Janina qender e tregut nderkrahinor te Shqiperise Jugore

Qyteti i Janinës ishte vendosur në krye të një fushe pjellore, e përmendur si e tillë qysh në antikitet dhe anash një liqeni të pasur me peshk. E mbrojtur prapa e anash prej malesh të larta, në afërsi të detit Jon dhe duke qenë nyje e gjashtë rrugëve tregtare që e lidhnin jo vetëm me qytetet e tjera të Shqipërisë, por edhe me Maqedoninë e Greqinë, ajo i kishte të gjitha kushtet e duhura gjeografike dhe ekonomike për t’u bërë një qendër shumë e rëndësishme administrative dhe ekonomike.
Zejtaria dhe tregtia e Janinës, të ushqyera gjithnjë e më mirë me lëndë të para bujqësore e blegtorale nga tepricat e fshatarësisë si dhe nga të ardhurat e pronarëve çifligarë, u gjallëruan pa ndërprerje aq sa në gjysmën e dytë të shek. XVII udhëtarët evropianë e quajtën atë “qytet i pasur e tregtar”. Por në kushtet e anarkisë feudale që mbuloi gjithë Shqipërinë Jugore, sidomos gjatë shek. XVIII, ritmet e zhvillimit të qytetit të Janinës u ngadalësuan. Megjithëse me shumë vështirësi e pengesa, ekonomia e këtij qyteti i ruajti lidhjet e veta me tregjet e panairet e brendshme dhe të jashtme, prapëseprapë kapitali tregtar janinot nuk gjente kushte të merrte frymë lirisht për të luajtur rolin e një qendre tregtare ndërkrahinore, sikurse qyteti i Shkodrës në Shqipërinë Veriore. Ndryshe nga Shkodra, Janina nuk kishte një pushtet të fortë që t’i vinte fre anarkisë feudale dhe i mungonte bregdeti me qytete-skela për të forcuar e zgjeruar si lidhjet e brendshme, ashtu dhe ato të jashtme. Dalja në det me anë të skelës së Salahorës në Gjirin e Artës ishte krejt e pamjaftueshme. Zotërimet venedikase, ku gjendeshin portet e Vonicës, Prevezës, Pargës etj., dhe politika monopoliste tregtare e lundruese e sundimtarëve të tyre ishin me të vërtetë pengesa serioze që i zinin frymën. Mallrat, që tregtarët vendas grumbullonin sidomos në trevat e Janinës e të Artës si dhe tepricat e atyre që sillnin nga Thesalia ose krahinat e tjera të Rumelisë, nuk mund t’i shisnin drejtpërdrejt në ishullin e madh të Korfuzit e në ishujt e tjerë. Venedikasit nuk lejonin anije të huaja e, rrjedhimisht, edhe tregtarë të huaj të hynin në skelat e tyre të bregdetit Jon, me qëllim që të zbatonin deri në fund politikën e vartësisë ekonomike të këtyre ishujve nga tregtia e lundrimi venedikas. Kështu tregtarët janinotë ose të qyteteve të tjera detyroheshin që mallrat e tyre t’i shpinin e t’i shisnin në portet venedikase të bregdetit ku gjenin vetëm tregtarë e lundërtarë venedikas. Mallrat që grumbullonin në pazaret e panairet e sanxhakëve fqinjë, veçanërisht në atë të Magarës, të Larisës e të Mavronorosit, ata detyroheshin t’i shpinin në portin e Selanikut meqenëse aty, edhe pse kishin të bënin kryesisht me tregtarët e lundërtarët venedikas që luanin rolin kryesor në jetën ekonomike të portit, gjenin kushte më të favorshme për shitblerje e për transport, por edhe anije e tregtarë të tjerë të huaj. Edhe për të blerë mallra industriale, tregtarët vendas detyroheshin të plotësonin kërkesat e veta kryesisht në pjacën e Venedikut, megjithëse e dinin që aty këto mallra u shiteshin me çmime më të larta se në pjacat e tjera të Adriatikut. Prandaj janinotët e sidomos shtresat e pasura të tyre i kishin sytë nga bregdeti dhe prisnin që gjendja e tij të ndryshonte dhe të merrte fund politika e venedikasve.
Pengesë tjetër që rrezikonte jetën dhe kapitalin ose që kapërcehej me shpenzime të rënda ishte pasiguria e rrugëve të karvanëve, që vinin nga tregjet e sanxhakëve fqinjë dhe sidomos nga ata të Delvinës e të Vlorës. Çetat grabitqare të himariotëve dhe sidomos ato të feudalëve labë e çamë dëmtonin shpesh qarkullimin e mallrave dhe nuk lejonin forcimin e lidhjeve ekonomike të qytetit të Janinës me Gjirokastrën, Delvinën, Paramithinë, Margëllëçin etj. Por jo më pak dëm bënin edhe çetat grabitqare të suliotëve në rrugët e tjera tregtare që vinin nga Thesalia, Akarnania etj. Anarkia feudale që ishte bërë plagë e rëndë për të gjithë vendin, duhej frenuar si një nevojë e domosdoshme për zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor.
Ardhja e Ali pashë Tepelenës në krye të sanxhakut të Janinës (1787) shqetësoi jo vetëm feudalët e vegjël, të cilët ose iu nënshtruan ose u arratisën, por edhe qeveritarët fqinjë dhe kapedanët e malësive të vetëqeverisura. Këta shihnin tek ai njeriun e fortë dhe të etur për pasuri e pushtet, i cili, duke pasur funksionin e derbend-pashës, do të orvatej të shtrinte autoritetin e tij mbi sanxhakët e tyre dhe do t’u vinte fre veprimeve anarkiste, së pari në sanxhakun e Janinës e pastaj edhe në të tjerët. Edhe autoritetet venedikase nuk u shqetësuan më pak, duke parë tek ai mbrojtësin e interesave ekonomikë të vendit në dëm të tregtarëve e të lundërtarëve venedikas, sikurse kishin bërë e po bënin qeveritarët e fuqishëm të Shkodrës. Alarmin e parë tek ata e dhanë zënia prej tij e sipërmarrjes së të ardhurave të Artës e të doganës së Salagorës, si dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar fortifikime në këtë skelë që të mbroheshin anijet osmane kundër orvatjeve të vazhdueshme të atyre venedikase, të cilat vepronin lirisht në Gjirin e Artës. Duke mos dashur të kishin një sundimtar të fuqishëm, i cili pa ardhur mirë në fuqi i hodhi sytë drejt bregdetit, diplomatët venedikas u përpoqën ta luftonin si brenda vendit, duke nxitur kapedanët suliotë e feudalët çamë të vijonin veprimet e tyre grabitqare e kundërshtimet ndaj tij, si dhe besëlidhjet e qeveritarëve fqinjë kundër tij. Venedikasit ndërhynë gjithashtu pranë Portës së Lartë, duke e paraqitur veprimtarinë e Ali Pashës për të vendosur rregullin e qetësinë tepër të rrezikshme për pushtetin qendror të sulltanit. Përveç kësaj, me qëllim që të mënjanonin kërcënimin që mund t’u bënte Aliu nga toka, ata arritën të përfundonin me Portën e Lartë një marrëveshje, e cila ndalonte kalimin e anijeve luftarake në ngushticën e Korfuzit pa lejën e tyre si dhe ndërtimin e fortifikimeve ushtarake në afërsi të zotërimeve venedikase.
Vështirësitë që i krijuan Ali Pashës kundërshtarët vendas e të huaj të cilët u lidhën kundër tij, u kapërcyen pas përpjekjeve që vazhduan për një kohë mjaft të gjatë. Ali Pasha qysh në vitet e para vendosi autoritetin e vet në rrugët që lidhnin Janinën me Artën e Manastirin përveç atyre me Thesalinë; por atij iu deshën dhjetë vjet që të vendoste lidhjet me një pjesë të qyteteve të sanxhakut të Delvinës ose të shtinte në dorë bregdetin nga Butrinti në Prevezë, përveç qytetit të Pargës, që kaloi në duart e francezëve e pastaj të rusëve. Për të siguruar kalimin e qetë të karvaneve në zonën lindore e juglindore të sanxhakut të Janinës, ku vepronin çetat suliote, atij iu deshën plot gjashtëmbëdhjetë vjet luftë, kurse për të vendosur sundimin e plotë mbi sanxhakun e Delvinës e të Vlorës iu deshën rreth njëzet e pesë vjet. Sidoqoftë, me këmbënguljen e tij të jashtëzakonshme dhe duke përfituar me zgjuarsi nga rrethanat politike të brendshme e të jashtme, Ali Pasha mundi t’ia arrinte qëllimit të vet, t’i jepte thuajse fund anarkisë dhe të vendoste sundimin e tij mbi bregdetin shqiptar, nga gryka e Shkumbinit deri në Gjirin e Prevezës.
Në këtë mënyrë tregtisë së jashtme të Pashallëkut të Janinës iu krijuan mundësitë e nevojshme që të lidhej me skelat mesdhetare evropiane të Lindjes. Kështu drithërave, mishit, lëkurëve, leshit, serës e prodhimeve të tjera vendase dhe atyre të sjella nga sanxhakët fqinjë e nga pjesa e brendshme e Rumelisë, iu sigurua qarkullimi më i qetë nëpër rrugët tokësore, iu krijua mundësia të vinin në skelat bregdetare të pashallëkut; prej këtej ato niseshin me anije ulqinake e hidriote, si dhe me ato të flotës tregtare të Ali Pashës në drejtim të ishujve Jonianë, të Stambollit e të Aleksandrisë dhe sidomos në drejtim të Maltës, të Venedikut, të Ankonës, të Triestes, të Raguzës etj. Nga këto vende sillnin prodhime industriale e koloniale që mbërrinin në depot e tregtarëve janinjotë në Prevezë, Gumenicë, Salshorë e sidomos në Artë e Janinë, prej nga shpërndaheshin në qytetet e tjera të pashallëkut ose edhe të Rumelisë.
Në tregun e Janinës dhe dy herë në vit në panairin e Bonilas, një milje larg saj, përveç shqiptarëve, vinin për shitblerje edhe tregtarë të kombësive të ndryshme, madje edhe ata që më parë frekuentonin Beratin e Manastirin. Kështu, duke u shndërruar në një qytet zejtar e sidomos tregtar të dorës së parë si dhe në një qendër administrative të një pashallëku të madh, Janina u bë qendra e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore, si edhe të krahinave fqinje. U rrit dhe u fuqizua borgjezia tregtare, veçanërisht në këtë qytet, si dhe në qytetet e tjera që përfshiheshin në radhë të parë në rrezet e kapitalit janinjot. Por, pjesa dërrmuese e kapitalit tregtar gjatë sundimit të Ali Pashës gjendej në duart e pronarëve të mëdhenj të tokës e të bagëtive; edhe mjetet kryesore të qarkullimit i përkisnin po shtresës feudale (një pjesë e së cilës merrte pjesë në veprimtarinë ekonomike me anë të kreditit e të ortakërisë). Në këto rrethana, borgjezia tregtare ishte në përgjithësi e varur ekonomikisht prej tyre. Vetëm ata janinjotë që u vendosën në Lajpcig, në Vjenë, në Bukuresht, në Moskë e gjetiu u shkëputën nga kjo vartësi.
Rrjedhojat e pasurimit të dy shtresave të pasura shoqërore u dukën në qytetin e Janinës si dhe në qytetet e tjera sidomos në ndërtimet publike me karakter urban dhe ekonomik, si dhe në ndërtimet private. Rrugët u mbushën me ura e hane që shprehnin gjallërinë e lidhjeve ekonomike me Janinën. Hani i Luros i gjerë, i lartë e i madh sa një pallat në rrugën Prevezë-Janinë u ndërtua nga Ali Pasha, i cili po në këtë rrugë ndërmori edhe gërmimin e kanalit lundrues të Strevinës që afroi tregtinë detare me Janinën. Në rrugën Tepelenë-Janinë ai ndërtoi edhe urën e madhe të Tepelenës mbi lumin Vjosë. Në qytetin e Gjirokastrës ndërtoi ujësjellësin, kurse në Janinë sarajet madhështore të tij e të bijve të tij, dhe në një varg qytetesh ose çifligjesh vila të bukura e komode ku pushonte sa herë largohej nga Janina. Por edhe përfaqësues të tjerë të shtresave të pasura, në një mënyrë ose në një tjetër, arritën të plotësonin nevojat komunale të qytetit të tyre, shtruan me kalldrëm copa rrugësh, ndërtuan çezma etj. Megjithëse Janina u bë qyteti, ku për herë të parë u zbatua vaksinimi, u luajtën aty-këtu pjesë teatrale dhe u organizuan biseda sallonesh me karakter kulturor, prapëseprapë ajo ruajti pamjen orientale në arkitekturën e ndërtimit dhe të urbanizimit. Sidoqoftë, Janina u bë një qytet i gjallë që gumëzhinte nga veprimtaria ekonomike dhe ajo administrative e aparatit të sundimtarit energjik të saj, nën qeverisjen e të cilit arriti kulmin e zhvillimit të vet edhe nga pikëpamja demografike.
Disa nga dëshmitarët e kohës e çonin numrin e banorëve të kryeqytetit të pashallëkut të Shqipërisë Jugore deri më 50 000 frymë, por të tjerë që përbënin shumicën, midis të cilëve edhe ata që jetuan aty disa vjet me radhë, pohonin se Janina nuk mund të kishte më shumë se 35-36 000 banorë, nga të cilët vetëm 25-28 000 ishin të qëndrueshëm. Nga këta 2/3 ishin të krishterë kurse 1/3 myslimanë. Të krishterët i përkisnin kombësisë shqiptare, vllahe, greke etj., kurse myslimanët thuajse të gjithë ishin shqiptarë. Midis banorëve të qëndrueshëm nja 400 familje ishin hebrenj. Banorët e përkohshëm të Janinës përbëheshin në radhë të parë nga ushtarët shqiptarë në shërbim të Ali Pashës, nga pengjet e ndryshme të krahinave, nga tregtarët klientë dhe nga të huajtë kalimtarë. Fakti që elementi shqiptar mbante pozitat drejtuese administrative dhe ushtarake dhe kishte epërsi si numër banorësh, të qëndrueshëm e të përkohshëm, i jepte Janinës më shumë pamjen e një qyteti shqiptar se sa të përzier.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama