” Si e prite rolin e Rosinës tek “Berberi i Seviljes”?
Rolin e kam pritur mirë, sepse më është dhenë në bazë të një audicioni që është zhvilluar në Tiranë dhe në disa qytete të Italisë. E prita shumë mirë sepse është një tjetër rol, një tjetër debutim dhe përsa i përket anës profesionale është një gjë më shumë. Kam interpretuar në skena italiane dhe jashtë saj, role të ndryshëm dhe të përsëritur, por Rosinën është hera e parë që e interpretoj.
Si po punon me rolin?
Opera është një gjini shumë komplekse, sepse unë nuk interpretoj vetëm një numër, por në brendësi të saj ka: duete, tercete, apo dhe arie që janë numra të veçantë për çdo personazh. “Berberi i Seviljes” është një opera komike. Rosina ka një dramë, një subjekt ku çdo gjë zhvillohet rreth saj. Rosina është një vajzë shumë kapriçoze e cila bie në dashuri, por në të njëjtën kohë shumë e mbyllur dhe dinamike. Ndërsa puna me rolin është intensive, fillon me leximin e notës së muzikës, më pas i bashkëngjitet teksti, bëhet një shfletim për epokën që i përket materiali, sepse kjo mund të plotësojë personazhin që interpreton. Pak a shumë një punë që bëhet nga çdo rast, jo vetëm në këtë.
A ke pasur vështirësi për t'u përshtatur me pjesën teatrale?
Nuk kam pasur vështirësi, sepse kjo nuk është eksperienca e parë në skenë, me regjisorin jemi gjendur shumë mirë. Pavarësisht se është një vepër që sa më tepër kohë të kesh, aq më mirë mund të dalë shfaqja, por duke qenë një kohë relativisht e shkurtër mendoj se do të dal shumë mirë.
Si e kuron zërin Ulpiana?
Shumë studim dhe ruajtja nga faktorë natyrorë si i ftohti dhe i nxehti i tepërm, por nuk jam maniake e gjërave të tepruara sepse jeta ime është normale, kur kam periudhë provash jam e kujdesshme për një shplodhje dhe një fjetje sa më të mirë.
Po në gjuhën shqipe, ke interpretuar në ndonjë opera?
Kam kënduar në gjuhë të huaja sepse repertori operistik është shumë i gjerë, kam interpretuar në frëngjisht, në italisht, në spanjisht etj, por në shqip nuk më është dhënë asnjëherë mundësia.
Si i keni marrëdhëniet me kolegët tek “Berberi i Seviljes”, bashkëpunimi me Armando Likën nuk është për herë të parë?
Me Armandon nuk është eksperienca e parë bashkë në skenë, kemi interpretuar jashtë Shqipërisë për herë të parë, kemi interpretuar përballë Saimir Pirgut dhe Vikena Kamenicës në operën “Verter”, kemi interpretuar në sallën e Universitetit të Arteve, ndërsa kolegët e tjerë nuk i njihja, por në një ambient pune njihesh dhe krijon marrëdhënie bashkëpunimi me të gjithë.
Cili është roli që keni më përzemër?
Deri tani çdo rol që kam interpretuar e kam përzemër, prandaj do të preferoja të interpretoja role të reja. Por një rol që do ta bëja me kënaqësi është Xhilda tek “Rigoletto”.
Si është gjendur Ulpiana në fushën e muzikës?
Në një farë forme kam qenë gjithmonë e rrethuar nga muzika, pasi mamaja ime, Zina Zdrava është këngëtare dhe pedagoge kantoje në “Liceun Artistik”, ajo ka qenë mësuesja ime e parë e kantos. Që e vogël jam aktivizuar në festivalet e fëmijëve, pastaj vazhdova Liceun Artistik dhe më pas studimet në Itali. Por me Shqipërinë nuk i kam humbur asnjëherë kontaktet, nuk jam kthyer për të jetuar, por për të kënduar sa herë që më është dhënë rasti kam ardhur.
Kur jeni njohur në skenat e huaja?
Njohja ka qenë e menjëhershme, që në momentin që unë kam qenë në shkollë, më është dhënë mundësia e interpretimeve, por më pas dhe konkurset që janë zhvilluar më kanë hapur shumë rrugë, këto janë dhe mundësitë që të jepen jashtë vendit dhe që në Shqipëri nuk i ke.
Cilat janë vështirësitë e një artisti jashtë vendit?
Vështirësitë në çdo fushë nuk mungojnë, askush nuk e ka të lehtë, por varet se në çfarë forme i përjeton secili brenda qënies së tij. Unë jam shumë e kënaqur për çfarë kam arritur, por sakrificat kanë qenë të shumta sepse jam larguar në moshën 20-vjeçare për të jetuar vetëm. Përballja me njerëz të tjerë në një shtet të huaj, apo dhe gjendja ekonomike e cila shpesh-herë mund të jetë një plus ose një minus në të njëjtën kohë pasi të dikton kushtet e jetesës. Por pavarësisht kësaj, sakrificat mund të kenë qenë të shumta dhe vazhdojnë të jenë të tilla, por kjo i bashkëngjitet pjesës që çdokush investon për të arritur aty ku synon.
Cili muzikant të inspiron më tepër ?
Ka shumë artistë të cilët unë i marr si shembuj nga pikëpamja artistike, por dhe profesionale. Kam shumë miq që janë me karrierë dhe prej tyre mundohem të marr më të mirën. Nga shqiptarët mund të përmend Saimir Pirgun me të cilin kam pasur fatin të interpretoj, për të huaj, këngëtari i famshëm Ronaldo Panerain me të cilin kam debutuar në një koncert përkrah tij. Por ka me të vërtet shumë artist që unë i vlerësoj dhe përpiqem që rrugën e tyre ta marrë si shembull
. E ke menduar ndonjëherë veten pa muzikën, ose pa skenën?
Nuk mund ta mendoj veten pa muzikën, por as pa skenën. Për mua realizimi i ëndrrës sime është vetëm në skenë. Një artist pa skenën nuk mund të jetë asgjë.
Mendon se një artist i ka të gjitha kushtet për të ecur në Shqipëri?
Nuk kam asgjë kundra zhvillimit të tyre përsa i përket anës artistike, këtu ka artistë shumë të mirë të cilët zhvillojnë punën ë tyre në kushte shumë të vështira, por duhet që të gjithë ta kuptojnë se jashtë Shqipërisë nuk është më e thjeshtë se këtu. Pavarësisht karrierës që unë mund të kem jashtë vendit me shumë kënaqësi kam pranuar të vij dhe këtu. Këtu kemi një shkollë dhe një bazë shumë të mirë artistike, por gjithmonë duhet ndryshuar dhe nuk duhet të mbetet në vend. Gjërat ndryshojnë brenda ditës, por asnjëherë nuk duhet hedhur poshtë momenti dhe baza nga ti ke filluar. Më ka rastisur që të lexoj shkrime sesi njerëzit rastësisht bëhen të famshëm, për këtë më vjen keq, jo sepse unë kam studiuar me nënën time, por sepse nuk e kam mohuar kurrë shkollën shqiptare. Në krahasim me artistët e huaj, nuk kemi asgjë më pak dhe asgjë më shumë, janë vetëm mundësitë që të jepen andej që ne nuk i kemi. Për këtë nuk është faji i artistëve, por është tranzicioni në të cilën ne jetojmë.
Si është një ditë e zakonshme për Ulpianën dhe çfarë të mungon nga Tirana?
Një ditë e zakonshme për mua është shumë e ngjeshur, sepse ose jam duke bërë prova, ose jam duke përgatitur rolin që do të interpretoj, kësaj i bashkëngjiten dhe njohjet me artistë dhe kolegë nga vende të ndryshme. Ndërsa nga Tirana, më mungojnë kontaktet e përditshme, më mungon një lloj jetese që unë nuk e bëj jashtë, më mungojnë të afërmit sepse unë jetoj vetëm atje.
Berberi i Seviljes
Opera "Berberi i Seviljes", e Gioachino Rossinit, shfaqet më 31 gusht në Teatrin e Metropolit. Me regjinë e Milto Kutalit, dirigjimin e Ettore Papadiasit dhe nën interpretimin e solistëve: Saverio Sangiacomo dhe Saverio Sangaciano (Don bartolo), tenori Raffaele Abete (Conte Almaviva), Ulpiana Aliaj dhe Alessia Martino (Rosina), Armando Likaj dhe Davide Luciano (Figaro), etj. Gioachino Rossini risjell këtë vepër përpara publikut italian në 1819-ën, periudhë gjatë së cilës Europa po njihte fuqishëm shndërrimin e shoqërisë baroke në atë moderne. Risitë kulturore dhe sociale të tetëqindtës pasqyrohen në operën “Berberi i Seviljes”, nëpërmjet një ambienti popullor, të thjeshtë dhe familjar. Problemet e personazheve nuk janë më ato të heronjve klasikë që kthehen në tragjedi e fatalitet, por përfaqësojnë të përditshmen e njeriut të mesëm, të njerëzve të thjeshtë që luftojnë e jetojnë atë që fati u sjell pa “idealizma”.
Në rolin e Rosinës vjen sopranoja Ulpiana Aliaj, e cila jeton dhe punon në Itali. Ulpiana ka mbaruar studimet për kanto në konservatorin “Claudio Monteverdi” në Bolzano të Italisë. Është fituese e disa çmimeve si: çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar për këngëtarët e rinj "Città di Barletta”, Itali (2005), çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar për këngëtarët e rinj në "Eistrmdorf", në Londër, çmimin e tretë dhe çmimin e publikut në konkursin ndërkombëtar "Martinelli -Pertile", në Itali etj. Në 2011 interpreton në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas në Tiranë, rolin e Sofit në operën “Verter” së bashku me tenorin Saimir Pirgu. Ka kënduar në koncertin “Gala” me Rolando Panerai. Është aktivizuar veç të tjerash në shumë koncerte jashtë vendit si në: Romë, Castell'Gandolfo, Venecia ,Verona, Bari, Milano etj. Këtë verë ka interpretuar rolin e Xhildës në operën “Rigoletto”, në Spanjë, pjesë e repertorit të saj shtohet dhe roli i Rosinës tek “ Berberi i Seviljes”.