Atë mëngjes, liqeni i dhuronte një freski të lehtë qytetit. Flladi përshkonte të gjithë parkun. Tek shihja liqenin, mua më pëlqente ta kujtoja si liqeni i Frosinës, me emrin e vajzës më të bukur të Janinës. Frosinën së bashku me 17 vajza të tjera, Pashai i Janinës i fundosi në liqenin e qytetit. Përtej dalloheshin muret e larta të kalasë. Dikur ndodheshin sarajet dhe sot gjendet varri i trupit të Pashait të Janinës. Pas vrasjes së tij, koka e prerë iu çua në Stamboll e trupi i mbeti në Janinë. Në të gjithë skenën e ndërtesave e rrënojave të gurta, varri me kangjella binte në sy si diçka elegante që të kujtonte tyrben e osmanëve.
Rrugët me ndërtesat e ulëta, dyqanet e shumëllojshme, kafenetë e mbushura me njerëz shoqëronin qytetin, por ajo që të tërhiqte vëmendjen ishin vitrinat e dyqaneve që shkëlqenin nga argjendet e varura. Kjo ka qenë dhe mbetet një traditë e qytetit. Janiniotët janë punues të zotë të argjendit e njohës shumë të mirë të tij.
Ajo çka ka mbetur nga sarajet e vezirit brenda në kështjellë është pak, por nga përshkrimet e asaj kohe, sarajet e tij tregohen madhështore me gurë të mëdhenj e të plotë e me pjesë druri, muret e zbukuruara me ornamente orientale. I gjithë pallati ka pasur një pamje të ndërtesave tipike orientale të kohës. Dikur madhështia e pallatit, përveç frymës që Pashai i kishte dhënë me famën e tij, ishin dhe ushtarët e tij shqiptarë shtatlartë, gjë e cila kishte tërhequr asokohe vëmendjen e udhëtarëve e kronikanëve.
Siç përshkruan Holland, luftëtarët spikatnin me fustanellat e tyre, me armët e argjendta e të shndritshme, “duke kënduar këngë të vendit të tyre dhe recituar vargje për betejat e tyre”. (Travels in Ioanian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia during the year 1812-1813, Henry Holland 1819)
Pasi mora tragetin e vogël buzë liqenit, u nisa për në ishull. Ndonëse jo larg nga qyteti, ishulli dukej si një copëz toke që venitej në liqen. Kallamishtet e gjata dilnin në sipërfaqe tek-tuk e hera-herës ndonjë pulëbardhë shfaqej larg.
Ndonëse i vogël, ishulli kishte një atmosferë të këndshme me ndërtesat e bardha që i jepnin dritë atij. Rrugicat e ngushta ishin plot dyqane të vogla argjendarie. Tregtarët shisnin bizhuteri të argjendta nga më të bukurat, të punuara me filigramë ku vije re një gërshetim të traditës dhe të modernes. Qeramikat e kuqërremta, figurat prej druri të karnavaleve ose siç i quajnë vendasit karagjozët, likeret me shije kanelle e frutash të ndryshme, llokume të vogla me arra, që banorët e tregtarët e ishullit me shumë dashamirësi i ofronin turistëve, të jepnin një atmosferë e ngrohtë e që të zgjonte kënaqësi.
Në fund të gjithë karvanit me suvenire e gjëra të bukura, ndodhej muzeu i Ali Pashës. Freskia e lehtë kaplonte të gjithë oborrin, ku hija e pemëve e zbuste vapën e madhe. Manastiri i dikurshëm, ishte kthyer tashmë në një muze për Vezirin e Janinës. Këtu pashai, së bashku me gruan e tij Vasiliqinë u vendosën për të shpëtuar nga osmanët, por ky do të ishte dhe momenti i fundit i jetës së tij.
Muzeu të ofronte një ambient shtëpie tradicionale të kohës së atëhershme. I kuruar mjaft mirë, ndonëse një muze i vogël, gjëja e parë që të binte në sy ishin objektet etnografike që vezullonin kudo. Shkëlqimi i kutive të qelqta dhe kadifja e kuqe krijonin kontrast e delikatesë. Aty mund të përfytyroje luftëtarët epirotas e arvanitas, skena betejash dhe një panoramë të gjerë të shekullit XIX. Muzeu kishte shumë armë e veshje të kohës: si pisqolla, kama, thika, armët e gjata arvanitase, silahë të artë, gjerdanë të artë të pasur me gurë të çmuar, qeramika të kohës, litografitë e Dupresë, shtrojet e bukura, shiltet e vendosura mbi divan e qeramika të ardhura nga Orienti e majolika perëndimore. Në një kuti qelqi, të vendosur në një kthinë mbahej veshja e bukur e Vasiliqisë. I tërë ambienti ishte një botë më vete. Në qendër të dhomës, e mbyllur në një kuti qelqi, binte në sy pipa origjinale e Pashait. Ishte mjaft e gjatë dhe e punuar bukur. Dyshemeja me parket kontrastonte me një pjesë ku gjendej një kuadrat xhami. Në të ndodheshin disa rrathë të vegjël, ku shkruhej: “Këtu është vrarë Ali Pashë Tepelena”.
Midis tyre, në një kuti prej xhami gjendej kostumi i bukur i Vasiliqisë, vajzës nga Pleshavica e Filatit, të cilën e dashuroi deri në fund të jetës së tij. Atmosfera më solli ndër mend një histori me dy personazhe: Mero Klefti dhe Ali Pasha. E përcjellë brez pas brezi, ishte një histori, e cila sa herë e dëgjoja, më kënaqte, si historitë e largëta, të cilat kanë humbur në kohë, por kanë fuqinë magjike të të bëjnë për vete.
Zëri i gjyshit më sillte historinë ndër mend. Bëhej fjalë për shqiptarë të ardhur nga Egjeu, nisi gjyshi im. Të gjithë i thërrisnin Kleftë dhe lagjja, ku u vendosën quhej Kleftat. Familja e stërgjyshit tim kishte bërë krushqi me ta.
Kleftatët kishin dhjetë-pesëmbëdhjetë shtëpi, të cilat ishin si kështjella të mëdha e të rrethuara me avlli. Ata merreshin me blegtori, punonin në fushë e në ullishte. Kushërira jonë vazhdonte të më tregonte gjyshi, u martua me një nga fisi i kleftëve. Zëri i qetë dhe i ngadaltë i gjyshit tim, vinte i butë dhe historia vazhdonte rrjedhshëm.
Ishte një natë shtatori, pothuajse ora e mesnatës kishte rënë dhe binte një shi i vrullshëm në fshat. Unë e dëgjoja me endje çdo fjalë e më dukej sikur pjesë e historisë së hershme, isha pjesë dhe unë.
Dera trokiti fort. Mero Klefti çohet nga shtrati rrëmbimthi e shkon të hapë portën. Para tij gjenden pesë a gjashtë suhallarë. Suhallarët ishin rojet dhe ushtarët e Pashait të madh. Para tij shfaqet një ushtar shtatlartë, me flokët e zinj e të gjatë e të rruar në pjesën e tëmthave. Bishti i gjatë i binte mbi shpatull. Fustanella plot kinde dhe e bardhë, binte e derdhur deri poshtë gjunjëve. Jeleku i kuq e i kadiftë dallohej akoma me shumë në bardhësinë e këmishës dhe fustanellës. Në brezin e artë mbante pisqollën. Sytë e tij si shqarth vështronin Meron. Ushtari me hapin e tij të drejtë e hijerëndë e me vetëbesim, i drejtohet të zotit të shtëpisë.
Mero i habitur shtanget. Ushtari i thotë se duhet të shkojë me ta drejt e në Janinë. Mero i shkretë, vazhdonte gjyshi, pasi takon të shoqen e fëmijët, ndahet si për të thënë lamtumirë. Dihej që Pashai i Janinës kishte qenë një vezir shumë i rreptë. Në atë kohë qengji dhe ujku flinin bashkë, shtoi me një buzëqeshje gjyshi. Mero largohet me shoqëruesit për në qytet. Sarajet e mëdha ndriçonin nga llambadarët. Gjithçka ishte e ndriçuar mirë, se Pashai priste një mik të cilin nuk e njihte. Nami i mirë i Meros kishte arritur deri në Janinë. Pasi e kontrolluan nëse kishte armë, e shoqëruan për te Pashai.
Pallati i Ali Pashës ishte i mbushur me dekoracione floreale. Në hyrje të portës, Mero vuri re në largësi, Pashain të veshur me kostum luksoz dhe me pisqollën e thikën të vendosura në brez. Në dorë kishte vënë unaza të mëdha me gurë të çmuar, si dhe pipa ishte veçanërisht e dekoruar. Ai qëndronte i ulur këmbëkryq, pranë oxhakut të madh.
Meron, vazhdonte gjyshi, Pashai e priti me nderime. Kur erdhi vakti i darkës, të gjithë u ulën te divani i madh. Shtruan sini, e cila ishte e rëndë dhe e mbanin katër burra. Filluan të hanin në një vend të gjithë. Pashai, siç e donte zakoni, qëndronte në krye, ndërsa të tjerët në një anë. Pashait i vunë një libë të madhe të zbukuruar me lule. Meros, shtoi gjyshi, nuk i erdhi mirë. Me kleçkën e një pisqolle, të cilën e kishte fshehur në trup, ia tërhoqi libën pashait. Veziri i Janinës e vështroi rrëmbimthi. Mero i thotë: “Pasha i nderuar, nëse më ke ftuar si mik, më respekto”. Pashai u ngrit nga vendi. I drejtohet Meros: “Do të më thuash çfarë ke bërë, që të ka ardhur emri deri në Janinë? Mero, me një vendosmëri e zgjuarsi i drejtohet: “Pasha i nderuar! Në fillim unë jam i mirë me familjen time, më pas me mëhallën, me fshatin e me të tjerët. Fjalët e Meros zbutën mendjen e Vezirit. Ato kishin qenë aq të duhura. Trimëria, zgjuarsia e mirësia e Mero Kleftit, fituan respektin e Pashait të Janinës. Ali Pasha e respektoi deri në fund dhe e përcolli në fshatin e tij me të mira, përfundoi gjyshi. Aty u mbyll dhe kjo histori e asaj mbrëmje shtatori. S’mund të jesh i mirë me të tjerët, nëse në fillim s’je i mirë me veten e me familjen tënde.
Vizita në muze, jo vetëm që kishte qenë interesante e mbresëlënëse, por me kishte zgjuar histori të largëta. Janina kishte hyrë me çdo gjë të saj të bukur në mendjen time. Historia dhe kultura e saj rrezatuese, ishin bërë pjesë e qenies time. Por ai që është i pasionuar pas historisë, e di se jo larg saj gjendet një vend i hershëm. Ai është orakulli i lashtë i Dodonës. Nuk kishte si të ishte ndryshe. Duhet ta vizitoja patjetër, në mënyrë që të qetësoja dëshirën time për atë vend.
Rruga për në Dodonë ishte rreth 22 km larg qytetit të Janinës. Nën vapën e nxehtë, e cila sa vinte e bëhej më e padurueshme, rruga dukej akoma më e gjatë nga sa ishte. Me makinë kisha marrë rrugën për në Dodonë. Duke ndjekur tabelat udhëzuese vura re të shkruar ku thuhej “Dodonë”. Befas në afërsi të parkut arkeologjik, jo më larg se 4 min prej tij, rrugën e preu një gjarpër. Ndonëse në makinë, devijuam. Mendova me vete: “Sa çudi. Gjarpërinj këtu!” Në harkun e disa sekondave mendja më shkoi disi larg. Me një buzëqeshje në fytyrë, m’u kujtua Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh. Sa histori që kisha lexuar, sa histori ishin shkruar për të. Ajo kishte qenë një grua e fuqishme e ambicioze. Në lojërat e Samothrakës, Filipi u dashurua me Olimpijën. Madje Plutarku e përshkruan si një dashuri me shikim të parë. Olimpia pat qenë një grua që dallohej për bukurinë dhe paraqitjen e saj mbretërore. Një histori mjaft interesante, përshkruan momentin kur mbesa e Filipit, Euridiçe, tenton të marrë pushtetin e Maqedonisë. Olimpia luftonte për nipin e saj. Lufta për fronin fillon midis Olimpias 60-vjeçare dhe Euridiçes 20-vjeçare. Olimpia, veshur si një priftëreshë dhe Euridiçe si një luftëtare maqedonase, shfaqen në fushën e betejës për ballë njëra-tjetrës. Ushtarët maqedonas, në krenarinë e Olimpias, shohin figurën e Aleksandrit, udhëheqësit të tyre të dikurshëm. Ata largohen nga ushtria e Euridiçes dhe vendosen në rreshtat e ushtarëve të Olimpias. Në këtë betejë, fitimtare doli nëna e Aleksandrit. (Encyclopedia of Women in the Ancient World, Joyce E. Salisbury, Oxford, 2001)
Ajo kishte qenë një grua fetare, e lidhur me kultet dionizake, por e njohur dhe për jetesën e saj me gjarpërinj. Si një priftëreshë e faltores së Dodonës, i ishte përkushtuar tempullit për shumë vjet.
M’u duk sikur ajo akoma dhe sot ishte zonja e faltores. Ashtu si dikur kur ajo i shkruan një letër athinasve se tempulli i Dodonës i përket mollosve dhe askujt tjetër.
Mali i lartë ngrihej i rëndë përballë gjithë parkut arkeologjik. Lëndina shtrihej gjerazi e diku ndonjë qiparis zgjatej në lartësi.
Më duhet të them që kisha mjaft emocione. Përballë meje shtrihej me një madhështi e tepër gjigant teatri i madh antik. Ishte teatri më i madh e më spektakolar që mund të kisha parë ndonjëherë. Mbreti i madh i Epirit, Pirro, e ndërtoi këtë teatër së bashku me një kompleks ndërtesash. Ishte e imagjinueshme skena me aktorët me maska, duke performuar në skenë.
Teatri me një shtrirje diamentrale, arrinte një kapacitet prej 18.000 spektatorësh. Ai kishte fuqinë të kaplonte syrin e vizitorit dhe ta mbështillte në hapësirën e madhe. Teatri përfundonte në dy faqet anësore të tij me muret e larta me gurë të plotë.
Në parkun arkeologjik gjendeshin buleterioni, tempulli i Afërditës, tempulli i Herakliut, si dhe mbetjet e bazilikës kristiane. Çuditërisht, ndonëse zona ishte e kapluar nga vapa e dielli i nxehtë, në tempull kishte një freski pranverore. Me vete mendoja se sa histori kishte kaluar ky vend, sa pelegrinë kishin ardhur këtu. Akili i drejtoi lutjen Zeusit Pellazgjik i /////////////Dodonës Dimërore për ushtarët e tij dhe Patroklin; Odisea, para se të kthehej në Itakë pas luftës së Trojës, shkon në Dodonë dhe këshillohet me orakullin për kthimin e tij në vendlindje. A kishte qenë vërtet kaq fatsjellëse apo fatparashikuese, ashtu siç të gjithë kishin dëshiruar? Faltorja e Dodonës ishte një vend që të falte qetësi të çuditshme. Nuk pipëtinte asgjë, përveç dushkut fëshfëritës, që bënte hije në mes të tempullit.
Gjithçka nis që në kohërat e hershme me kultin e Nënës Tokë, e cila e kishte banesën e saj në rrënjët e Pemës së Dushkut. Kulti i Zeusit, u soll nga fiset Thesprote, Sellonjtë. Akili, përmend “priftëreshat këmbëzbathur e me këmbë të palara, që flenë mbi dhe”. Ndoshta kështu ishin më afër me Dheun, me Tokën Nënë. Arkeologët e studiuesit mendojnë se më pas faltorja u rrethua nga vazo bronzi të vendosura afër njëra-tjetrës në trekëndësha hekuri. Me kalimin e kohës janë shtuar elemente arkitektonike, duke përmirësuar strukturën e saj.
Dodona sot është një mur rrethues me blloqe të mëdha guri dhe dushku, që është mbjellë rreth viteve ‘60, për të respektuar atë që kishte qenë e traditës në këtë vend.
Natyrisht kuptohet që ambienti krijonte një gjendje sugjestionuese, ku për më tepër rolin më të madh e luanin profeteshat, të cilat sigurisht kanë pasur zgjuarsi e mençuri se si të rrëmbejnë mendjen e besimtarit. Profeteshat e orakullit, me zërat e tyre krijonin një atmosferë të volitshme për të impresionuar besimtarin.
Siç thonë studiues, për besimtarin ky orakull, “ka qenë siç do të ishte për ne sot një avokat ose një doktor”. (Exursion in Greece. To recently explored sites of classical interest: Mycenae, Tiryns, Dodona, Delos, Athens, Olympia, Eleusis, Epidaurus, Tanagra, Charles Diehl, London 1893)
Çdo pelegrin shkruante pyetjen ose lutjen e tij mbi pllakën e drurit. Besimtarët vinin këtu për çdo lloj problemi, madje jo vetëm njerëz të thjeshtë, por dhe figura të larta të shteteve. Pyetjet ishin të ndryshme, nga problemet familjare, siç ishte pyetja e një burri që dyshonte te gruaja e tij e deri te sëmundjet, prona familjare etj.
Priftëreshat duhet të interpretonin vullnetin e Zeusit, ku kërkohej sigurisht një lloj aftësie, zgjuarsie e diplomacie. Kështu ato mund të ishin më bindëse te besimtari.
Një gjë interesante, ishte se sipas arkeologëve, mendohet se diku afër orakullit, mund të gjendet dhe shtëpia e priftëreshave. (Dodona, Sotirios Dakaris, Athens, 2001)
Sofisti Filostrati në librin “Imagines” e paraqet Dodonën në një mënyrë mistike dhe disi makabër. Nuk dihet ku është bazuar interpretimi i tij. Falë këtij përshkrimi, ajo që ai sjell, dashje pa dashje i jep formë imagjinatës sonë. Filostrati përshkruan pëllumba me krahë të artë që qëndrojnë në Dushkun profetik dhe pëshpëritnin fjalët e Zeusit. Vazot trekëndore që rrethojnë orakullin. Pelegrinë që vijnë për të bërë pyetje ose ofrojnë sakrifica. Priftërinj, ku dikush pikturon muret e tempujve e dikush interpreton lutjet; njëri pret fytin e viktimës, ndërsa dikush tjetër i heq lëkurën. Priftëresha, të cilat i njeh prej varreve të tyre dhe prej aspektit të tyre të adhurueshëm. E gjithë kjo skenë përfshihet në një atmosferë aromash e vazot e mëdha oshtijnë.
Mënyra sesi Filostrati na e sjell orakullin e Dodonës, na tregon një aspekt disi të paimagjinueshëm, por përshkrimi sureal na çon në kohë të largëta.
Fryn erë e ngrohtë. Fëshfërimat e gjetheve të Dushkut dëgjohen përreth. Largohem dhe pastaj qëndroj e kthej kokën pas. Nuk ka më pllaka druri që të shkruash një pyetje apo të thuash një lutje. Nuk ka më pëllumba me krahë të artë apo priftëresha profetike. Dodona, nën hijen e Dushkut e me misterin e saj duket sikur më thotë: Dëshira juaj do të realizohet.