nuk ka diçka konkrete. James Berisha ka më shumë se dy muaj që po mbahet nën arrest, duke mos e ditur saktë se ku ndodhet, në një vend me mentalitet armik ndaj tij. Ai nuk ka shkuar atje për asgjë tjetër-vetëm për ta dorëzuar një letër, në të cilën kërkon njohjen e Kosovës. Ta mbash një pilot në burg pa ndonjë arsye, është sikur ta fusësh një zog në kafaz.