Udhëheqesit e opozitës Vitali Kliçko, Arsenji Jacenjuk dhe Oleh Tianjibok dhe presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç nënshkruan në presidencë marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme presidenciale gjatë këtij viti.
Pakti, që parashikon një qeveri të unitetit kombëtar, reforma elektorale dhe ndryshime kushtetuese që zvogëlojnë pushtetin e presidentit, ka si qëllim t’i japë fund krizës politike që ka përfshirë prej muajsh vendin.
Kompromisi u arrit pas orë të gjata bisedimesh, të ndërmjetësuara nga tre ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë. Pas firmosjes së marrëveshjes, u dëgjuan të shtëna në “Sheshin Pavarësia”, çka u kujtoi të gjithëve se sa e brishtë është situata.
Gjatë konfliktit nuk janë arritur pak marreveshje, por më e keqja nuk kanë ndryshuar situatën. Që ky pakt të funksionojë, duhet të pranohet nga të gjithë palët e interesuar, që nuk janë pak. Përvec partive të opozitës dhe qeverisë ka dhe njerëz nga rajonet e Ukrainës, vecanerisht në bazën politike të Janukoviçit në Lindje dhe në rajonin jugor të Krimesë ku ka rusë etnikë.
Por janë dhe protestuesit. Në Maidan, shumë prej tyre nuk po bërtasin më për dorëheqjen e Janukoviçit, ata duan “kokën e tij”. Mark Louen i BBC-së shkruan se marrëveshja duhet të kalojë testin e Lvivit, qytetit që ka qenë në ballë të protestave duke dërguar autobusë me demonstrues në Kiev, cdo natë.
Kjo pjesë pro-perëndimore e Ukrainës është e vendosur që zëri i saj të dëgjohet.
Pakti parashikon:
Kthimin e kushtetutës së 2004-ës brenda 48 orëve, formimin e qeverie të unitetit kombëtar brenda 10 ditësh.
Reformë kushtetuese për të balancuar pushtetin e presidentit, qeverisë dhe parlamentit e cila të nisë menjeherë dhe të përfundojë në shtator.
Zgjedhje presidenciale pas miratimit të Kushtetutës së re, por jo më vonë se dhjetori i 2014-ës si dhe miratimin e ligjeve të reja.
Hetim për aktet e dhunës që do të kryhen nga autoritetet, opozita dhe Këshilli i Europës.
Autoritetet nuk do të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme dhe si autoritetet dhe opozita do të heqin dorë nga dhuna.
Armët e paligjshme do t’i dorëzohen Ministrisë së Brendshme
Zhvillimi i parë i vleresuar si pozitiv nga opozita ishte miratimi nga Parlamenti i kthimit të Kushtetutës së vitit 2004, me 386 vota pro dhe nje kunder nga 387 deputetet që ishin të pranishem.
Parlamenti miratoi gjithashtu amnistinë për protestuesit e akuzuar për përfshirje në dhunë. U votua gjithashtu për të amenduar një ligj që do të cojë në lirimin e udheheqeses se opozites Julia Timoshenko.
Marrëveshja erdhi pas ditës më të përgjakshme në Ukrainë. Sipas Ministrise se Shendetesise 77 persona humbën jetën dhe 577 të tjerë u plagosën, por për protestuesit numri i viktimave është më i lartë. Bilanci rendohet edhe më shumë nëse do të shtojmë edhe 22 viktimat e ditës së martë.
Në mesin e trazirave që kanë përfshirë vendin dhe pasigurisë për të nesërmen, ukrainasit kanë nxituar të zbrasin bankomatet e ushqimoret. Anembanë vendit, njerëzit po tërheqin paratë e tyre nga frika se mos ngërçi politik u prek edhe kursimet, e një pjesë mendojnë të përgatiten për kohë të vështira duke bërë dhe furnizimet me ushqime e ilaçe.
“Njerëzit thonë se duhen tërhequr paratë sa më shpejt, pasi mund të ndodhë ndonjë difekt e transferimi i të hollave të bllokohet. Ka fjalë që llogaritë bankare, nesër do të bllokohen, e ndoshta e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me telefonat”, thotë një qytetar në Kiev.
Të trembur nga situata e krijuar, banorët e Donetskut thonë se është më mirë të mos rrezikojnë.
“Të them të drejtën unë jam këtu për shkak të panikut që ka përfshirë të gjithë, por se si nisi ky panik? Këtë nuk di ta them”, rrëfen njëri prej tyre.
Trazirat në vend nisën që pas vendimit të Presidentit Viktor Janukovic për të refuzuar marrëveshjen tregtare me BE-në në favor të një afrimi më të madh me Rusinë, e që prej atëherë, situata ka ardhur në përshkallëzim duke kulmuar me dhunën e skajshme të së enjtes, ku humbën jetën me dhjetëra vetë.