Pas Tiranës, Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë ka shenjtëruar Katedralen Ortodokse të Shkodrës, “Lindja e Krishtit”. Kjo ceremoni e shënuar mblodhi dje në kryeqendrën e veriut që në orët e para të mëngjesit besimtarë të shumtë dhe autoritete vendore, si dhe deputetë të Parlamentit shqiptar. Mesha e drejtuar nga hirësia e tij, kryepeshkopi Janullatos, nisi që në orën 08:00 të mëngjesit, fillimisht me ecjen përreth katedrales, e më pas me bekimin e saj.
Duke folur para besimtarëve për këtë moment të shënuar, hirësia e tij, Janullatos u ndal fillimisht tek peripecitë që ka patur Kisha Ortodokse për hapjen e saj në Shkodër, por edhe persekucionin komunist. Ky persekucion, sipas Janullatos është prezent edhe sot, por në një formë më të moderuar.
“Kujtoj herën e parë kur erdha këtu në këtë qytet, në vitin 1991. Shumë nga të rinjtë ende nuk kishin lindur në atë kohë, ishte koha kur persekutimi ishte aq shumë i ndjeshëm, saqë ishte e pamundur që ne të gjenim se ku kishte qenë dikur kisha në këtë qytet, dhe bëmë shërbesën e parë në një kopsht. Dhe në vitet e tjera nuk patëm përsëri rast që të kishim kishën tonë, duhej të merrnim me qira një sallë kinemaje, që të kryenim aty liturgjinë hyjnore. Dhe ngulëm këmbë gjatë atyre viteve për një bashkëjetesë paqësore të të gjitha komuniteteve fetare këtu në Shqipëri. Besojmë në mënyrë absolute në këtë bashkëjetesë. Është një dhuratë e veçantë e Perëndisë, që me anë të hirit të tij e jetojmë këtë gjë. Por edhe në ditët tona, edhe sot është një përndjekje e fshehtë ndaj besimit. Jo në mënyrë zyrtare, por nomenklatura e vjetër nuk i ka mënjanuar ato çfarë ka bërë, dhe përsëri përpiqen të vënë pikëpyetje në mes. Dhe ajo që nevojitet nuk është që të kemi vetëm kisha të reja; ajo që duhet të bëjë gjithsecili brenda nesh, të kthehet dhe të bëhet një tempull i shpirtit të shenjtë. Kjo mund të duket si diçka e tepruar, por ajo që kërkohet nga çdo besimtar, të bëhet vetë ai një kishë e shpirtrave të shenjtë”, – tha Janullatos. Hirësia dha edhe një mesazh për anëtarësimin në familjen europiane. “Kjo është lutja që ne japim, që shumë shpejt Shqipëria edhe ligjërisht të jetë brenda Bashkimit Europian, sepse esencialisht nga vetë ana e kulturës, Shqipëria tashmë është pjesë e kësaj Europe, dhe shpresojmë që Perëndia ruan për brezin e ri një epokë tjetër, në të cilën duhet të japim çdo gjë më të mirë të traditës sonë”, – u shpreh Janullatos.
Sipas Kishës Ortodokse Shqiptare, ngjarja e Shenjtërimit të Kishës përbën një bekim të veçantë, jo vetëm për ortodoksët e Shqipërisë, por për të gjithë vendin, dhe është një dëshmi shumë e rëndësishme e ortodoksisë në mbarë botën.