Kryepeshkopi: Ishte një personalitet i gjithanshëm në shumë fusha, në disa drejtime, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të tjerët Studiues, akademikë dhe historianë u mblodhën dje në konferencën e organizuar nga Akademia e Shkencave me rastin e 90- vjetorit të Revolucionit të Qershorit (1924) dhe Qeverisë së Fan Nolit. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryepeshkopi ortodoks, Anastas Janullatos. “GSH” shkruan sot se, kryepeshkopi ortodoks ka vlerësuar maksimalisht figurën e Fan Nolit. “Ju e dini që ne, pa përmendur atë çfarë është Noli në përgjithësi, e vlerësojmë dhe e përmendim në çdo liturgji. Ishte një personalitet i gjithanshëm në shumë fusha, në disa drejtime, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të tjerët”.
Shpesh është thënë se Hirësia e tij Anastas Janullatos, nuk e ka vlerësuar sa duhet Nolin dhe se nuk e përmend emrin e tij dhe rolin që ai ka pasur për themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Gazeta Shqiptare shkruan se kryepeshkopi pranoi t’i përgjigjej interesimit pikërisht për këtë çështje. Pyetjes se si e sheh dhe cili është roli i Imzot Nolit në Kishën Ortodokse, Janullatos iu përgjigj: “Ju duhet të shihni rolin e secilit personalitet në kohën që ka jetuar. Më kujtohet ajo çfarë ka thënë At Artur Liolini (Udhëheqës i Ortodoksisë shqiptare në Kishën e Shën Gjergjit në SHBA): Nëse Noli dhe Anastasi do të kishin jetuar në të njëjtën kohë, atëherë do të ishin miq të përzemërt, sepse ata kanë të njëjtin shpirt të hapur dhe me dashuri për njerëzimin.” Së fundmi ai është vënë në qendër të vëmendjes, për shkak të debateve që shkaktoi kryepeshkopi serb Irinej (i pranishëm në shenjtërimin e katedrales “Ngjallja e Krishtit” me deklaratat për pretendime mbi Kosovën), si edhe për përplasjen me drejtuesin e emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu.
Megjithatë, askush nuk e pranon që të jenë debatet e kohëve të fundit arsyeja e pranisë së tij në një konferencë përkujtimore për Fan Nolin, njeriun me të cilin e vënë përballë sa herë debatet ngërthejnë KOASH, fronëzimin e tij dhe jo vetëm. Nga ana tjetër, një prej akuzave më të mëdha që i bëhet Hirësisë së tij, ka të bëjë me faktin se Kisha Ortodokse sot nuk ka asgjë të përbashkët me kishën e Nolit. Në konferencën e djeshme, figura e Fan Nolit u vlerësua nga prof. Nasho Jorgaqi, prof. Paskal Milo, prof. Pëllumb Xhufi, prof. Shaban Sinani, prof. Jorgo Bulo dhe prof. Hamit Kaba.