Janis Ricos per nje shekull

Janis Ricos për një shekull


Në çdo pikëpamje, përveç asaj gjuhësore Ricosi nuk është autor i huaj për lexuesin shqiptar, e nuk është i huaj jo pse është përkthyer dhe propaganduar mjaftueshëm nga qarqet e specializuara letrare, por sepse është lexuar masivisht nga të gjithë ne, është lexuar dhe rilexohet me ëndje si poet i dashur i të gjithë njerëzve.

Poetët dhe artistët e mëdhenj janë të përbotshëm sepse arrijnë të dalin nga hapësira e tyre burimore, duke u shpalosur e projektuar në pjesën tjetër të njerëzimit dhe botës me ngjyrat specifike që mbartin dhe vitalitetin e kulturës që përfaqësojnë; ndërkohë projektimi i personalitetit krijues të Ricosit në hapësirën shqiptare ka qenë edhe më i natyrshëm: afërsitë mendore dhe shpirtërore midis dy popujve tanë, peizazhi i përbashkët mesdhetar, kalvari i ngjashëm historik e të tjera pika të rëndësishme takimi si këto, kanë bërë që poezia e Ricosit të rrënjoset shpejt dhe të lulëzojë me autoritet në Shqipëri.

Historia para dhe pas Luftës së dytë Botërore, që është periudha në të cilën Ricosi jetoi dhe krijoi, u ruajti shqiptarëve dhe grekëve fate simetrike: pushtime të huaja, përplasje të përgjakshme civile, regjime diktatoriale, burgje politikë, kampe përqendrimi e të tjera produkte të tilla të zymta si këto që sjell robërimi, mungesa e lirisë individuale dhe kolektive.

Por nëse me popullin grek, fati historik u tregua i kursyer për kohëzgjatjen e robërisë dhe periudhat e pakta të dekadencës së vlerave, me ne shqiptarët u tregua më bujar në vuajtje dhe sfida, e fatkeqësisht, më i kursyer në talente letrarë. Nuk gjejmë asnjë poet shqiptar, bashkëkohës me Ricosin të jetë i krahasueshëm me të e me të tjerë poetë të angazhuar të atij brezi si Nazim Hikmeti, Pablo Neruda a Nikolas Gilen. Ndoshta kjo mangësi e letërsisë sonë është një tjetër arsye qe ne shqiptarët e kemi lexuar Ricosin me ëndje dhe me etje si një poet tonin.

Kam qenë e jam midis lexuesve të pasionuar të Ricosit. Nga vargjet më të bukura që më ka ndodhur të lexoj nga poezia botërore, më shpesh më ka ardhur ndërmend ai i Janis Ricosit: "Asnjë vetmi nuk është e vogël." Modestia, realizmi dhe profecia shkrihen në një thjeshtësi verbuese te ky varg-sintezë. Në këtë lloj sinteze realiste, fataliste dhe pikëllimtare njëkohësisht, mbërrin një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XX, autor i 120 veprave letrare, autoritet i padiskutueshëm jo vetëm në vendin e tij, anëtar akademish letrare në tërë botën, fitues çmimesh prestigjioze, duke kulmuar te çmimi Nobel për Paqe. Pesha e këtij vargu bëhet mitike kur kujton se Ricosi e ka ndjekur lëvizjen dhe vetminë njerëzore që nga lëvizjet më të padukshme, metafizike të njeriut të zakonshëm, deri në lëvizjet e gjera shoqërore, me pathos politik dhe karakter të spikatur klasor - revolucionar.

Ricosi i kuptuar dhe i adhuruar nga masat, autor i "Marshi i oqeanit," "Mëhallat e botës", "Njeriu me karafil", autor i "Tetëmbëdhjetë distikë të atdheut të hidhur", është po ashtu poet për lexuesin elitar, krijues i mrekullueshëm poezish sintezë liriko-filozofike. Pak poetë në botë mund të kenë në krijimtarinë e tyre vargje si këto të Ricosit:

"E diel. Shkëlqejnë komçat në xhaketa, si të qeshura të vogla..."
Ose: "Një kalë i bardhë prerë më dysh nga hija e kaltër e një qiparisi..."
Ose: "Kujtimi i shokëve të vrarë, pirun i vjetër i harruar në xhep..."
Ose : "Fytyrat e tyre, orë të mbetura qyshkur."

Me gjithë njohjet që mund të kemi nga letërsia, është e vështirë, thuajse e pamundur të gjesh tjetër poet si Ricosi ku uni personal dhe uni shoqëror, të shpalosen aq madhërishëm secili i evidentueshëm më vete në mjaft krijime dhe, në krijimet e tij më të arrira, uni autorial dhe uni shoqëror mishërohen organikisht te njëri-tjetri. Autori tregon fuqishëm Athinën, Selanikun, Makrinosin, Samosin, si arena ngjarjesh e përjetimesh të mëdha tragjike.

Me të njëjtën fuqi sugjestive-dramatike, Ricosi tregon shtëpinë e tij, teshat e të afërmve të vdekur, sëndukun e pluhurosur, pasqyrën ku nuk shihet më askush, sendet e pakta e të rëndomta të të internuarve politikë, etj. Ricosi iu këndon përshpirtshëm heronjve të kohës e të kauzës së tij si Aris Veluhiotis, Nikos Bellojanis, Grigoris Afksentis, por i këndon po kaq hijshëm motrës, nënës, të afërmve të tij, sikurse shprehet: "Gjërat më të dashura që kisha, vdekja ose çmenduria para kohe m'i rrëmbeu."

Nga poezitë dhe distikët me karakter të theksuar luftarak-mobilizues Ricosi vjen në aktin e fundit të tragjedisë ekzistenciale, tregon parodinë e idealeve, epilogun e padenjë ironik të një shfaqjeje që kish sakrifikuar heronj dhe energji të çmuara: fundin e lumtur e mbërrijnë të padenjët, fitoren nuk e kremtojnë autorët e saj, lavdinë e martirëve e përvetësojnë zotërinjtë me këpucët e lustruara:

"ATËHERË ALEKSI, - thuhet në poezinë me këtë titull, - ndenji në shkallët e shtëpisë së panjohur dhe tha: ju dua aq shumë të gjithëve ju sa më vjen që të qaj. Dhe i fshiu këpucët e pluhurosura me pëllëmbë. Aleksin e vranë në oborr... kur shkuam mbasdite andej; pamë se te ato shkallë rrinte kapardisur Atdheu; me këpucët e lustruara." Dhe në një tjetër poezi: "Atje sipër, si nesër njëzet vjet më parë, vranë dyzetë vetë. Shkuan njëzet vjet, askush nuk ua përmend emrat. Vonë e kuptojmë jetën."

Nga poezitë e ligjërimit liriko-filozofik do të kujtoja atë kushtuar gruas milaneze:

"Gruaja e bukur milaneze; me sy të ngjyer shumë; me sy e thonj të ngjyer; e me gjunjë të pangjyer. Dhe ai i përkulur para saj; në njërin gju vizatonte një gjarpër; në tjetrin vizaton një dritare të vogël; për të shikuar."

Mendoj se është shembull emblematik i patejkalueshëm i kthjelltësisë së shprehjes dhe dendurisë kuptimore; poezi me fabul që provokon një pafundësi interpretimesh, poezi-sentenciale që vë në lojë asociative burrin e gruan nga gjeneza biblike deri në bashkëkohësi; poezi e alegorisë ironike që vë në diskutim dramatik tërë kategoritë e moralit e të etikës. Ricosi iu këndon me të njëjtën natyrshmëri dhe madhështi njerëzve dhe ngjarjeve, natyrës dhe përjetimeve të imëta vetjake; lehtësisht harmonizon ligjërimin epik me atë lirik duke vënë në lëvizje vargje të pandërprerë metaforash, krahasimesh e simbolesh, përherë befasues e shpërthyes.

Pa përsëritur interpretimet profesionale, vlerësimet e merituara dhe epitetet sipërorë kushtuar Ricosit, do të shtoj vetëm një nga përfundimet e mia të deritashme lidhur me origjinalitetin e poezisë së tij: gjithçka në vargjet e Ricosit anthropologjizohet, gjithçka fiton trajta, delikatesë, dinamikë dhe sjellje njerëzore; në këtë mënyrë anthropologjizohet deri në nuancat më mikroskopike hapësira dhe koha, gjallesat dhe natyra, peizazhi, sendet e zakonshme, pamjet e rëndomta; anthropologjizohet në tërë dinamikën e saj historia dhe përditshmëria, e shkuara dhe e ardhmja.

Në këtë mënyrë, frymëzimi i këtij poeti të jashtëzakonshëm shndërron në materie poetike subtile popujt dhe turmat në lëvizje, peizazhet marramendëse të Mesdheut dhe viset e zymta të internimeve, hapësirat e trazuara urbane dhe reliket e rëndomta të njerëzve të harruar. Thuhet rëndom se artistët shkruajnë për të shpëtuar nga harresa gjërat që kanë më për zemër; mendoj se Ricosi nuk shkruan për t'iu kundërvënë harresës dhe përbindëshit Kronos; së pari ai shkruan që t'i jap jetë, frymë dhe trajtë, lëvizje e sjellje njerëzore gjithçkaje që ka parë, ka njohur e ka dashur në jetën e tij.

Falë kësaj dhuntie krijuese prej gjeniu te Ricosi, intimja bëhet shenjë dhe shprehje e fatumit kolektiv; shoqërorja, ngjarja epokale përthyhet si identitet dhe koordinatë personale. Për shembull: fati tërësisht specifik i familjes së tij, treguar në poezinë e cituar më poshtë, tingëllon si reportazh i zakonshëm nga jeta dhe fati i përditshëm i njerëzimit:

"Hynte e dilte vdekja në shtëpinë tonë pa i rënë portë; njohëm hapat e saj dhe sjelljen e saj; njohëm dhe atë! Në fillim i kishte këpucët të reja; bënte zhurmë; pastaj u bë më e butë. Tani rri pranë oxhakut të shuar; zbathur dhe e shkretë; e urtë..." . ose në një poezi tjetër: "Kështu me t'u ngrysur, të vdekurit kthehen në shtëpi; për të marrë ndonjë plaçkë të tyre që e patën harruar; një shami, një jelek, një këmishë, dy çorape; dhe, ndoshta nga humbja e kujtesës a pakujdesia, marrin me vete edhe diçka tonën. Të nesërmen; postieri kalon para portës sonë pa u ndalur."

Një miniaturist i shquar japonez i shek. XIX në kulmin e suksesit qortonte bashkëkohësit entuziastë që të mos nxitoheshin në lëvdata - pasi të kem mbushur 100 vjeç, premtonte piktori i shquar, atëherë do të kem pjekurinë e duhur të krijoj gjëra të bukura, serioze. Ricosi është tamam në këtë moshë, sivjet është 100 vjeç dhe vazhdon të krijojë, vazhdon të shkruajë për ne. Në një poezi të vitit 1967, me gjithë vetëdijen për jetëgjatësinë e artit të tij, Ricosi pranon:

"Edhe statujat vdesin, po nuk i vështrove; kam parë shpesh të tilla, për tokë, me sytë gjysmë të mbyllur; ato presin të shohin dikë të ndalet, t'i vështrojë. Atëherë statujat ngrihen sërish në këmbë." Mbase ky rilexim përkujtimor që po i bëjmë krijimtarisë së begatë të Ricosit, në njëqind vjetorin e lindjes së tij, është nga ato vështrime njerëzore për të cilat, me sa duket edhe statujave u nevojiten të mbijetojnë për të qëndruar sa më gjatë përballë nesh, të gjalla, të bukura, në këmbë.

Poshtshënim:

Në vitet e mia studentore, vitet e fundit të diktaturës komuniste, kisha shkruar në disa letra dhe i kisha ngjitur kudo në dhomë: në mur, te koka e shtratit, në dollapin e rrobave, në tavolinë këto vargje të Ricosit: "Unë e di, çdo njeri në botë udhëton i vetmuar drejt dashurisë së tij; fare, fare i vetmuar drejt lumturisë së tij; dhe i vetmuar, njëqindfish i vetmuar drejt vdekjes së tij."

Poezi nga Janis Ricos

Atdheu

Të vrarët i lanë në fushë
me kuajt dhe qenin e zi. Flamujt
i kishin fshehur në shpellat shekullore.
Ajo çka quajtëm atdhe
ishte gjinkallë, ullinj, puse, landra,
dy lopë të zeza që ëndërrojnë poshtë plepave
dhe një mermer i thyer në mes të bahçes së verdhë,
ku një zog rri mbi njërën këmbë duke ajgëtuar tej,
më tej harresës dhe kujtimit. Kështu
me pak baltë, dy kokrra misër dhe një karafil
nënat plaka u sajuan nga një nuskë
dhe i përcollën në heshtje. Përgjithnatë
i ndiqte pas me blegërima delja mbarsë.


Përmbyllëse

Shpresoj të më kujtoni - tha ai. Bëra mijëra kilometra
pa bukë, pa ujë, përmbi gurë e gjemba,
që t'ju sillja bukë dhe ujë dhe trëndafila. Bukurinë
nuk e tradhtova kurrë. Gjithë jetën e ndava me hak.
Pjesë për vete s'mbajta. Varfanjak. Me një zambak të egër
ndriçova netët tona më të egra. Shpresoj të më kujtoni.
Dhe falmani këtë pikëllim të fundmë: Do doja
të korrja edhe një herë me draprin e brishtë të hënës
një kalli të pjekur. Të ulesha në prag, të sodisja
dhe të përtypja kokërr e nga një kokërr me dhëmbët e parmë grurin
duke adhuruar e bekuar këtë botë që lë,
duke adhuruar edhe Atë që i ngjitet kodrës mes perëndimit të praruar. Shikoni:
Në mëngën e majtë ka një arnë të purpurt katrore. Ajo
këndej nuk shquhet qartë. Por unë sidomos atë desha t'ju tregoja.
Dhe ndoshta sidomos për atë do ta meritoja të më kujtonit.


E thënë haptas

Në çastin që po ikte, u ndal te porta. "E dini - tha -
kam harruar t'ju them më të rëndësishmen. Por edhe tani,
që u kujtova, më doli prapë nga mendja. Ju kërkoj ndjesë."
Ne pamë njëri-tjetrin. Nuk thamë asgjë. Ai
mbylli portën pas vetes. Doli në kopsht. E shihnim
nga xhamat e dritareve tek largohej
ngadalë, mendueshëm, me duart në xhepa. Befas,
hoqi pallton (ishte i sigurt që e shihnim)
dhe ia hodhi në supe statujës. U kthye,
trokiti mbi xham, buzëqeshi dhe tha:
"Këtë kisha për t'ju thënë". Buzëqeshi përsëri
dhe iku me hapa të lumtur prej fëmije.


Tryezë pune

Ja, tryeza ku shkrove vjershat e përditshme, -
e shpuan plumbat, e hëngri mola. Netëve
shpesh një si jehonë flauti, dhe, dikur,
pas mesnate, hyn teze Urania,
lë mbi tryezë çantën e bardhë,
dorezat e bardha, pesë byzylykët
dhe shtrihet bri teje. Ti bën sikur fle,
por edhe mund të flesh vërtet - kush e di?

 


Përktheu nga origjinali Romeo Çollaku
Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama