FSHF kishte bërë një zgjedhje surprizë sa i përket trupës së arbitrimit. Nuk ishte preferuar asnjë nga gjyqtarët ndërkombëtarë, por ka qenë Kridens Meta i kolegjiumit të Tiranës, ai që ka vendosur drejtësi në takimin mes skuadrës kryesuese dhe asaj ndjekëse në garën për titullin kampion.
Ky i fundit e justifikoi besimin e dhënë, duke interpretuar më së miri një ndeshje shumë të luftuar, që shpesh tejkaloi edhe limitin me ndërhyrjet e lojtarëve. Pati dy raste flagrante për moviolë gjatë pjesës së parë, ku kryesori dhe asistentët e tij mund të kishin vepruar ndryshe. Në minutën e 13-të, Xhejms rrëzohet në afërsi të zonës pas duelit me Atandën.
Pamjet filmike tregojnë se sulmuesi i Skënderbeut ka simuluar gjatë rënies, pasi nuk ka pasur kontakt me Atandën. Në këtë moment, gjyqtari pas porte, Koçi, nuk e ndihmoi Metën, edhe pse kishte një pamje më të qartë. Në minutën e 39-të, Kalari bën një ndërhyrje horror ndaj Prognit në mesfushë, por Meta e kursen duke i nxjerrë vetëm kartonin e verdhë.
Bylis-Flamurtari
Ka qenë një tjetër ndeshje ku ka pasur një trupë prej gjashtë gjyqtarësh. Ashtu si dhe në ndeshjen e luajtur të premten në Korçë, ku përballë ishin dy skuadrat rivale për titullin, edhe në takimin ku luhej mbijetesa mes Bylisit dhe Flamurtarit, FSHF kishte përcaktuar edhe gjyqtarë të linjës.
Pavarësisht ndërhyrjeve të ashpra dhe tensionit, në përgjithësi ka qenë një ndeshje e arbitruar në mënyrë korrekte nga kryesori Jorgji dhe asistentët e tij. Në këtë takim nuk ka pasur shumë për t'u evidentuar dhe kryesori i takimit ka arritur që ta administrojë ndeshjen, me gjithë tensionin për të gjithë lojtarët në fushën e lojës, që pasqyrohej edhe në ndërhyrje të ashpra.
Tirana-Vllaznia
Ka qenë një tjetër takim ku arbitri mund të konsiderohet krejtësisht korrekt, mirëpo në rastet për moviolë mund të kishte dy momente kur kryesori Hamiti të tregohej disi më i rreptë. Mungojnë dy kartonë të verdhë për Vucajn e Hoxhallarin, i pari për një ndërhyrje të ashpër dhe i dyti për një simulim. Në takimet e tjera nuk ka pasur raste të shkëputura për moviolë. Arbitrimi i kësaj jave ka qenë korrekt dhe kjo tregon edhe një herë se gjyqtarët shqiptarë kanë përgatitjen e duhur dhe kur kanë vullnetin e mirë mund të arbitrojnë si duhet ndeshje edhe me shumë tension.