James Blunt Nuk e ngaterroj muziken me politiken ne Kosove

James Blunt: Nuk e ngatërroj muzikën me politikën në Kosovë
Me një trup mesatar, flokë të shprishur, fytyrë të zbehtë, i veshur sportiv dhe i shoqëruar nga një bodigard, nuk ta jep aspak përshtypjen e njeriut që ka shërbyersi ushtarak gjatë kohës së krizës në Kosovë. Si një anglez i vërtetë, me dueej disi të ftohtë, që në mënyrë të pakuptueshme krijon distancë, ai e ka gjithçka të kronometruar. Vetëm 12 minuta. Kaq ishte koha e rezervuar për mediat nga James Blunt.

Mbrëmë ai dha një koncert në stadiumin “Qemal Stafa”, ku u ndoq jo vetëm nga kryeqytetasit, por edhe shqiptarë të Kosovës, të ardhur posaçërisht për të. Koncerti, pjesë e një turi botëror që këngëtari po zhvillon, zgjati rreth 90 minuta dhe ishte një përmbledhje e këngëve të albumit të tij të ri, po edhe hite të njohura për publikun shqiptar, si “You’re beautiful”.

Përpara koncertit, siç e do “zakoni” Blunt zhvilloi një takim me mediat. Ata që e prunë, apo menaxherët e tij kishin vendosur që ky takim të mos i kalonte 12 minutat. Fatmirësisht, si rrallë ndonjëherë, konferenca për shtyp filloi në orarin e caktuar, në të kundërt, pritja nuk do të vlente. Me gjithë kuriozitetin e madh të gazetarëve, Blunt u përgjigj si donte. Shmangej, por kur duhej, thoshte edhe të vërtetën. Me të filluar konferenca, zëdhënësja e shtypit njoftoi se një pjesë e mirë e të ardhurave të koncertit do të shkonin për bamirësi në Kosovë, ndërsa vetë këngëtari tha se kjo nuk ishte e vërtetë. “Unë ndihmoj në mbledhjen e fondeve për organizatën “Mjekë pa kufi” (Médecins Sans Frontières), një organizatë që ka punuar edhe në Kosovë në 1999 dhe që vepron në të gjithë botën në ato vende ku ka nevojë për ndihmë”, - tha Blunt. I pyetur se si u bind për të ardhur në Shqipëri, u përgjigj se nuk duhet ndonjë justifikim për të kënduar. Shqipëria është një nga ato vende që i viziton për herë të parë, ndonëse në Angli ka shumë miq shqiptarë.

“Jam duke përdorur koncertet për të njohur vende ku nuk kam qenë më parë”, - tha këngëtari. Para ardhjes në Tiranë, u fol se Blunt kishte programuar një koncert në Kosovë, gjë që nuk u realizua. “Isha atje dy vjet më parë ku këndova për ushtarët britanikë edhe për shqiptarët dhe serbët e Kosovës. Momentalisht Kosova është duke kaluar një ndryshim të madh politik, gjë që nuk do të doja ta “ngatërroja” me muzikën time, e cila nuk njeh ndryshime në gjini, në raca apo në fe. Po pres kohën, kur situata politike të jetë më e qetë”. Duke shërbyer si ushtark në Kosovë, në një moment të lufte, Blunt duket të ketë krijuar një lidhje të veçantë me këtë vend. Nuk pranon të ketë pasur lidhje dashurore me ndonjë vajzë kosovare. “Isha si ushtarak me një mision të rëndësishëm atje dhe nuk kisha shumë kohë të lirë”. Gjithsesi ai tregon se në albumin e parë një këngë që i dedikohet direkt qëndrimit në Kosovë (No bravery) dhe dy të tjera në albumin e dytë. “Më është dashur të përballem me qenien njerëzore në të mira dhe në të këqija, në jetë dhe në vdekje. Kjo mund të quhet një shkollë më vete, që sigurishtmë ka ndihmuar në marrëdhënien me ta”. Thuhet se skuadra ushtarake që drejtonte Blunt ishte e para që hyri në Prishtinë, ndërsa ai i pari oficer që shkeli në kryeqytetin kosovar.

Blunt që u bë i njohur në të gjithë botën me këngën e tij “Ti je e bukur”, thotë se në përgjithësi në këngët e tij ai i këndon bukurisë së brendshme. Me lidhje nuk kupton “kontaktin fizik, seksin, por lidhjen mendore mes njerëzve”. “Ka më shumë rëndësi përpjekja e përditshme që bëjmë në jetën tonë të izoluar, për të krijuar lidhje me njerëz të tjerë”, - thotë ai, teksa e quan jetën një rrugëtim sa të bukur aq edhe të vështirë. Blunt erdhi në Shqipëri pas një koncerti në Sarajevë, në Bosnje, ndërsa nesër do të jetë në Athinë, për të vijuar me të tjera koncerte në Qipro, Francë, Spanjë, Portugali, Belgjikë, Zvicër, etj.

Shqipëria është një nga ato vende që i viziton për herë të parë, ndonëse në Angli ka shumë miq shqiptarë. “Jam duke përdorur koncertet për të njohur vende ku nuk kam qenë më parë”, - tha këngëtari

Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama